E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni i pakënaqur, Alegri në telashe

30/03/2012  “Jam pa fjalë.” Një koment më shumë hermetik se sa enigmatik nga ana e presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni një ditë pas barazimit pa gola kundër Barcelonës në “San Siro”. Një frazë, e cila nuk është kuptuar se në çfarë kuptimi është thënë nga ana e presidentit kuqezi, i cili është larguar nga “San Siro” në një mënyrë shumë të çuditshme së bashku me administratorin e deleguar Adriano Galiani. Ky moment është fokusuar nga ana e telekamerave të televizioneve. Në çastet kur presidenti është larguar nga tribuna, ka theksuar: “Kam diçka për të thënë. Çfarë? Nuk e them sepse...”. Tashmë trajneri Masimiliano Alegri është i paralajmëruar. Milani ka arritur të ndal Barcelonën edhe “mostrën Mesi”, duke e lënë të hapur kualifikimin për gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Por, trajneri Masimiliano Alegri nuk pret elozhe nga presidenti, përkundrazi. Alegri në fund të takimit ka folur vetëm për lojtarët dhe ka shmangur çdo pyetje që i është bërë në lidhje me Berluskonin. Mediat italiane kanë bërë të ditur se Berluskoni ka zbritur në pushimin e ndeshjes në dhomat e zhveshjeve, ku ka folur me trajnerin dhe lojtarët. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar Galiani, i cili ka theksuar se Berluskoni priste më shumë nga Milani. “Presidenti ka kërkuar presing të madh, dhe më shumë pasime, - ka deklaruar Galiani. Ai priste një lojë më shumë sulmuese nga Alegri.” Pas largimit misterioz, Berluskoni ka shkuar tek pankina e Barcelonës, ku ka përqafuar trajnerin mik Pep Guardiola. Në atë moment nuk është kuptuar se çfarë i ka thënë Guardiolës, por më pas Berluskoni ka sqaruar gjithçka, duke u shprehur: “I kam thënë Guardiolës se e admiroj lojën e Barcelonës. Kemi krenar që kemi marrë një rezultat të mirë kundër tyre. Milan? Kam diçka për të thënë, por për momentin nuk dua të ndalem më gjatë. Preferoj që të qëndroj pa fjalë.”

Fusha dhe gjyqtari, përgjegjësitë për Barçën

Menjëherë pas ndeshjes kundër Milanit, të përfunduar pa gola, skuadra e Barcelonës është hedhur e tëra në sulm, me anë të shtypit spanjoll, me ankesa të rëndomta për fushën e paspërkatur të “San Siros”, dhe gjyqtarin e ndeshjes, Jonas Erikson. Thuhet se një natë para këtij takimi, katalanasit i kanë bërë një ankesë UEFA-s për terrenin e rënduar të stadiumit milanez, gjithashtu ata kërkonin nga ky organizëm, që të mereshin masat edhe për spërkatjen me ujë të fushës, nga ana e përgjegjësve të stadiumit. Për hir të së vërtetës deri tani nuk ka asnjë ankesë zyrtare, të paktën sipas zëdhënësit të UEFA-s, kështu që klubi italian nuk rrezikon asgjë. Madje organizata qeverisëse e futbollit evropian, ka bërë të ditur se ajo nuk ka marrë ankesë as për gjyqtarin e takimit. Pra edhe nëse shtypi spanjoll këto ankesa i bën si reale, ato natyrisht nuk janë marrë parasysh, as nga drejtuesit e UEFA-s dhe as nga drejtuesit e klubit të Milanit. Por, ajo që të bën përshtypje janë veprimet prej “qaramanësh”, që po e karakterizojnë skuadrën e Barcelonës kohët e fundit. Megjithëse fusha e stadiumit “San Siro” nuk është një fushë për t’u lavdëruar, gjithashtu gjyqtari i ndeshjes në pjesën e parë edhe pse mund të kishte dhënë një penallti për Sançez, në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se këto kanë ndikuar në rezultatin e Barcelonës. Skuadra katalanase, po të kishte pak klas, mund të mendonte se fusha e stadiumit ishte e njëjtë si për të e si për një skuadër teknike si ajo e Milanit, gjithashtu kjo është e njëjta fushë në të cilën Barça fitoi në ndeshjen e grupit, me rezultatin 3:2, vetëm pak muaj më parë. Po ashtu edhe për gjyqtarin e ndeshjes Barcelona ka shprehur rezervat e saj. Në llogaritë e skuadrës katalanase mungojnë dy penallti, por nuk pranohet se si Sançez ashtu dhe Ksavi Hernandez mund të ishin treguar më të mprehtë dhe të realizonin golat përpara kontakteve. Tashmë dihet se skuadrat italiane mbrohen shumë dhe ashpër dhe se mbrojtësi Antonini ka qenë në gatishmëri të plotë në disa raste të rrezikshme, por kjo nuk mund të jetë një akuzë për këto skuadra të cilat kanë dëshirë të njëjtë për të fituar si skuadrat e tjera. Por, ajo që të vjen më shumë keq, është kur dëgjon mënyrën e egër dhe të pafytyrë, me të cilën Barçelona ankohet ndaj të gjithëve. Kjo skuadër harron, por jo gjithë të tjerët, vendimet e gjyqtarit të famshëm norvegjez Ovrebo, i cili në vitin 2009-të i bëri një nder asaj, në ndeshjen kundër Çelsit në gjysëm finalen e Ligës së Kampioneve. Po ashtu një vit më pas, në gjysmëfinalen kundër Interit, gjyqtari Hauard Ueb i bën një nder akoma më të madh Barcelonës dhe natyrisht një padrejtësi për të ardhur keq skuadrës italiane. Ueb do të nxirrte jashtë loje mesfushorin Tiago Mota, pas një loje të shkëlqyer teatrale të “Kuku” Buskets, duke e lënë Interin me një lojtar më pak, në një takim për jetë a vdekje në stadiumin “Kamp Nou”. Duke folur për ndeshjen e së mërkurës, Barcelona e ka të vështirë të pranojë faktin se Sedorf dhe Ibra, me gjithë terrenin njësoj të vështirë e të thatë, krijuan mjaft volum, gjithashtu edhe mbrojtësat italian e bënë mirë detyrën e tyre për bllokimin e kundërshtarëve. Po ashtu Barça e ka të pamundur të pranojë se, megjithëse e dominoi takimin, fajin për mos shënimin e golave, në disa raste të pa falshme, e patën sulmuesit e saj dhe jo gjyqtari. Është e qartë nga të gjithë se, kjo skuadër prej 5 a 6 vitesh e deri në këto momente, është duke bërë futbollin më të bukur në botë, por kjo skuadër duhet të mësojë të tregojë një farë klasi në sjelljet dhe deklaratat e saj. Nuk është e mundur që kur gjyqtarët e ndihmojnë, me ose pa dashje, skuadrën e Barcelonës, ajo të bëjë rolin e “Hirushes” së pafajshme, ndërsa kur diçka e vogël nuk shkon, ose nuk i pëlqen asaj, Barça kthehet ne “Jetime” që të gjithë e kanë inat. Nëse skuadra e Barcelonës kërkon të jetë një kampione simpatike e Evropës, ajo nuk duhet të bëjë vetëm një futboll të bukur, por të ketë edhe sjelljen e bukur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›