E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret Drejtorin për Çështjet e Sigurisë në NATO

“Pas anëtarësimit në Aleancën më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë klasa politike, institucionet dhe shoqëria shqiptare janë të ndërgjegjshme për përgjegjësitë në rritje dhe për përkushtimin në realizimin me standarde të angazhimeve që kërkon përkatësia euro-atlantike. Ky është fillimi i punës së vërtetë në cilësinë e një kontribuesi të mirëfilltë, aktiv e të përgjegjshëm, në cilësinë e anëtarit të barabartë mes të barabartëve”, - nënvizoi gjatë bisedës Kryetari i Shtetit.

Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme disavjeçare që NOS-i i ka dhënë ushtrisë shqiptare dhe shërbimeve të zbulimit për ngritjen, përmirësimin dhe përsosjen e sistemit të komunikimit, të sigurisë e të klasifikimit të informacionit, në përputhje me standardet e NATO-s.

“Shqipëria mbështet dhe vlerëson lart politikën e dyerve të hapura të Aleancës në drejtim të demokracive që dëshirojnë dhe janë të afta të marrin përgjegjësitë dhe detyrimet e anëtarësimit”,tha Topi, duke u ndalur në faktin se përvoja po tregon se zgjerimi ka kontribuar jo vetëm në rritjen e sigurisë në zonën euro-atlantike dhe më gjerë, por ka shërbyer edhe si një model në rrugën e zhvillimit të vendeve të ndryshme.

Nga ana e tij, Drejtorin për Çështjet e Sigurisë në NATO, Majkëll T. Evanof vlerësoi lart kontributin e vendit tonë në funksion të rritjes së sigurisë rajonale duke e quajtur “Shqipërinë, vend udhëheqës në Ballkan në këtë drejtim” dhe në linjën e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe bashkëpunimin shumë të vlefshëm e të frutshëm me institucionet dhe strukturat shqiptare në kuadër të Aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë.

Zoti Evanof, i cili është edhe këshilltari i drejpërdrejtë i sigurisë i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, theksoi se: “Shqipëria, edhe pse një anëtare e re e NATO-s ka dëshmuar ndërkohë një pjekuri të rrallë që shkon përtej viteve të anëtarësimit të saj”.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›