E Diel, 1 Nëntor 2026

“Topi mund të na ndihmojë drejt pushtetit, por nuk bëjmë koalicion me të”

30/03/2012  Ben Blushi në opinion shpjegon arsyet e afrimit me Ramën dhe koalicionet zgjedhore

Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, shprehet se, pavarësisht se Topi dhe Spahiu mund ti japin një mundësi PS-së të vijë në pushtet, sërish nuk do ketë koalicion paszgjedhor me ta. Nga ana tjetër, Blushi mohon mundësinë e një koalicioni me LSI-në dhe shprehet se në zgjedhjet e ardhshme PS-ja do shkojë me këtë koalicion që ka. Për sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri Blushi shprehet se opozita do ta kundërshtojë me forcë një kandidaturë të djathtë, duke lënë të hapur indirekt dhe pranimin e kandidaturës së Nanos në këtë post.

- Zoti Blushi, cilat janë marrëdhëniet tuaja me Ramën në vite, duke parë afrimet dhe largimet?

- Unë jam gazetar dhe nuk e kam zakon të komentoj atë që shkruaj në letër. Më vjen mirë që (në insert) e shoh veten shumë më të dobët dhe është një arsye më shumë për tiu kthyer palestrës ose vrapit.

- Të cilat, me sa duket, i keni nisur?

- Jo me vullnetin e duhur...

- Po ju keni pasur kohën e duhur, zoti Berisha ju ka lënë shtatë vjet pushim dhe keni mjaft kohë për tu marrë me veten, gjë që, nëse do të ishit në pushtet, sdo ta kishit?

- Jo, zoti Berisha ka kufizuar shumë njerëz në shumë gjëra të tjera më të rëndësishme. Mua ska arritur të më kufizojë nga nevoja për të bërë sport apo për tu marrë me sport.

- Teksa po dëgjoja insertin, desha tju pyesja se çfarë ka ndodhur realisht mes jush, apo ska ndodhur?

- Jo, gjërat kanë qenë publike. Ky është një raport që ka qenë shumë publik në ditët e mira dhe të këqija të veta, kështu që nuk ka gjëra poshtë tavolinës, siç e kemi edukuar ne veten dhe njerëzit që të mendojnë këta 20 vjet, që politikanët 90 për qind të gjërave i bëjnë poshtë tavolinës dhe 10 për qind i thonë apo përpiqen ti thonë të tjerët në emër të tyre. Çdo gjë për çështje programesh, çështje koalicionesh ka qenë publike. Tani nuk e fsheh dot, ka një mirëkuptim më të madh, sepse ka afrim më të madh qëndrimesh. Nuk është çështje njerëzish, opinionesh apo mendimesh në përgjithësi. Qëndrimet janë afruar, dhe kjo ka afruar edhe njerëzit, është normale.

- Një vit para zgjedhjeve...

- Mund të ketë lidhje dhe me zgjedhjet. Kjo është normale. Presioni i zgjedhjeve është i pashmangshëm për profesionin që ne kemi. Në fakt, kjo është e vërtetë për çdo lloj profesioni. Ata që shkojnë në një ndeshje futbolli apo një ndeshje tjetër, para se të shkojnë në fushë, kanë presion më të madh. Kjo është e vërtetë dhe për ne. Presioni i zgjedhjeve, në kuptimin e mirë të fjalës, vlen për të koncentruar qëndrimet, për ti afruar aq sa mundet edhe sikur vetëm për të shkëmbyer apo për të pranuar gjëra që nuk kanë funksionuar. Ka ndodhur dhe te ne kjo dhe po ndodh.

- Ju nuk keni qenë pjesë e tryezave që zoti Rama ka bërë për prezantimin e pjesëve të ndryshme të PS-së. Ju e konsideroni veten bashkëpunëtor apo rival të Ramës në PS?

- Unë besoj se ajo që na bashkon më shumë sesa çdo gjë është nevoja për të fituar zgjedhjet më 2013-n. Shpesh kam nevojë ta shpjegoj këtë, jo nevoja për të fituar zgjedhjet si zgjedhje. Ne duhet ti shohim zgjedhjet si mundësi për të zbatuar pikëpamjet tona për ndryshimin e vendit, për të krijuar një set të domosdoshëm reformash, që Shqipëria si ka pasur, ose i ka vonuar në 20 vjet për arsye kryesisht politike. Ky është qëllimi, në fund të fundit, dhe nuk besoj se protagonizmi im apo i kujtdo tjetër në PS lidhet shumë me daljen në publik apo pjesëmarrjen në tryeza të ndryshme. Kjo gjë nuk ka shumë rëndësi, nuk është kut matës për vendimet që merren në PS.

- Zoti Blushi, ju dhe zoti Rama një vit para zgjedhjeve të 2009-s, dhe ju dhe Rama një vit para zgjedhjeve të 2013-s. Keni qenë atëherë më kompakt apo jeni sot?

