E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndregjoni: S’kam aplikuar për Avokatin e Popullit

TIRANE - Partia Socialiste ka zbardhur dje emrat e kandidatëve për Avokatin e Popullit në aplikimin online që ky subjekt ka realizuar së fundmi. Komisioni Përzgjedhës i PS për kandidaturën e Avokatit të Popullit ka regjistruar në fund të afatit për aplikim 33 kandidatura. Ndër emrat që bien në sy janë anëtarja aktuale e KQZ, Dëshira Subashi, ish deputeti i PS, Besnik Dervishi, ish kreu i Avokatit të Popullit, Emir Dobjani apo ish-avokatja e MJAFT në gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, Blerta Kraja. Mes 33 emrave renditen edhe dy ish ambasadorë, Ksenofon Krisafi dhe Qirjako Qirko, respektivisht, ish përfaqësues të Shqipërisë në OKB dhe Hollandë. PS ka bërë të ditur se faza e parë e përzgjedhjes do të mbyllet sot në mbrëmje. “Në fund të shqyrtimit, do përzgjidhet një numër më i vogël kandidaturash që do të ftohen në dëgjesën publike të së hënës datë 12 Dhjetor 2011”, thuhet në njoftimin e PS-së. Partia Demokratike i ka bërë ofertë opozitës të zgjedhë Avokatin e Popullit, por me kushtin që ai të mos ketë patur gjyq politik. Zgjedhja e kreut të këtij institucioni të pavarur kërkon minimalisht 84 vota në Kuvend, pra një votim konsensual. Ndërkohë në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, një prej këtyre kandidatëve, Besim Ndregjoni, sekretar i përgjithshëm i “Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë” ka mohuar që të ketë aplikuar pranë PS-së për të qenë kandidat për postin e Avokatit të Popullit.
Z.Ndregjoni, përse vendosët të aplikoni pranë Partisë Socialiste për të qenë kandidat për Avokatin e Popullit?
Nuk është absolutisht e vërtetë. Unë nuk kam aplikuar.
Emri juaj figuron në listën e kandidatëve të bërë publike nga PS...
Nuk e di kush e ka futur emrin tim në atë listë. Ju garantoj se nuk kam bërë as edhe një lloj aplikimi, qoftë online apo qoftë me dorëzim dokumentash dorazi. E vërteta është që kam zhvilluar thjesht një takim me anëtaren e komisionit përzgjedhës, deputeten, Eglantina Gjermeni, ku i pranishëm ka qenë edhe miku im, Ardian Kati. Dhe vetëm kaq. Emri im është përdorur politikisht në atë listë. Kjo është e vërteta.
Përse u takuat me deputeten e PS-së?
Për hir të së vërtetës më pëlqeu ideja e propozuar nga kreu i PS-së, Edi Rama, sipas të cilit Avokati i Popullit nuk duhet t’iu përkasë partive politike por shoqërisë civile. Sikundër jeni në dijeni unë prej 20 vitesh jam aktivist i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Jam sekretar i përgjithshem i “Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”. Si përfaqësues i kësaj pjese të shoqërisë civile zhvillova një takim me deputeten Gjermeni për të ndarë jo vetëm vlerësimin tim pozitiv për idenë e propozuar nga Rama por edhe për të kërkuar informacione lidhur me procedurën që do ndiqej. Fatkeqësisht biseda ime me të është përdorur politikisht. Aksionet e mia morale dhe emri im po përdoren nga PS në një proces, në të cilin unë ju garantoj se nuk jam përfshirë. Pra e përsëris që nuk kam aplikuar dhe do ju lutesha anëtarëve të komisionit pranë PS-së, që të mos e përdornin emrin tim në këtë procedurë.
Për çfarë arsyesh ju nuk u bëtë pjesë e këtij procesi? Pasi ju thoni se e mbështesni idenë e propozuar nga z.Rama...
Dua t’ju saktësoj. Ideja ka qenë pozitive. Ndaj e mbështeta në fillim. Por gjatë bisedës me znj.Gjermeni mësova se pjesë e këtij procesi, pra shumica e kandidaturave që po shprehnin interes, nuk ishin gjë tjetër veçse figura tërësisht politike. Pra PS po bënte një “show politik”. Dhe në fakt kështu rezultoi pasi po t’i shihni me kujdes kandidaturat ato nuk janë gjë tjetër veçse figura të njohura të PS-së dhe aspak përfaqësues të shoqërisë civile. Si shembuj mund të përmend ish sekretarin e përgjithshëm të qeverisë Nano, ish deputetë të PS-së, përfaqësues të PS-së në KQZ etj. Pra asnjë kandidat nga shoqëria civile por vetëm kandidatura nga PS. Për këtë arsye qysh në fillim e pashë të udhës të mos isha pjesë e këtij “show politik” që po bënte PS-ja.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›