Vorë-Tiranë, merr flakë makina e biznesmenit pas daljes nga parkimi

Foto ilustruese
Tiranë – Një automjet luksoz është përfshirë nga flakët mesditën e djeshme në afërsi të Vorës, në autostradën Tiranë – Durrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në vendin e quajtur Kato Vora, ku ka qenë e parkuar për disa orë makina tip Mercedez Rexhina, me targë TR 5155 P, në pronësi të biznesmenit Arben Subashi, nga Marikaj. Në momentin që Subashi ka hipur në makinë dhe e ka ndezur për tu larguar nga vendi ku kishte parkuar, në drejtim të Marikajt, ku ka në pronësi edhe një qendër tregtare, makina është përfshirë nga flakët. Policia tha se kur shtetasi Arben Subashi ka parë tymin që dilte nga kofona e mjetit, menjëherë ka ndaluar dhe ka zbritur nga makina, që më pas është përfshirë e gjitha nga flakët. Ai ka lajmëruar menjëherë policinë dhe zjarrfikëset, pa kuptuar se çfarë kishte ndodhur, edhe pse ishte i vetëdijshëm që automjeti i tij kishte një defekt, që ende nuk ia kishte riparuar. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Postës së Policisë së Vorës, si dhe një makinë zjarrfikëse, që ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Burimet thanë se në momentin e ngjarjes, biznesmeni Arben Subashi ndodhej vetëm në makinë, por duke qenë se ka zbritur në kohë, ka arritur tu shpëtojë flakëve, duke mos pësuar asnjë dëmtim. Ngjarja është mbyllur vetëm me dëme materiale, pasi makina është djegur tërësisht. Sipas ekspertëve që kanë bërë këqyrjen e mjetit, rezulton që zjarri është shkaktuar nga një rrjedhje që ka pasur bateria e konsumuar e makinës, e ndikuar edhe nga temperaturat e larta. Në vendin ku ndodhej bateria e automjetit është zbuluar edhe vatra e zjarrit. Fillimisht ka marrë flakë një pjesë e mbështjellëses së baterisë e më pas, duke qenë se makina ishte me benzinë, ajo është përfshirë e gjitha nga flakët. Paraprakisht grupi hetimor dyshon se ngjarja është aksidentale, nisur edhe nga deklarimet e vetë biznesmenit Subashi. Ai ka deklaruar që ka qenë në dijeni të një defekti që kishte makina, por njëkohësisht nuk ka dyshime për ndonjë zjarr të qëllimshëm, pasi nuk ka probleme me askënd.
Defekti
Burimet nga grupi hetimor i Policisë, i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur me automjetin e biznesmenit, kanë thënë se edhe vetë pronari i makinës ka mohuar konfliktet e mundshme dhe ka pohuar se ishte në dijeni të problemeve me sistemin e baterisë së automjetit.