- Siç ndodh me sendet, ashtu besoj ndodh dhe me njerëzit. Të tretët e kanë më të thjeshtë për të parë distancën apo afrimin e sendeve apo qenieve njerëzore. Kështu është dhe në rastin tonë. Ju mund të vlerësoni më mirë sesa ne nëse jemi më afër apo më larg. Ajo që unë mund të them është se jemi më të pjekur se para 3-4 vjetësh. Vijmë nga disa eksperienca elektorale q sdo të donim të na ndodhnin. Nuk erdhëm në pushtet më 2009-n, kemi pasur një palë zgjedhje të vështira vitin e kaluar. Në këtë kuptim, jemi më të pjekur, besojmë se e njohim Shqipërinë më mirë në përgjithësi. Kemi distancë më të mirë me kohën, me ato që sduhej ti kishim bërë, me ato që i kemi bërë apo me ato që skanë qenë shumë funksionale. Besoj se jemi pak më të vlefshëm jo vetëm për vete, por për Shqipërinë, sepse, në fund të fundit, politikanët çfarë vlere kanë nëse nuk janë funksionalë? Besojmë se funksionaliteti mund të jetë i vlefshëm si një instrument për të bërë reforma në Shqipëri. Këtë do ta shohim në vitin 2013, nëse Shqiptarët mendojnë se ne jemi pjekur aq sa duhet për të ardhur në pushtet.

- Nëse do ta marrim kohën si pjekuri, sjellja ekstremiste e së majtës ka qenë në funksion të pjekurisë, ndërkohë që ju keni qenë kundër ekstremizimit të së majtës...

- Unë për asnjë sekondë nuk u iki qëndrimeve që kam mbajtur. Nuk më shkon kjo gjë dhe për sa kohë që jam i bindur se shumica e qëndrimeve që kam mbajtur kanë qenë korrekte dhe koha i ka provuar si të drejta, aq më pak kam arsye për tu shmangur. Është e vërtetë që kam qenë për një pozicion më paqësor apo më të moderuar pas zgjedhjeve. Kam kërkuar që PS-ja të përballojë me më shumë qetësi humbjen e zgjedhjeve më 2009-n dhe të mbante qëndrime më racionale për çfarë erdhi më pas. Ky nuk ka qenë qëndrimi i shumicës në PS. Shumica zgjodhi një politikë që ju e keni quajtur “agresive”, “radikale” edhe në raport me ato që unë mendoja dhe që mendoj sot. Unë kam arsye të them se koha provoi atë që kisha menduar atëherë, por këtë nuk e them dot me siguri.

- Pra, kemi një pjekje të pjesës tjetër të PS-së?

- Kjo nuk ka lidhje vetëm me mua. Mendoj se presioni nga jashtë, nga ndërkombëtarët dhe presioni nga brenda PS-së, nga disa deputetë, nga një pjesë jo e vogël, gati 30 për qind e PS-së, ndikoi që PS-js të hyjë në Kuvend, të marrë pjesë në votimin e ligjeve, të perceptohet të paktën si një parti që e mbështet integrimin europian më shumë sesa më parë dhe me një linjë të moderuar, që sot po jep frytet e veta.

- Arsyet që dha Rama për humbjen më 2009-n ishin të ndryshme nga ato tuajat. Çfarë ju bën të besoni se ai do jetë fitues këtë herë?

- Ka arsye më shumë Shqipëria që të votojë për ne. Unë nuk ia bëj këtë pyetje vetes asnjëherë. Besoj se Shqipëria ka më shumë arsye të votojë për opozitën më 2013-n, për të majtën dhe në fund fare për PS-në.

- Jeni afruar ju më shumë me Ramën apo Rama me ju?

- Nuk më shkon për natyrë që të jem kokëfortë dhe të them se ajo që kam thënë është më e mira.

- LMN e la pezull punën e saj, apo ia arriti qëllimet?

- E ashtuquajtura LMN është një gjë që unë nuk para përdor si shprehje. Arriti të ndikojë që qëndrimi i PS-së të ndryshojë. Për çfarë? PS-ja hyri në parlament (flasim për një kohë kur ishte në bojkot), të shkojë nga rruga në institucione, të ketë një qëndrim më të moderuar për miratimin e disa ligjeve të domosdoshme për integrimin në BE, të ketë një nivel më të lartë të demokracisë së brendshme. Këto janë disa nga elementet kryesore për të cilat ne kemi debatuar përgjatë vitit 2009-2010. Ne kishim më shumë ambicie në atë kohë, kjo nuk diskutohet. Në përgjegjësi si të pestë deputetë, por dhe të tjerë të heshtur, më shumë anëtarë forumesh, asambleje, kongres, por edhe në bazë, kjo e fundit nuk është matur dot dhe nuk mund ta them. Ne kishim ambicie më të mëdha, por koha të detyron ti modelosh ambiciet e tua, sepse është e pamundur që në një grup politik ti të arrish 100 për qind të asaj që do. Je i detyruar të negociosh pa pushim.

- Ka dhe që u përjashtuan?

- Sigurisht ka që u përjashtuan dhe më vjen keq që dikush pagoi çmimin e të gjithëve ne. Nëse dikush duhej përjashtuar, mbase duhej të isha unë i pari. Këtë se kam thënë ndonjëherë dhe duhet ta them sot. Unë i kam dhënë PS-së më shumë arsye për tu përjashtuar. Kjo nuk do të thotë se kishin të drejtë apo arsye të më përjashtonin, siç nuk kishin të drejtë kur përjashtuan ata që përjashtuan.

- Është i padrejtë përjashtmi i Kastriot Islami?

- Sigurisht. Pa dyshim, sepse Kastriot Islami është përjashtuar nga partia për diçka që e mendonin si ai shumë veta.

