E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon Obamën: Mirënjohje për mbështetjen

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka zhvilluar një vizitë historike në Poloni, nga ku ka lëshuar sërish mesazhin se prioritet i gjithë shqiptarëve mbetet integrimi në Bashkimin Europian, pavarësisht debateve politike në vend. Në fjalimin e tij në ceremoninë e hapjes së Takimit të 17-të të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore, në Kështjellën Mbretërore "Zamek Krolevski", në Varshavë, kreu i shtetit u shpreh besimplotë në mbështetjn e BE-së dhe SHBA-së për të bërë Shqipërinë pjesë të familjes europiane.
 

"Kjo është arsyeja që rritja e demokracisë së brendshme, forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i politikave ekonomike, të cilat çdo ditë vijnë e konsolidohen, bëjnë të mundur që ne të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, do të jetë një moment kohor i afërt. Siç presim dhe kemi besim se gjatë mandatit të saj dhe më tej, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndjekin politikën e afrimit dhe të dyerve të hapura për plotësimin e familjes evropiane me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ka theksuar kreu i shtetit shqiptar.
 

Ndër të tjera në fjalën e tij përshëndetëse Topi ka vënë në dukje edhe arrestimin e të kërkuarit Ratko Mlladiç.
Presidenti i Republikës ka zhvilluar një darkë pune me presidentin e SHBA-së Barak Obama, që dëshmon edhe një herë raportet e mira ndërmjert dy vendeve dhe mbështetjen që shteti më i fuqishëm në botë ka për Shqipërinë.
Presidenti Topi i ka shprehur kreut të Shtëpisë së Bardhë Barak Obama mirënjohjen për përkrahjen e SHBA në demokratizimin dhe integrimin e Shqipërisë.
Nga ana e tij, presidenti i Shteteve të Bashkuara ka vlerësuar realitetin gjeopolitik në Ballkan dhe aspiratat integruese të Shqipërisë e mbarë rajonit.
 

Presidenti Topi ështe takuar edhe me homologen nga Kosova Atifete Jahjaga, duke i uruar asaj përballimin me sukses të shtetit më të ri në Ballkan.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›