E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi ngushëllon familjen e gjyqtarit të vrarë

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, gjatë vizitës së ngushëllimit në banesën e familjes Konomi, Kreu i Shtetit e njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shprehu dhimbjen e madhe për këtë humbje të rëndë, e cila ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe në mënyrë të veçantë, sistemin gjyqësor.

“Nuk gjej fjalë për t’ju shprehur ngushëllimet e mia, pasi tragjedia është jashtëzakonisht e rëndë. Duke dënuar ashpër këtë akt kriminal e barbar të paprecedent, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj që ta përballoni me forcë këtë moment jashtëzakonisht të vështirë duke ju siguruar njëkohësisht se shteti shqiptar dhe të gjitha strukturat përkatëse të zbatimit të ligjit po punojnë intensivisht për zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë”, u shpreh Presidenti Topi.

Ai iu përgjigj edhe interesimit të mediave të shumta të pranishme duke theksuar: “Erdha të ngushëlloj nga afër familjen Konomi, e cila realisht po përjeton momente të një dhimbjeje shumë të madhe pas humbjes në mënyrë tragjike të birit të saj, Skerdilajdit, ashtu sikurse edhe ju e keni përcjellë. Çdo vrasje është barbare në vetvete, por mënyra e ekzekutimit të gjyqtarit Konomi është një shembull tipik i veprimit të krimit të organizuar, krim me të cilin shteti dhe punonjësit e tij përballen çdo ditë”.

“Përtej ngushëllimit - vijoi Presidenti -, natyrisht që unë inkurajoj të gjithë punonjësit e shtetit. Së pari punonjësit e policisë, ata të drejtësisë, qoftë prokurorët, qoftë gjyqtarët, punonjësit e shërbimeve të tjera, të cilët garantojnë jetën e qytetarit, që të vazhdojnë punën e tyre me vetëmohim. Që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë shumë profesionale, në mënyrë që krimi, jo vetëm të luftohet drejtpërdrejtë, por të parandalohet në veprimet e tij”.

“Gjithë ai solidaritet i shprehur nga kolegët e Skerdilajdit, por edhe nga autoritetet më të larta të shtetit, tregon që ne jemi të gjithë së bashku për të forcuar ligjet e për të forcuar gjithçka që të bëjmë të mundur që jeta e gjyqtarëve, jeta e punonjësve të shtetit, por edhe jeta e qytetarit të thjeshtë, të jetë e garantuar”, përfundoi Presidenti Topi.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-09-11 19:30
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›