- Pse ta marrim si ndikim të LMN-së? Mos z. Rama gjykoi vetë se ishte më mirë kështu, të fuste një ditë deputetët në Kuvend, një ditë tjetër të votonte ligjet?

- Do të ishte më mirë, nëse është kështu siç thoni ju, sepse na jep shpresë, se në përgjithësi politikanët marrin vendimet duhura. Besoj se presioni ndërkombëtar dhe presioni i brendshëm i disa deputetëve brenda PS-së kanë ndikuar që të ndryshojë trajektorja.

- A mund të jetë Rama një lider kur merr vendime për shkak të detyrimit të forcave të treta dhe jo për shkak të gjykimit të tij?

- Është e pamundur në politikë që të mos jesh i detyruar që të negociosh apo të mos marrësh parasysh qëndrimet e të tjerëve, sidomos të atyre që mendojnë të kundërtën. Nëse nuk negocion dhe nuk arrin të gjesh një të mesme, përgjithësisht të pëlqyeshme për palët, apo brenda një grupimi politik, e ke të pamundur të mbash vendin e punës, në kuptimin e mirë apo të keq të fjalës.

- Ju këtë e keni ditur, zotit Rama iu desh dy vjet për ta mësuar?

- Askush nuk ecën me të njëjtin ritëm. Jam i bindur se ti vrapon më shpejt se unë, po unë eci më shpejt se ti. Jemi qeni të ndryshme, kemi shpejtësi të ndryshme, fizike, biologjike. Kjo është një e vërtetë që kemi lindur si të tillë, kemi lindur si të ndryshëm dhe vazhdojmë të jetojmë si të ndryshëm.

- Një vit para zgjedhjeve çfarë po bëni ju për të qenë pjesë e suksesit të mundshëm apo dështimit të pritshëm të PS-së, sepse këto kohë keni bërë më shumë shkrimtarin e suksesshëm dhe politikan që rri në kolltukun e shkrimtarit?

- Dhe mua më pëlqen që shpesh ti provokoj njerëzit që të më thonë atë që realisht mendojnë për mua. Nëse më pyet çfarë nuk po bëj, di që nuk po vrapoj. Nëse më pyet çfarë po bëj, po mendoj. Mendimi është gjëja më e lartë e njeriut. Unë ekzistoj sepse mendoj dhe sa herë mendoj që mendimet e mia kanë sens të ndahen, shkruaj. Në përgjithësi kjo është gjëja që bëjë në letërsi, në disa raste dhe në politikë. Tipologjia njerëzore është e ndryshme dhe unë nuk hyj te politikanët që janë muskuloz. Pra, nuk jam një njeri që përpiqem ta çaj rrugën e karrierës sime apo gjithë konflikteve të mia me muskuj. Përpiqem ti zgjidh me rrugë të tjera dhe nuk jam pishman për shumëçka. Ajo që po bëj është që marr ngarkesën e duhur brenda PS-së. Ne kemi një ndarje organizative, nuk e di sa interes ka kjo gjë për ju. Kemi ndarë punët në territore, unë mbuloj një territor të caktuar, siç kam mbuluar nga viti 2001 që jam zgjedhur deputet deri më sot, prej gati 11 vjetësh. Dikur kam mbuluar qarkun e Korçës sot mbuloj një zonë tjetër. Herë pas herë dhe shkruaj. Kjo është ajo që unë bëj, sigurisht nuk është e mjaftueshme...

- Këtë do të thosha, a pritet të rritni rendimentin edhe për shkak të staturës dhe muskujve politikë që ju keni?

- Me kënaqësi. Por secili prej nesh bën atë që di të bëjë dhe jam i bindur se, sikur të gjithë të bënin nga pak, do të ishte më e lehtë për vitin e ardhshëm. Unë e kam të vështirë të flas për vete.

- A keni ndikuar në votimin e Kodit Penal?

- Ky ishte një vendim i marrë në grupin parlamentar, nuk ishte për shkak të imponimit të askujt dhe aq më pak për shkakun tim. Sepse nuk kam qenë në atë mbledhje grupi ku është vendosur kalimi i Kodit Penal. Me sa kam dëgjuar, ky ishte vendim i grupit për të kaluar disa amendamente në Kodin Penal, të cilat nuk ishin aq të rëndësishme sa të bllokonin Kodin Penal.

- E keni mbështetur Ramën për ndarjen e re të deputetëve në zona?

- Mund të them se nuk ka ndonjë gjë për të fshehur, unë jam konsultuar me z. Rama për këtë zhvendosje për sa më takon mua jo të tjetër. Ka qenë diçka që po e them sot që, nëse unë nuk do të doja, kjo nuk do të ndodhte. Nuk mund të ndodhte që unë të zhvendosesha nga territori i Korçës, ku unë jam zgjedhur prej mandatesh, nëse unë nuk do të doja. Kjo nuk do të thotë se është kënaqësi madhe, sepse nuk kam ikur nga Korça i kënaqur, por kam shkuar në një qark tjetër po aq të rëndësishëm.

- Ju propozoi Rama apo?...

- Ishte një konsultë e përbashkët. Kishim disa mundësi. Unë zgjodha Elbasanin për disa arsye që nuk ka rëndësi ti them, por besoj se është një qark jetik, dhe kjo më stimuloi më tepër për ta zgjedhur. Po të keni parasysh në vitin 2009, ne kemi dalë barazim në Elbasan.

- Pse e mbështesni Ramën në këtë pikë?

