E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi mesazh Kuvendit Jo me bojkot Shqiperia ka nevoje per nje dialog te qendrueshem

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka drejtuar Kuvendit një mesazh me rastin e sesionit të ri parlamentar.

“Dua t’i drejtohem drejtpërdrejt ndërgjegjes së çdo deputeti në respekt të interesit publik qytetar dhe për të rifituar besimin e lëkundur të qytetarëve tek politika dhe institucionet e saj.

Parlamenti, mjedisi ku merr jetë politika dhe votohen ligjet, së pari presupozon pjesëmarrje si detyrim kushtetues, politik e institucional.

Për këto arsye, apeloj partitë parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e parlamentit, për qytetarët dhe për vendin!

Prania aktive në Parlament kërkon klimë pozitive dhe respekt për mendimet e shprehura”, shkruan Topi.

Duke shtuar në vijimësi se “Shqipëria politike, tashmë anëtare në NATO, ka humbur dy vjet në një ngërç politik permanent të lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare; vetë qytetarët dhe vendi kanë humbur dy vjet në përpjekjet e tyre për marrjen e ftesës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij.

Në emër të qytetarëve dhe të ndërgjegjes kombëtare, ju ftoj t’i shndërroni këto pika në prioritete të axhendës dhe aktivitetit parlamentar.

Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe efektiv politik, ka nevojë për bashkëpunim afatgjatë dhe të efektshëm midis palëve politike, ka nevojë për të fituar kohën e humbur përmes reformave afatgjata dhe të qëndrueshme”, përfundon mesazhi i kreut të shtetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›