Topi viziton Serbinë, merr pjesë në konferencën për trashëgiminë

Kreu i shtetit Bamir Topi do të zhvillojë sot një vizitë në Serbi për të marrë pjesë në një konferencë rajonale lidhur me trashëgiminë kulturore.
Gjatë vizitës tre ditore në Beograd, kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.
Konferenca me shefat e shteteve të Europës Juglindore do të mbahet më datën 2 shtator në qytetin Viminacijum, ndërsa për këtë vit ajo organizohet nga presidenca serbe.
Kjo konferencë ka të bëjë me ripajtimin dhe trashëgiminë, ndërsa pritet të marrin pjesë të gjithë presidentët e rajonit, duke përjashtuar përfaqësuesit e Kosovës.
Presidenti Topi viziton për herë të parë në cilësinë e presidentit Serbinë pasi një vit më parë kishte refuzuar të ishte pjesë e samitit të presidentëve të Europës Juglindore në Novi Sad, për shkak të mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës në konferenca pasi serbët bojkotonin çdo takim ku ftoheshin përfaqësuesit e Prishtinës.