- Unë nuk mbështes Ramën, mbështes principin. Principi është që pas 10 apo 11 vjetësh, siç është rasti im, ka deputetë që kanë qenë dhe më gjatë në zona të tjera, është mirë që të lëvizin. Keni parasysh që këto skanë qenë vite të thjeshta për ne. Nga viti 2001 deri në vitin 2005, kur ne humbëm zgjedhjet, nuk ishte shumë e lehtë që menaxhoje interesa elektorale shumë normale. Nga viti 2005 e deri më sot aq e vështirë është tu përgjigjesh interesave jetike të zgjedhësve. Kjo në përgjithësi më ka vënë në vështirësi jo vetëm mua në disa raste, por shumë deputetë të tjerë. Gjëja më e mirë në këto raste është të lëvizësh, dhe shumë prej nesh e kanë bërë këtë.

- Zoti Blushi, më 2009-n kishit arsye të ndryshme nga zoti Rama për humbjen?

- Rama mendonte se disa arsye janë në kuti, unë mendoja se disa arsye janë jashtë kutive dhe ne mund të flasim sot për arsyet që janë jashtë kutive, sepse kutitë su hapën. Më vjen mirë ta them, por ajo që thashë më 2009-n sot u vërtetua, ne po flasim për arsyet jashtë kutive.

- Në shkrimin e botuar në gazetën “Panorama” nga shumë komente u quajt “platformë”, por Rama se quajti “platformë”?

- Fakti që Rama se quan “platformë”, mua do të më detyronte ta quaja “platformë”. Por në fakt janë teza, janë opinione, është detyrim im për të menduar dhe për të shkruar.

- Çfarë ndryshon sot në PS nga një vit para zgjedhjeve në vitin 2009?

- Për të mbetur sërish jashtë kutive. Disa nga arsyet dhe këtë se them vetëm unë, e keni thënë ju më shpesh, ishte mungesa e një koalicioni më të madh nga ai që patëm. Ishte mungesa e një programi më të qartë, që po vjen, po dizajnohet dhe ishte padyshim dhe cilësia e zgjedhjeve. Po ta filloj nga fundi, edhe për shkak të asaj që ndodhi në vitin 2009, e ashtuquajtura reformë zgjedhore po hyn në kanalin e duhur dhe shpresojmë që të ketë një produkt. Ne jemi shumë më racional për shkak të vitit 2009, për të kërkuar që zgjedhjet të mos preken. Shpresojmë që nga reforma zgjedhore të marrim atë që presim, imunitet më të madh elektoral, jo për vete, por për votat e shqiptarëve. Mundësisht të kemi një numërim elektronik, votimi është pak më i vështirë dhe të mos jetë ajo tortura që rrinë komisionerët nga 3-4 ditë. Shpresoj që të shmanget. Të kemi më shumë mundësi për të kontrolluar listat dhe të kemi një identifikim më të mirë të votuesve.

Për të ardhur te koalicionet, unë besoj se do të kemi një koalicion më të mirë, më funksional.

- Do të shtohen radhët?

- Po, sot kemi disa parti që si kemi pasur më parë në vitin 2009, Ngjela, Koçi, Ndoka etj. Ne kemi thënë se më 2009 nuk kishim trenin e duhur elektoral për të marrë.

- Në platformën tuaj flisni për të majtën, ndërkohë në koalicion keni nga të gjitha ngjyrat politike. Ideja e këtij koalicioni dhe platforma nuk shkon?

- Nëse parti të tjera, që mund të jenë të rreshtuara djathtas, rreshtohen me ne dhe fitojnë zgjedhjet me ne, pa kërkuar koncesione programore dhe pa na kërkuar ne që të deformojmë në interesat të tyre programin tonë kjo është një zgjidhje e mirë pragmatiste. Natyrisht që asnjë parti e madhe si PS-ja nuk ka shumë dëshirë të ndryshojë programin e vet për shkak të partive të vogla, qofshin dhe të djathta. Po hyjmë në një fazë kur shkëmbimet e përvojave dhe programeve duhet të determinojnë formimin e koalicioneve. Ky është problemi i LSI-së me PD-në, në fund fare nuk është çështja e moralit politik, por si ka mundësi që një parti si LSI-ja, që pretendon se është e majtë është afruar pa asnjë koncesion programor me qeverinë. Keni parë të ketë një qëndrim ndryshe nga qeveria për pensionet, taksat? Ka pranuar taksën e sheshtë që është themeli i programor. Ka pranuar PD-ja pa marrë asnjë koncesion. Koha për këto koalicione duhet të shterojë dhe në fakt po shteron, sepse i bie që partitë tona bëjnë diferencën nga emrat e njerëzve, kur në fakt duhet ta bëjnë nga programet dhe qëndrimet që kanë.

- Kur do të fillojë kjo në PS?

- Besoj shumë shpejt. Më 2013-n njerëzit nuk besoj se do të votojnë vetëm për emrat. Unë mendoj se kjo e bënë koalicionin më funksional dhe më të qëndrueshëm. Kjo është përvojë ndërkombëtare, nëse duhet të bëjmë një pedagogji elektorale, duhet ti nxisim njerëzit të votojnë për programet.

- A nuk mendoni se koalicionet për të larguar këtë qeveri duhet të shtrihen përtej së majtës dhe të djathtës?

