Fier, hajdutët rrëmbejnë gjelat e detit
FIER – Në prag të festave të nëntorit shpërthejnë vjedhjet në qarkun e Fierit. Banesa, kioska e dyqane kanë rënë pre e grabitësve, dy prej të cilëve janë arrestuar tashmë. Burimet e policisë thanë se Vangjel Xhelili, 18 vjeç, nga Levani është vënë në pranga, pasi kishte vjedhur me thyerje dy kioska në bulevardin kryesor dhe po tentonte të thyente të tretën, kur është pikasur dhe arrestuar nga patrulla e policisë. Ai kishte siguruar nga këto vjedhje një sasi të konsiderueshme lekësh, paketa e karta rimbushëse të telefonave. Nga banorë të zonës së Semanit mësohet se prej afro një jave ka rënë “epidemia” e vjedhjes së banesave, por më së shumti vjedhja e gjelave të detit. Rreth 20 banesa, nga ku janë marrë mbi 700 gjela deti, kanë rënë pre e vjedhësve javën e fundit. Policia ka marrë kallëzimet prej të dëmtuarve, por ende nuk ka arritur që të vërë në pranga vjedhësit e gjelave të detit. Ndërkohë, mëngjesin e së martës, policia e Lushnjës ka vënë në pranga një 25-vjeçar, i cili kishte grabitur në një dyqan elektro-shtëpiakesh. m.r