E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi pret kreun e Kushtetueses, Enver Hasani

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, priti sot në mesditë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi me përfaqësuesin më të lartë të drejtësisë së Kosovës, presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e konsolidimit të një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm e profesional e të painfluencuar nga trysnitë politike apo ekonomike.

Presidenti Topi, gjatë këtij takimi, vlerësoi lart rolin e rëndësishëm ligjor dhe konstruktiv të Gjykatës Kushtetuese të Shtetit të Kosovës dhe theksoi “rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes institucioneve ligjore të të dyja vendeve tona në përpjekje për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës sipas standardeve më bashkëkohore evropiane”.

Në këtë kuadër, presidenti Topi dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, vunë në pah rëndësinë e hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete të gjykatave kushtetuese respektive dhe marrëveshjeve të ndryshme në fushën e drejtësisë mes dy vendeve tona.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, i shprehu mirënjohjen presidentit Topi për pritjen e rezervuar, duke e siguruar se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të rrisë e të zgjerojë bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe do të punojë akoma më shumë në drejtim të forcimit të institucioneve ligjore dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›