- Absolutisht që po, është i nevojshëm ndryshimi i qeverisë përtej kufijve ideologjikë. Mund të bëhet një rreshtim pragmatist pa marrë parasysh ideologjinë, por për sa kohë kjo gjë nuk funksionoi siç ne prisnim në vitin 2009 dhe në vitin 2011, unë besoj se duhet ti kthehemi ideologjisë për sa kohë që ajo vlen. Unë besoj që vlen. Nëse kjo nuk funksionoi më 2009, ka arsye të rishikojmë qëndrimin tonë në raport me doktrinën. Unë besoj se nuk dha atë që prisnim dhe për sa kohë që ajo nuk përsëritet më si tezë do të thotë që e konsumoi veten. Ne duhet të gjejmë instrumentet e duhura për të ardhur në pushtet, nëse besojmë se disa që kemi përdorur janë konsumuar, ndaj duhet të rithemelojmë qëndrimin tonë në raport me shqiptarët dhe në raport me ato që përfaqësojmë ne. Nëse nuk u japim shqiptarëve atë që presin nga ne, zbutje të varfërisë dhe polarizimit, një raport më të arsyeshëm demografik, pensione më të larta, arsim më të lirë shërbime më funksionale etj., besoj se ne nuk u japim përgjigjet e duhura. Nëse ne shkojmë në zgjedhje dhe themi; ne duam vetëm një gjë që të votoni kundër PD-së, unë besoj se kjo nuk mjafton. Duhet të japim pak më shumë. Unë besoj se ne i ofrojmë këto. Duhet të na shihni në garë, sepse ne nuk konkurrojmë me vetveten, konkurrojmë me dikë tjetër.

- Në kushtet e krizës ekonomike teza e PS për taksimin progresiv e nxjerr vendin nga situata?

- Unë them që po, jo unë, por edhe PS-ja. Unë në radhë të parë nisem nga besimi. Është një gjë që unë e besoj. Unë besoj se bota mund të jetë pak më e drejtë sesa është. Të ketë më shumë shpërndaje në pasuri dhe burimet e përbashkëta natyrore. Ky është parim i përgjithshëm, mbi këtë parim është ndërtuar doktrina e majtë.

- Unë ndalem të shkrimi juaj në gazetë dhe tezat që keni hedhur. Pse duheshin këto në një gazetë kur keni një program 90 faqesh kongresual, pse duhet të dilni me teza më vete?

- Unë nuk shkruaj kur jam i pakënaqur. Sa për pyetjen miqësore, lëkura ime është trashur ndër vite dhe si ndjej të gjitha pickimet. Dokumenti i kongresit është ndërtuar mbi këto principe, të partive të majta evropiane. Ne jemi vend anormal, por nuk ka arsye të jemi kaq atipik, mund të bëjmë disa gjëra siç i bëjnë të gjithë të tjerët.

- Po pse teza “Blushi” dhe jo “Rilindja Shqiptare”, ku ndryshojnë?

- Po ne nuk konkurrojmë në këtë gjë. Ndajmë të njëjtat parime dhe nuk jam futur në garë me askënd në PS. Unë shpreh publikisht mendimet e mia për të majtën dhe diferencën e majtë e djathë. Unë nuk kam arsye të shpjegoj atë që kam shkruar, por, nëse ky tekst ka një arsye, e di kush është; të përpiqet të bindë ata që e lexojnë se përse ia vlen sot të votosh më shumë për të majtën.

- Pra, është propagandë?

- Po mirë mund të jetë kështu për ju. Por këto janë instrumentet e një politikani, të flasë, të mendojë dhe të shkruajë. Këtë gjë po bëj.

- A është një korrigjim i Rilindjes Shqiptare?

- Me aq sa unë kam lexuar, vetëm dy tekste në botë janë të pakorrigjueshme, Kurani dhe Bibla dhe Rilindja Shqiptare nuk mund të jetë një doktrinë e parashikueshme.

- Në tezat tuaja, a ka një përpjekje për të rishikuar marrëdhënien e së majtës me brezat?

- Elektorati i PS-së në fillim të pluralizmit ka qenë shumë më i konsoliduar dhe rezultatet elektorale e tregojnë këtë gjë. E para, ishte një brez më i shtyrë dhe i lidhur me shumë me luftën. Pavarësisht se ishin të gjithë të pakënaqur në vitin 1991 ne trashëguam më shumë votues se e djathta dhe e trashëguam këtë depozitë deri në vitin 2000. Në vitin 2000 nuk ishte kështu, humbën zgjedhjet në 2002, humbëm zgjedhjet më 2005, sigurisht që ka lëvizje tektonike të elektoratit për shkak se PS-ja nuk iu përgjigj dhe nuk po u përgjigjet brezave.

- Po Rilindja Shqiptare nuk i jep përgjigje kësaj?

- Rilindja Shqiptare është një dokument i cili testohet më 2013-n, pra nuk ka hyrë në një filtër zgjedhor dhe është i patestuar. Për sa kohë që është i pavotuar kemi arsye të mendojmë se është më i miri në treg.

- Po ju flisni për të majtën, Rama bën program për ish të përndjekurit dhe pronën që janë të së djathtës.

- Duhet të bëjmë një diferencë ideologjike dhe të atyre që quhen të drejta. Të kthesh sot pronën që ta ka shtetëzuar komunizmi, nuk do të thotë që je i majtë apo i djathtë, do të thotë që i jep një të drejtë. Po nëse unë jam për taksën progresive dhe ju për taksë të sheshtë do të thotë që kemi ndryshime ideologjike.

