Topi në Hungari, pritet të takohet me krerët e shtetit

Kreu i shtetit Bamir Topi i cili ndodhet për një vizitë dy ditore në Hungari pritet të takohet sot me krerët më të lartë të shtetit.
Gjatë ditës së sotme kreu i shtetit do të takohet me Presidentin hungarez Pal Shmit, me kryeministrin Viktor Orban si dhe me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare (Parlamentit), Lazlo Këver.
Temë qendrore e bisedimeve pritet të jetë perspektiva e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare, intensifikimin e investimeve të biznesmenëve hungarezë në sektorë jetikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, si infrastruktura, energjetika, turizmi, etj.
Gjatë qëndrimit të tij në Hungari, Kryetari i Shtetit shqiptar do të vendosë një kurorë në Sheshin e Heronjve të Budapestit dhe më pas, do të zhvillojë gjithashtu një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Republikën e Hungarisë.