Topi shpreh hidhërimin për humbjen e shkrimtarit Sabato
Presidenti i Republikës Bamir Topi, pasi mori vesh lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar Ernesto Sabato, shpreh hidhërimin për këtë humbje duke kujtuar edhe lidhjen e veçantë të Sabatos me Shqipërinë.
"Me hidhërim të madh mora lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe personalitetit të shquar argjentinas Ernesto Sabato, i cili mban dekoratën e lartë të shtetit shqiptar, “Nder i Kombit”. Sabato gjithnjë e theksoi lidhjen e tij të gjakut me vendin tonë, ai ishte admirues dhe mbështetës i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Humbja e tij është një humbje e madhe për kulturën botërore, si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë së shekullit XX. Ai përfaqëson një intelektual jokonformist, një personalitet me angazhim të njohur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, një simbol në rezistencën kundër çdo forme të autoritarizmit.
Në këto momente të hidhërimit të thellë, sjellim në mendje vizitën e tij në Tiranë më 1996, takimet e tij të paharruara me intelektualët dhe shkrimtarë shqiptarë, si dhe fjalën e tij emocionuese për origjinën e tij të largët shqiptare, në ceremoninë e marrjes së dekoratës së lartë, “Nder i Kombit" thuhet më tej në deklaratë.