- Po kjo nuk është vetëm çështje e së drejtës?

- U them unë si kthehen pronat në Shqipëri, duke mos i vjedhur. Sot pronat po vidhen. E vetmja mundësi për të kthyer pronat është që qeveria të mos vjedhë pronat. Ajo që nuk vidhet kthehet.

- Në lidhje me taksën e sheshtë si e mendoni zbatimin e saj?

- Ne nuk po shkojmë të marrim paratë e të pasurve, por të ulim taksat për të varfrit. Duam të zbusim taksat për ata që fitojnë më pak. Diferenca jonë është se në mendojmë se taksat do të jenë sipas asaj që fiton. Nëse ti ke 5 milionë lekë të vjetra të ardhura nuk paguan taksa. Në Zvicër më duket e kanë që nëse ke 13 mijë euro të ardhura paguan zero taksë. Kjo është taksa mbi të ardhurat, vijmë te taksa mbi tregun. Nëse taksojmë më pak të varfrit do të vijmë në shkallë progresive duke taksuar sipas fitimit, ndërsa tek tregu mendojnë se taksat mund të zbuten. Sistemi aktual i taksave është legal, domethënë është miratuar në Kuvend, por kjo nuk do të thotë se është i mirë.

- Në lidhje me programin e PS-së dhe tezat tuaja, ju jeni një lojtar i ekipit të Ramës...

- Unë nuk jam lojtar i ekipit të Ramës, jam lojtar i ekipit të PS-së. Edi Rama nuk është pronar i Partisë Socialiste, është administrator. Çfarë po bëj unë sot këtu? Po kërkoj votat për PS. Nëse ju mendoni se po kërkoj vota kundër Edi Ramës e keni gabim.

- Pse PS nuk u bëri jehonë këtyre tezave?

- Sepse ky është një kontribut personal dhe PS nuk ka pse shkruan në tabelën me shkumës atë që shkruajmë ne në gazeta. Nuk është ky detyrimi i saj. PS ka një produkt të vetin kolektiv që është programi i saj apo doktrina e saj. Pse doni të më nxirrni në antagonizëm me këtë gjë. Unë jam për aq sa e meritoj, por nuk jam për pjesën që nuk e meritoj.

- Kishte një domethënie politike botimi i kësaj platforme në kohën që Rama ishte në SHBA?

- Jo kjo ska asnjë lidhje. Janë dy gjëra që si lidh dot. Pse mendoni ju se kur Rama shkon në Angli apo SHBA, unë duhet të pushoj së menduari. Kjo ska lidhje, është përkim.

- A shpreson realisht të Topi dhe Spahiu PS?

- Do të përgjigjem ashtu siç do të donte z. Topi ti përgjigjesha. Ku ka futbollist që nuk shpreson në 90 minuta që një nga kundërshtarët do të bëjë gol në portën e vet. Ky është rasti ynë me z. Topi. Pra, z. Topi më 2013-n do të bëjë gol në portën e vet, do të bëjë autogol.

- Kjo është një shpresë?...

- Kjo është diçka që e shohin të gjithë, sepse ai është nisur drejt portës së vet. Ka marrë topin dhe po shkon drejt portës së vet, jo drejt portës sonë. Këtë gjë e shihni dhe besoj se nuk e kundërshtoni...

- Po duket se po niset nga porta e PS-së.

- Jo, ai u nis nga porta e PD-së, se ishte nënkryetar i saj. Ai nuk e pranon, por nëse ka votuar për z. Rama ka bërë mirë. Ai thotë se nuk është e vërtetë, por nëse e ka bërë këtë gjë ka bërë mirë, ky nuk është problemi im. Ju thatë se Topi ka votuar për Ramën, ky nuk është gol në portën tonë, na ka bërë një nder dhe nëse ai bën autogol në portën e vet ky është prapë një nder për ne.

- Rrezikon që Topi dhe Spahiu të marrin vota të majta?

- Nuk e përjashtoj, por nëse secili prej tyre proporcionalisht ka 10 vota, 8 prej tyre janë nga e djathta, kjo është e padiskutueshme. Sepse njëri ka qenë nënkryetari i PD-së dhe gjithë ditën e prezanton veten si i djathtë për shkak të origjinës, të bindjeve apo të pasurisë, këto janë gjërat që thotë dhe identifikohet z. Topi. Edhe z. Spahiu i përket së djathtës. Janë dy njerëz që kurrë nuk i kanë përkitur të majtës apo të kenë qenë pjesë e PS.

- Mund të bashkëpunoj PS-ja me Topin dhe Spahiun?

- Unë mund tju them një gjë, që me atë që duket sot. Siç janë rreshtuar palët, majtas dhe djathtas, mesa duket do të shkohet në këto zgjedhje me tre pole, me tre koalicione, dy të mëdha dhe një më të vogël. Do të jetë koalicioni i qeverisë, koalicioni i PS-së dhe koalicioni, nëse do të jetë koalicion, i disa partive që nuk duan të jenë as me ne dhe as me PD-në. Unë ketë mendoj që do të jenë dy koalicione të mëdha dhe që i treti do të hajë më shumë nga e djathta.

