E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi nderon me tituj këngëtarët e dasmave, mbeten në hije korifenjtë e artit

Presidenti ka dhënë me dhjetëra tituj për artisë të vetëshpallur apo dhe me vlera

Presidenti abuzon me kompetencën e ndarjes së dekoratave, duke vlerësuar njerëz që nuk kanë asnjë lloj kontributi në botës e kulturës artit e më gjerë. Mjafton të hapësh faqen zyrtare të Presidencës dhe ajo që konstaton është një mori titujsh dhe

gradash dhënë personave, emrat e të cilëve janë të panjohur për këdo. Nga ana tjetër është e habitshme fakti sesi mund të lihen në harresë emrat e shquar të fushave të ndryshme të artit por dhe të fushave të tjera të jetës së vendit, të cilët me vite të tëra i kanë dhënë jetë veprave artistike, por dhe veprave të rëndësishme që i takojnë fushave të tjera. Por ajo që është më e turpshme është sesi nëpërmjet këtyre dekoratave barazohen midis tyre persona pa asnjë lloj begraundi artistik, me emrat më të shquar të kulturës dhe artit, ku kontributi disa vjeçar dhe puna e lodhshme për të lënë një vlerë artistike, merr të njëjtën peshë si të një personi që nuk ka dhënë asgjë dhe nuk ka lënë asnjë shenjë në botën e artit. Është e turpshme dhe mjaft ofenduese neglizhenca që tregohet nga ana e kreut të shtetit, i cili mesa duket nuk njeh emrat e artit dhe kulturës së vendit tonë. Zhvlerësimi që i bëhet kontributit të një artisti apo të një tjetër figure që ka dhënë shumë në një fushë të caktuar, duke mos i dhënë asnjë shpërblim për shtimin e vlerave të artit dhe duke e barazuar atë me një person që e kalon jetën e tij duke bërë aheng në ndonjë lokal. Mesa duket kreu i shtetit ka harruar që të dallojë se cilat janë vlerat e vërteta të artit, duke i dhënë merita këngëtarëve të dasmave, të cilët në një farë mënyrë japin një kontribut sado të vogël, duke i shtuar lumturinë një çifti që lidh martesë. Por kjo vlerë nuk mund të krahasohet dhe jo më të barazohet me punën e lodhshme dhe meritat e artistëve apo shumë personaliteteve të njohur shqiptarë. Por më e rëndë është fakti, që kjo medalje që përdoret për të dekoruar këta perona nuk ka asnjë lloj vlere. Artistët që dekorohen supozohet që përveç një vlerësimi shpirtëror, të kenë edhe një fitim material, por në realitet çdo gjë është ndryshe, ku dekorata është thjesht një copë medaljeje e cila nuk shërben për asnjë lloj gjëje. Por aq më keq është kur mendon se kjo medalje barazon dy kategori artistësh me njëri-tjetrin, duke humbur kështu edhe vlerësimin shpirtëror të artistit për punën e bërë. Politika e dekorimeve në këtë institucion për fat të keq po arrin një standard të padëshiruar, duke sjellë në opinion përfundimin se ata që po dekorohen në të shumtën e rasteve nuk e meritojnë. Defekti i madh i dekorimeve nuk fillon te presidenti, por ai fillon tek ato që sjellin propozimet deri tek këshilltari, i cili i servir si personalitete. Nga një vëzhgim i bërë sigurisht që do të vëresh se pikërisht njerëzit që kanë bërë Shqipërinë, dhe kanë dhënë një kontribut të çmuar në fusha të ndryshme të jetës së vendit, kanë qenë më të pavlerësuarit nga ky institucion. Për inat të historisë, ata që e meritojnë dhe ata që nuk e meritojnë kanë shkëmbyer vendet me njëri-tjetrin. Njeriu me vlera e ka të pamundur të vlerësohet, ndërsa një tjetër me dy-tri ndërhyrje miqësie apo këshilltarësh paraqitet si personalitet i madh, njeri i shekullit, etj, për të përfunduar deri tek dekorimi i madh që bën presidenti. Është e pafalshme për institucionin dekoratdhënës të japë vlerësime për individë, të cilët nuk e meritojnë këtë, por që tashmë ata prezantohen si personalitete të fushave të ndryshme, duke u dekoruar për kontributin e çmuar të tyre. Ndërkaq sa i takon artit, sot janë emra të njohur të cilët me të vërtetë e meritojnë të quhen personalitete, që mund të kenë paguar dhe me burgim për atë pjesë të bukur që i kanë sjellë artit, por që janë harruar të vlerësohen, pasi dekorimet për ata që nuk kanë vlera janë primarë në këtë institucion.


Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Premte, 16 Korrik 2010 21:44

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›