Lamtumirë paracetamol! Shkak efektet anësore
Lamtumirë paracetamol! Përfundon epoka e përbërësit kryesor të shumë medikamenteve antipiretike, antiinflamatore dhe qetësuese.
Sipas një artikulli të botuar në Nature Communications, i cili ka për autorë një grup studiuesish nga Franca, Suedia dhe Britania e Madhe, tashmë u është hapur rruga kërkimeve që do çojnë në zëvendësimin e paracetamolit me një ilaç të ri, i cili duhet të ketë të njëjtin funksion, por pa efekte anësore.
Një studim i kohëve të fundit e bënte fajtor paracetamolin për shfaqjen e astmës dhe alergjive te fëmijët nën 15 muajsh, ndërsa njihen efektet negative të tij në mëlçi, veshka e palcën kurrizore në rast mbidoze.
Temperatura e lartë, gripi apo dhimbja e kokës na kanë çuar gjithmonë te ilaçet me bazë paracetamolin, por pas 60 vjetësh përdorimi pa e njohur mirë mënyrën e veprimit të kësaj substance, studiuesit kanë identifikuar çelësin që e bën paracetamolin efikas. Ajo është një molekulë e quajtur TRPA1 dhe gjendet në sipërfaqen e qelizave nervore.
Zbulimi është bërë pas një testi të kryer tek minjtë për pragun e dhimbjes. Eksperimenti konsistonte në vëzhgimin e sjelljes së minjve pasi preknin me putër një sipërfaqe të nxehtë. Është vënë re se koha e tërheqjes së putrës nga burimi i nxehtësisë ishte më e gjatë pas përdorimit të paracetamolit, çka vërteton se medikamenti redukton dhimbjen e ardhur nga nxehtësia.
Por studiuesit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata e kanë përsëritur testin, por duke eliminuar proteinën TRPA1 dhe është parë që paracetamoli nuk kishte më asnjë efekt kundër dhimbjes. Për më tepër, ekipi i studiuesve ka zbuluar se përdorimi i paracetamolit nxit formimin e një nënprodukti të quajtur NAPQUI, i cili është përgjegjës për efektet anësore toksike.
Tashmë e kemi kuptuar mekanizmin si funksionon kjo substancë, – shprehet David Anderson, njëri prej autorëve të studimit. Mbi këtë bazë mund të nisim kërkimet për molekula që kryejnë të njëjtin funksion, por janë më pak toksike dhe nuk japin komplikacione serioze në rast mbidozimi.
Pra, horizonte të reja janë hapur për zëvendësimin e paracetamolit dhe duhet veçse të presim, ndërsa bëjmë kujdes me dozat e rekomanduara nga mjeku.
Përgatiti: Gazmira Ndoja