- Në këtë parashikim që bëni, ku e shihni vendin e LSI-së dhe çfarë raporti do të ketë përballë pushtetit logjika aritmetike e mbledhjes së votave për të arritur drejt pushtetit dhe logjika e moralit?

- Që LSI-ja të jetë në koalicionin e PS-së duhet të bëjë një gjë që unë nuk shoh ta bëjë tani afër, të dalë nga qeveria. Nuk mund të rreshtohet me ne pa dalë nga qeveria dhe nuk shoh që sot ka arsye për të dalë nga qeveria. Përkundrazi, janë dy pjesë të të njëjtit grup politik. E thashë dhe më lart, jo për shkak se është në koalicion me PD, por sepse nuk i ka marrë PD-së asnjë koncesion që zakonisht partitë e majta i bëjnë kur bëjnë koalicione në lidhje me pensionet, në lidhje me taksat etj. Për shkak se nuk ka bërë qëndrim në asnjë nga këto është vështirë që LSI-ja të jetë e majtë apo e djathtë. Nëse ka një parti joideologjike, por vetëm strukturore, kjo është vetëm LSI-ja.

- Si mund ta luante LSI-ja këtë rol kur u vu në qendër të sulmeve të nesërmen e koalicionit dhe ishte mes një politike ekstreme të PS-së që nga viti 2009?

- Ne nuk jemi regjisor, ne nuk mund ti japim LSI-së rolin që duam ne. Nëse do të ishte në vullnetin tonë do të donim që në 3-4 vjetët e fundit që LSI-ja të kishte një rol tjetër, por këtë se kemi pasur në dorë. Ka qenë një lëvizje e pavarur e LSI-së, për arsyet e saj drejt pushtetit. Besoj se në zgjedhjet e ardhshme, ato parti që sjanë as të majta dhe as të djathta, që skanë ideologji, siç është rasti i LSI-së do të kenë mundësi.

- Kjo do të thotë se do të shkoni në zgjedhje pa LSI-në?

- Ne do të shkojmë në zgjedhje me koalicionin që jemi sot. Po ua them me bindje, askush prej nesh nuk ushqen paranojën, as frikën dhe as nevojën që pa LSI nuk fitohet. Jo, pa LSI fitohet ndoshta më mirë.

- Për shkak të numrave e shihni të mundshëm një koalicion me Topi dhe Spahiun?

- Varet për çfarë flasim, para zgjedhjeve, apo pas zgjedhjeve.

- Pas zgjedhjeve?

- Meqë shumë njerëz e perceptojnë, e perceptojnë sepse nuk është aspak e vërtetë se z. Topi qenka aleati ynë, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Nëse ne duam ti bëjmë një dëm z. Topi është ta marrim në koalicion tonë. Ne nuk kemi arsye ta bëjmë këtë dëm, sepse koalicioni jonë është i mjaftueshëm. Të nesërmen e zgjedhjeve ne besoj se do të kemi 71 vota. E para, besojmë së me anë të ndryshimit të disa elementëve të administrimit të zgjedhjeve do të mbrojmë votat tona më mirë. E dyta, me një program më të majtë, të orientuar më shumë nga papunësia, nga zbutja e varfërisë... E treta, do të kemi një koalicion më të mirë sesa ai i vitit 2009. Me të tre këto elementë, të nesërmen e zgjedhjeve ne do të kemi 71 vota. Sigurisht, nëse nuk do të kemi 71 vota, Parlamenti është një arenë ku ti ke mundësi të negociosh, përveçse me Partinë Demokratike.

- Gjykoni se mund të ketë krizë gjatë zgjedhjes së Presidentit? Çfarë prisni këtë verë?

- Unë pres që të mos ketë një president të Partisë Demokratike.

- Dëshironi apo analizoni kështu?

- Kjo është ajo që do të dëshironim ne. Unë nuk dua të hyj në analizën e zgjedhjes së presidentit, sepse kam gabuar një herë më 2007-n. Kjo nuk më heq arsyen për të menduar, por nuk dua ti futem asnjë analize.

- Zoti Nano do ti kënaqte ambiciet e PS-së për një president jo të PD-së?

- Çdo deputet i PD-së dhe, nëse sjam gabim sot janë 66 të PD-së, do të ishte presidenti më i keq në raport me çdo kënd që është në atë sallë apo që nuk është në atë sallë. Kjo është ajo që mendoj unë dhe është një gjë e papranueshme për ne. Ne e kemi të papranueshme që PD-ja të akumulojë aq shumë pushtet të zgjedhë një president brenda byrosë së saj. Unë nuk jam pishman që ndryshuam Kushtetutën. Unë kam votuar dhe nuk jam penduar. Edi Rama nuk ka votuar se nuk ka qenë deputet.

