E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi pret delegacionin e Partisë Komuniste të Kinës



Presidenti Bamir Topi priti sot paradite një delegacion të Partisë Komuniste të Kinës, të kryesuar nga zoti Liu Janshan, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.
Presidenti Topi vuri në dukje dhe nënvizoi marrëdhëniet miqësore dhe shumë të mira dypalëshe në të gjitha fushat që kanë karakterizuar tradicionalisht lidhjet mes Shqipërisë dhe Kinës. Kreu i shtetit shqiptar shprehu vlerësimin dhe vullnetin e Shqipërisë për t'i forcuar dhe zgjeruar edhe më tej këto marrëdhënie në të ardhmen në fushat e turizmit, kulturës, mjekësisë, informimit dhe të medias, dhe veçanërisht në fushën ekonomike, ku Kina prej disa dekadash po shënon një rritje të vazhdueshme e të lavdërueshme duke u shndërruar në një nga vendet ekonomike më të fuqishme të botës.

Nga ana e tij zoti Liu Janshan solli në vëmendje kontributin e çmuar historik të Shqipërisë për anëtarësimin e Kinës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Topi shprehu nevojën e rritjes së hartës gjeografike të njohjeve për shtetin e ri të Kosovës, ku Kina si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit mund të luajë një rol konstruktiv dhe përcaktues në të ardhmen.

Në takim ishin të pranishëm edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri dhe Ambasadori i R.P.K në Tiranë, zoti Uang Junling.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›