Mustafaj: Ndryshime të thella në qeveri
Deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, tha dje se rasti “Pango” duhet të shërbejë për ndryshime të thella në qeveri. Duke folur në një prononcim për mediat, ish-ministri i jashtëm theksoi se para elektoratit duhet të dalë një ekip i ri nga PD-ja. “Natyrisht që kjo është një ngjarje e shëmtuar dhe e dënueshme për të gjithë. Por do të doja të tërhiqja vëmendjen e Berishës në një aspekt tjetër: Është në të drejtën e tij kushtetuese dhe detyrimin politik si kryetar i qeverisë të përfitojë nga ky rast për të bërë një operacion të thellë në qeveri, në mënyrë që të shfaqë para shqiptarëve ekipin e ri fitues për zgjedhjet e ardhshme, që do të jetë ekipi që do të udhëheqë shqiptarët në katër vitet e ardhshme”, theksoi Mustafaj. Sipas tij, “kjo është mënyra e vetme për të përmirësuar imazhin, duke treguar se Partia Demokratike ka energji të mëdha qeverisëse dhe është e aftë të çojë deri në fund reformat e modernizimit të Shqipërisë”.