Ndryshimet për Kushtetuese unë i mbroj. Unë kam qenë për një president nga populli, një variant i sabotuar për fat të keq nga të dy partitë. E di për çfarë shkojmë ne zgjedhje. Nuk shkojmë për të votuar për presidentin. Pse në vitin 2017 duhet të bjerë qeveria për sa kohë që populli nuk ka votuar edhe për taksat, edhe për uljen e papunësisë dhe për një president. Ne nuk u kemi thënë njerëzve që na votoni tani që të mos shkojmë në zgjedhje. Ne kemi kërkuar mandat për diçka tjetër. Ndryshimet kushtetuese kishin parasysh të zgjidhnin një krizë, nuk kishin parasysh të na jepnin ne një president apo ti mohonin PD-së një president. Unë nuk jam pishman. Pse e kundërshtojnë një president të PD-së, jo për arsye kushtetuese. Unë nuk them që PD-ja nuk ka të drejtë të zgjedhë president në raundin e katërt me 71 vota. Këtë të drejt ia jep Kushtetuta, por në moralin politik dhe në dobinë e Shqipërisë është që Presidenti të mos jetë i po asaj pale, sepse këtë dëm e kemi parë, nga viti 1992 deri në vitin 1996, sepse u rrëzua Shqipëria shkoi drejt piramidave. Gjithë ky pushtet prej mamuthi do të ketë kostot e veta, ne po flasim për të shmangur kostot paraprakisht. Dhe po them dhe diçka të fundit, kjo nuk është vetëm kërkesë e PS, por komuniteti ndërkombëtar është çdo ditë më i ndjeshëm për nevojën e moszgjedhjes së një presidenti të një pale.

- Znj. Topalli është një kandidaturë për tu konsideruar nga PS-ja?

- Jo. Znj. Topalli nuk është një kandidaturë, e PS sigurisht që smund të jetë. Ky nuk është një shqetësim vetëm për mua, por për gjithë njerëzit që kanë një sens...

- Ju e keni me emrin konkret apo me faktin që sduhet të jetë nga PD-ja? Mes Topallit dhe një emri tjetër nga PD-ja?...

Nuk do të zgjidhja asnjë.

- Mund të jetë një propozim i PS?

- Sigurisht që mund të jetë, por kjo duket e pamundur në këto kushte.

- Duket sikur PS-ja nuk po merret me presidentin, po e braktis garën?

- Jo, absolutisht. Ne nuk mund të provokojmë tema që nuk janë tema dite. Nëse sot është një ditë me diell, ne të dy nuk mund të flasim se ku mund të gjejmë një çadër.

- Çfarë motivi më shumë do tu jepni shqiptarëve për tu votuar më 2013?

- Është ajo që ne e quajmë vota pro, apo vota kundër. Ne pëlqejmë të themi që në Shqipëri në këto 20 vjet ka dominuar vota kundër. Kjo më jep më shumë arsye të besoj se kur njerëzit i lidh me një program kanë më shumë arsye të votojnë pro sesa kundër. Unë dua të vij në pushtet i votuar pro, jo i votuar kundër. Sigurisht, as këtë nuk do ta kundërshtoja.

- Mendoni se i ka zgjidhur problemet PS-ja si e majtë?

- PS-ja nuk ka një problem, Shqipëria ka një problem. Po të ishte problem i PS-së vetëm ardhja e saj në pushtet, kjo nuk do të ishte një gjë, sepse njerëzit të lodheshin shumë. Shqipëria ka nevojë të ndryshojë në vitin 2013 dhe jo PS-ja. Njerëzit do të shkojnë për të votuar jo për të ndryshuar PS-në, por vendin. Për ti dhënë Shqipërisë një qeveri më të mirë.

- Flisni për PS-në si e majtë, por brenda saj ka dhe biznesmenë etj. Pyetja ishte a e zgjidhi PS-ja problemin me identitetin e vet?

- Unë jam i bindur që po. Të gjitha përpjekjet që po bëjmë, pavarësisht se juve mund tju duken antagoniste, nuk ka antagonizëm mes meje apo dikujt që mendon kështu apo ashtu, të gjitha këto janë përpjekje për të krijuar një identitet dhe një profil më të mirë, në mënyrë që njerëzit të na dallojë ne nga dikush tjetër. Pse kanë fanella të ndryshme atletët, që ti dallojnë. Nëse i kanë të njëjta ti nuk i dallon.

- PS ka vendosur me një standard me dorëheqjen e Nanos. Rama nuk e ka bërë këtë. Çfarë garancish dhe mekanizmash keni më tepër që kjo të ndodhë, nëse Rama humb më 2013-n dhe të ketë mundësi për ndryshim të elitave? E dyta, jeni të gatshëm të merrni një pozicion më të lartë se anëtar i kryesisë në PS?

- Do të përfundojmë në fund 140, por do të jemi rreth 1000 e ca shqiptarë që do të kemi dy mundësi për të ndikuar në zgjedhje, edhe të zgjidhmi edhe të zgjedhim, sepse kur kandidon zgjidhesh, kur voton zgjedh. Ne do të kemi dy mundësi, unë edhe do të zgjidhem edhe do të zgjedh. Unë po them pse po shkoj në këto zgjedhje. Unë nuk do të shkoj për të hequr Edi Ramën, por për të hequr Sali Berishën. Skam përgjigje tjetër për këtë.

- Pyetja e dytë...

- Nëse do të jem më aktiv...Do të përpiqem të jem aq aktiv sa mundem.

- Mos ka më shumë nevojë PD-ja për pragmatizëm sesa ideologji?

- Ne nuk do të shkojmë në pushtet më 2013-n për tu marrë fitimet të pasurve, as për ti shtetëzuar dhe për tu marrë ato që fitojnë, por për arsye të tjera. Po shkojmë për të pasur një shoqëri më të balancuar, që do të thotë; ata që kanë më shumë mundësi të kontribuojnë më shumë për ata që skanë mundësi. Ky nuk është parimi i PS-së, por parim që dominon politikën botërore, nga Franca në SHBA po fitojnë mbi bazën e këtij parimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›