E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon Moisiun e Meidanin: Ngërçi dëmton Shqipërinë

 Kryetari i Shtetit, Topi dhe dy ish-presidentët ndanë shqetësimin dhe mendime të përbashkëta se situata e rënduar politike, jo vetëm që dëmton demokracinë në vend dhe institucionet e saj, por vonon ecurinë e reformave të saj gjithëpërfshirëse dhe plotësimin e dymbëdhjetë kërkesave të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Presidenti Topi vlerësoi dy ish-presidentët për angazhimet e tyre publike, “sepse Shqipëria ka nevojë për zëra të fuqishëm qytetarë, për zëra dhe angazhime të pjesës civile e liberale të shoqërisë, që tejkalojnë thirrjet militante të partive politike”.

Në këtë drejtim, të dy ish-presidentët Moisiu dhe Meidani dhe Presidenti Topi theksuan domosdoshmërinë e uljes së tensioneve politike dhe rikthim në normalitet të jetës institucionale, sidomos asaj parlamentare si dhe gjetjen nga ana e partive politike të vullnetit të duhur për kryerjen e reformave të domosdoshme në drejtësi, reformën zgjedhore, miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe konsensus.

 Dy ish-presidentët-sipas zyrës së shtypit të Presidencës-vlerësuan rolin moderator të Topit duke vënë në dukje se “do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme, që përmes komunikimeve me tone të qeta e të matura, vijon të përmbushë misionin e lartë e tepër të rëndësishëm të Kryetarit të Shtetit, duke zbatuar rigorozisht Kushtetutën e Shqipërisë dhe të gjithë kuadrin ligjor”. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-25 11:38
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›