I sapoliruari nga burgu vret vëllanë
Një krim i rëndë brenda familjes ndodhi dje në Laç, ku vëllai vrau me mjete të forta vëllanë. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 kur viktima, Arben Gjoni tentoi të flasë me Paulin Gjonin, i cili vetëm pak ditë më parë kishte dalë nga burgu. Ai e ka këshilluar të vëllanë të mos i shkaktonte më probleme familjes, por kjo gjë ka irrituar 26-vjeçarin, i cili në sy edhe të familjarëve të tjerë ka sulmuar të vëllanë. Sipas familjarëve, Paulini kishte nisur ta qëllonte me levë në kokë, duke e lënë pa ndjenja Arben Gjonin. Ata e kanë dërguar në spitalin e Laçit 34-vjeçarin e prej andej, për shkak të gjendjes tepër të rëndë viktima u nis me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Por megjithë ndihmën e dhënë, Gjoni ndërroi jetë rreth orës 13:30. Familjarë të viktimës deponuan se Arbeni kishte tentuar t’i fliste të vëllait, që herët në mëngjes, që të mos dilte jashtë dhe të konfrontohej me policinë apo njerëzit e tjerë. Gjithashtu, ai i kishte kërkuar të vëllait, që të mos i sillte probleme të tjera familjes së tyre të varfër, pasi dyshohet se ai vidhte pas daljes nga burgu. Dy vite më parë, