Plumba pelegrines së Kishës së Laçit, kapet 17-vjeçari
Në kërkim bashkëpunëtori. Tentuan ti rrëmbenin paratë 30-vjeçares.
Plagosja e 30-vjeçares Blerta Islami 3 ditë më parë gjatë rrugës për në Kishën e Laçit ka pasur si qëllim grabitjen, duke mbyllur hipotezat e shumta të ngritura për këtë ngjarje. Megjithëse fillimisht u deklarua se ngjarja nuk kishte lidhje me ndonjë grabitje të mundshme, pasi mjeti me të cilën udhëtonte e plagosura ndodhej pas disa mjeteve të tjera, arrestimi i njërit prej autorëve ka bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të saj. Pas hetimeve të kryera gjatë këtyre ditëve, Policia e Kurbinit ka mundur të vërë në pranga si të dyshuar për ngjarjen një minoren, ndërsa ka shpallur në kërkim një bashkëmoshatar të të ndaluarit, si bashkëpunëtor në këtë vepër penale. Adoleshenti me iniciale D.SH., 17 vjeç, nga qyteti i Laçit, është vënë në prangat e policisë, ndërsa po punohet për të arrestuar edhe autorin e dytë të kësaj ngjarjeje. Burime nga Policia e Lezhës kanë bërë të ditur se dy minorenët kanë pasur si qëllim grabitjen e Islamajt, e cila udhëtonte së bashku me dy shoqet e saj në drejtim të Kishës së Shën Ndout në Laç për pelegrinazh. Po sipas burimeve policore, janë mbledhur prova të mjaftueshme që implikojnë në këtë incident dy minorenët, ndërsa zbulimi i tyre ka ardhur pas hetimeve intensive dhe paraqitjes që u kishin bërë autorëve 30-vjeçarja e plagosur dhe dy shoqet e saj. Përcaktimi i disa të dhënave mbi autorët e mundshëm, ka bërë që uniformat blu të Drejtorisë së Policisë në Lezhë të kalojnë në sitën e tyre të gjithë personat e skeduar dhe me prirje për të kryer vepra të tilla. 17-vjeçari është arrestuar në banesën e tij dhe gjatë deponimit në polici ka saktësuar edhe motivin e plagosjes së 30-vjeçares Blerta Islamaj. Sipas tij, e reja, e cila ishte pasagjere në pjesën e pasme të makinës, nuk i është bindur për dorëzimin e parave, çka bëri që ta qëllonin atë disa herë me pistoletë. Nga hetimet e kryera për këtë ngjarje ka rezultuar se 3 femrat, të cilat udhëtonin të vetme në një autoveturë, ishin pikasur nga dy adoleshentët dhe u kishin zënë pritë në një pjesë të segmentit rrugor që nuk është i populluar, gjë e cila u ka dhënë mundësi atyre për të vepruar. Megjithëse 17-vjeçari, tashmë i ndaluar nga policia, dhe shoku i tij kishin parë se në drejtimin e tyre nuk po vinte vetëm viktima e përcaktuar për grabitje, por edhe disa mjete te tjera, ata kanë manovruar për të bërë shkëputjen mes 3 mjeteve që udhëtonin paralelisht. Plani i dy adoleshentëve nuk ka funksionuar siç pritej, pasi janë përballur me rezistencën e 30-vjeçares Islamaj, gjë e cila më pas ka sjellë përdorimin e armës dhe plagosjen e vajzës nga Gjirokastra.