Topi ngushëllon familjen e aktores Ferial Alibali

Presidenti Bamir Topi ka ngushëlluar sot familjarët e aktores së njohur, Ferial Alibali e cila u nda nga jeta ditën e djeshme.
“Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, aktores së paharruar të skenës dhe kinematografisë shqiptare, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.
Ai vlerësoi profilin e saj artistik, duke theksuar se rolet e saj vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhëshëm.
“Talenti i Ferialit, që me pesëdhjetë rolet në teatër dhe portretizimet e saj kinematografike përcolli ndjeshmërinë e një artististeje të rrallë, do mbetet i paharruar si për ata që e njohën personalisht, ashtu edhe ata që e admiruan aktrimin e saj kudo nëpër Shqipëri dhe anembanë trevave ku jetojnë shqiptarë. Rolet e saj do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm të artisteve të reja me ndjenjat më të forta të dashurisë për skenën, ekranin dhe artin shqiptar”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.
Duke ndarë dhimbjen me familjarët, Topi shtoi se, të gjithë artdashësit shqiptarë do t’i jenë përjetësisht mirënjohës Ferial Alibalit për veprën e saj dinjitoze si dhe për vlerat njerëzore, që ajo përçoi tek të gjithë ne.