E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takim me Bosch: Mbështetje për zgjidhjen e krizës

Dy ditë para tryezës politike PS-PD për zgjidhjen e krizës politike,
kreu i shtetit Bamir Topi priti sot në një takim ambasadorin e OSBE-së në vendin tonë Robert Bosch. Sipas njoftimit të Presidencës ambasadori Bosch shprehu edhe njëherë vlerësimin për rolin e Presidentit Topi duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare.

Kreu i shtetit shqiptar pasi e falenderoi Ambasadorin Bosch për deklaratën e djeshme mbështetëse ndaj rolit dhe tryezës politike të thirrur nga Presidenti, vlerësoi si shumë të frutshëm e të vlefshëm rolin dhe asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Ditën e djeshme, nëpërmjet një deklarate ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch ka përshëndetur iniciativën e Presidentit Bamir Topi për tryezën PD-PS duke deklaruar se është një hap përpara për zgjidhjen e krizës. "Përshëndes iniciativën e Presidentit Topi për të ulur në tryezë palët politike. Tryeza është një hap përpara për zgjidhjen e krizës politike", thuhej në deklaratë.

Ditën e shtunë, kreu i PS-së Rama dh kryeministri Berisha do të ulen në tryezën e Presidentit të Republikës Bamir Topi për të negociuar për zgjidhjen e krizës politike. Takimi do të zhvillohet në orën 11:00.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›