Topi pritet nga qytetarët në Durrës dhe Kavajë, u uron festat e fundvitit
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Kavajë dhe Durrës për të pritur numrin një të shtetit, që ka mbërritur në këto dy qytete për të uruar festat e fundvitit.
Në Kavajë Presidenti është pritur nga kryetari i Bashkisë, përfaqësues të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe intelektualë.
Ftoj drejtuesit vendorë të respektojnë votën e qytetarëve dhe tu përkushtohen atyre. Në këtë atmosferë festive apeli im shkon për bashkëpunim dhe bashkëveprim mes pushtetit vendor dhe atij qendror në interes të qytetarëve.
Më pas presidenti ishte në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë, ku u ka uruar festat banorëve. Është kënaqësi që takohemi për herë të dytë në këtë atmosferë festive. Kontributi juaj ka qenë shumë i çmuar se keni punuar në një kohë kur shpërbleheshit shumë pak. Nderim për kontributin tuaj, shëndet e paqe për të gjithë, tha Topi.
Më pas Presidenti Bamir Topi ka mbërritur në bashkinë e Durrësit ku është pritur sërish nga qytetarë, kryetari i Bashkisë dhe drejtues vendorë. Urime për festat e fundvitit dhe punë në shërbim të nevojave të qytetarëve, tha Topi.