E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon Nobelistin shqiptar Ferid Muradi

TIRANË- Presidenti Topi priti sot Nobelistin me origjinë shqiptare Ferid Muradin si dhe delegacionin që e shoqëronte me rastin e vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Në takim Presidenti shqiptar vlerësoi arritjet e Dr. Muradit në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, të cilat kanë merituar njohjen e bashkësisë së shkencëtarëve dhe mjekëve në mbarë botën. “Një shembull i tillë vullneti dhe vendosmërie profesionale shërben si një model dhe motiv i fortë për punën e mjekëve të rinj”, – u shpreh Presidenti, duke theksuar se jeta dhe vepra e Nobelistit me origjinë shqiptare përbëjnë një nder dhe pikë referimi jo vetëm për të gjithë kombin tonë, por edhe për shkencëtarët shqiptarë dhe më gjerë.

Nga ana e tij, Dr. Muradi falënderoi Presidentin Topi për mikpritjen. Kryetari i Shtetit dhe Nobelisti me origjinë shqiptare theksuan domosdoshmërinë e arsimimit të brezit të ri të shkencëtarëve shqiptarë dhe thellimit të kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e mjekësisë, duke vënë në dukje rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, sigurimet shëndetësore, investimet në këto fusha si dhe përsosja e mëtejshme e kërkimit shkencor.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›