Berisha kryeparlamentarit malazez: Faleminderit për Kosovën

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Kryeministri Sali Berisha
priti sot në një takim kryetarin e parlamentit të Malit të Zi,
Ranko Krivokapiç, gjatë të cilit të dy personalitetet vlerësuan nivelin e
shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe shprehën bindjen se
projektet e përbashkëta infrastrukturore do të kontribuojnë në zhvillimin e
mëtejshëm të vendeve respektive, si dhe të rajonit në tërësi. Nga ana e tij, kryeministri Berisha vlerësoi
progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke premtuar
mbështetje edhe për anëtarësimin në NATO. Më tej, ai theksoi interesin dhe vëmendjen e
tij të posaçme në forcimin e Malit të Zi si një shtet i pavarur i suksesshëm
dhe me rol të rëndësishëm në rajon.
Berisha nuk harroi ta falënderojë kryetarin e parlamentit
malazez edhe për rolin shumë të rëndësishëm e pozitiv të Malit të Zi në lidhje
me Kosovën, si gjatë luftës, ashtu edhe gjatë procesit të pavarësisë.
Nga ana e tij, Ranko Krivokapiç theksoi
vlerat e përbashkëta morale dhe humanitare të të dy popujve, të shfaqura gjatë
luftës, vendosmërinë e Malit të Zi për tu distancuar nga politika e pastrimit
etnik, të ndjekur në atë luftë si dhe politikën e stabilitetit dhe paqes,
të ndjekur gjatë procesit të pavarësisë së Kosovës, konkretizuar me vendosjen e
marrëdhënieve diplomatike dypalëshe me Kosovën.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha renditi
një sërë projektesh me interes të përbashkët në fushën e turizmit,
infrastrukturës, energjetikës, mbrojtjes së mjedisit etj.
Ai përmendi projektin e thellimit të lumit
Buna, si një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin dhe ambientin.
Po ashtu edhe përmirësimin e pikës së
përbashkët doganore për lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe
shkëmbimit të mallrave.
Takimi u mbyll me sigurimet e përbashkëta për
forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale.
n.e/NOA