Topi viziton Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes
Presidenti i Republikës, Bamir Topi vizitoi sot paradite Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu” ku u prit me ceremonial zyrtar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major, Xhemal Gjunkshi, Komandanti i KDS-së, Gjeneral Brigade Agim Lala dhe nga Komandanti i Akademisë, Kolonel Perikli Koliqi.Në panelin e zhvilluar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, në prani të ushtarakëve të Forcave Tokësore dhe Detare që marrin pjesë në Kursin e Lartë të Oficerit, Presidenti Topi, duke uruar të gjithë ushtarakët shqiptarë në këtë 99-vjetor të krijimit të Forcave të Armatosura, mbajti një ligjëratë me temë: “Lidershipi dhe ndikimi i tij në menaxhimin e mjedisit të sigurisë. Rasti i Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë” ku theksoi: "Patjetër që ky është një moment shumë i veçantë qoftë për ju, qoftë dhe për mua në këtë komunikim për të diskutuar për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me strategjinë e sigurisë kombëtare. Unë iu përgjigja menjëherë kërkesës suaj gjatë vizitës që ju patët në Presidencë. E prita ftesën me shumë kënaqësi për të zhvilluar një komunikim shumë të natyrshëm mes nesh, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme në një vend demokratik, në një vend që sot është anëtar i NATO-s se sa një ligjëratë të trajtohet në mënyrë të natyrshme, sikurse është dhe filozofia e Aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë se gjërat bëhen së bashku, qoftë ky Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, qoftë ky dhe ushtari më i thjeshtë. Kjo është filozofia që e ndajmë së bashku, kjo është ajo që kemi aspiruar së bashku dhe, mbi të gjitha së bashku do të trajtojmë të gjitha çështjet, qofshin këto të një rëndësie madhore, qofshin ato të një rëndësie sekondare dhe, para se unë të hyj në këtë bisedë të rëndësishme me ju, do të doja t`ju përgëzoja, t`ju përgëzoja, sepse ju gradualisht, por me një ritëm të shpejtë keni demonstruar dhe vazhdoni të demonstroni atë dëshirë të madhe për të qenë sa më të përgatitur, sa më të përditësuar dhe për të qenë realisht denjësisht pranë kolegëve tuaj të vendeve të tjera të NATO-s”. Presidenti Toipi ka theksuar se është shumë I rëndësishëm të merret një azhurnim. “Vërtet juve po kualifikoheni, sipas një kurrikule të përcaktuar mirë, por edhe për titullarët e shtetit, gjithmonë azhornimi me situatën është shumë i rëndësishëm ditë pas dite, sepse ngjarjet zhvillohen në një dinamizëm të tillë që, ndonjëherë e ke të vështirë që ta interpretosh situatën në rast se ti nuk përditësohesh çdo ditë. Ka një politikë, e cila është shprehur edhe në takimet e NATO-s, që vendet e Ballkanit kanë nevojë që të zhvillojnë reformat e tyre të brendshme politike, të stabilizojnë situatën e brendshme politike, të bashkëpunojnë për të pasur një rajon të stabilizuar, ndryshe nga ajo situatë që ky rajon ka pasur deri para një dekade e diçka më shumë. Dhe përgjithësisht, lidershipi politik i vendeve të Ballkanit Perëndimor është deklaruar që dëshiron që të orientohet në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO.” – u shpreh Presidenti Topi”. Duke mbyllur ligjëratën, Kryetari i Shtetit dhe njëkohësisht edhe Komandanti i Përgjithshëm, vuri në dukje: “Unë do të doja që në këtë komunikim, përveç konsideratave të përgjithshme, të thoja që Forcat e Armatosura kanë marrë një dimension totalisht ndryshe nga vite më parë. E kam thënë edhe në takimin me ushtarakë që pata në Presidencë. Sot dimensioni politik, i cili realizohet kryesisht edhe nëpërmjet mbledhjeve, takimeve periodike të përfaqësive parlamentare të delegacioneve që janë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, është dimensioni më i rëndësishëm. Aty trajtohen politika që kanë të bëjnë jo vetëm me vende të NATO-s, por është politika e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që integron gradualisht edhe vende të tjera, të cilat janë, ose të interesuara për të qenë pjesë e këtij Parlamenti të madh, por mund të jenë edhe pjesë e domosdoshme e bashkëpunimit për sigurinë dhe strategjinë e sigurisë në nivel global. Aty ne kemi fituar një eksperiencë të jashtëzakonshme, edhe porsa u përket dimensioneve të tjera që ka ushtria e vendeve të NATO-s, që fillon me shkencën dhe vazhdon me dimensionin politik, me shkencën për teknologjinë, me pjesën e ekonomisë, dhe ajo që është shumë e rëndësishme në ditët e sotme, që ushtria jonë e ka demonstruar në situata shumë të vështira, është dimension me cikël. Unë dëshiroj që ta evidentoj këtë fakt, sepse në situatat më të vështira, ne kemi parë një organizim dhe një motivim të shkëlqyer të Forcave tona të Armatosura, dhe padyshim kanë qenë më të mirët për të përballuar situata të vështira, për t`i dhënë patjetër ndihmën, por mbi të gjitha, për t`u dhënë sigurinë psikologjike banorëve të dëmtuar, apo për profilaksinë e ngjarjeve shumë të rënda. Fatmirësisht, gjithçka e demonstruar ka qenë e suksesshme.