E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon ministrin e Brendshëm kroat

Presidenti

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje ministrin e Brendshëm të Republikës së Kroacisë, Tomislav Karamarko, dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Në fillim të këtij takimi, Kryetari i Shtetit çmoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, të cilat u vunë në dukje dhe gjatë takimit mes Presidentit Topi dhe Presidentit kroat, Josipoviç, në ditën e ceremonisë së inaugurimit të Presidentit kroat në detyrën e tij të re, duke nënvizuar faktin që dialogu politik është në nivelet më të larta. Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës vuri në dukje se “objektivat e përbashkëta të të dy vendeve partnere dhe aleate tashmë në NATO, për anëtarësim në BE, e bëjnë të domosdoshëm zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në shkëmbimin e përvojës, në bashkërendimin e politikave të përbashkëta, si edhe mbështetjen e ndërsjellë në përmbushjen e objektivave strategjikë të të dy vendeve tona”. Në këtë kontekst, Presidenti Topi nënvizoi faktin se “nëpërmjet bashkëpunimit intensiv për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm do të lehtësohej edhe lëvizja e lirë e njerëzve, çka do të nxiste kontaktet mes popujve tanë, si dhe do t’i japë më shumë shtytje intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e turistik”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›