E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi ngushëllon familjen e trajnerit Zhega

Presidenti Bamir Topi

Presidenti Bamir Topi ka shprehur sot ngushëllimet dhe dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të shquar dhe trajnerit të paharrueshëm të Kombëtares shqiptare, Medin Zhega.

Topi në mesazhin e bërë publik, i shpreh keqardhjen dhe hidhërimin e thellë familjes për ndarjen nga jeta të Medin Zhegës. Në këto momente fatkeqësie dhe dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të dashur e të pazëvendësueshëm, dëshiroj tju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta, shprehet Topi në letrën e ngushëllimit.

Presidenti tha se, dje u nda nga jeta futbollisti i talentuar dhe trajneri i përkushtuar e i nderuar, i cili ia kushtoi gjithë jetën me devotshmëri e profesionalizëm sportit dhe edukimit e drejtimit të brezave të rinj të futbollistëve, duke mbetur i gdhendur përjetë në kujtesën tonë për vlerat e tij të rralla njerëzore e qytetare, si dhe për talentin mjeshtëror dhe dijet e vlefshme sportive, me të cilat drejtoi me dinjitet e krenari Kombëtaren tonë të futbollit.

I bindur se Dini dhe jeta e vepra e tij do të mbeten gjithnjë mes nesh dhe se mirënjohja dhe respekti për të nuk do të shuhen kurrë duke e vlerësuar jo vetëm si një futbollist virtuoz, si një njeri zemërgjerë dhe shembull për të gjithë ne që kemi patur fatin ta njohim nga afër e të përjetojmë me të momente të veçanta e mbresëlënëse, duke duartrokitur e vlerësuar dhuntitë dhe vlerat e tij njerëzore dhe sportive, edhe një herë më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme,  kështu është shprehur presidenti në fund të letrës ngushëlluese për familjen Zhega. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›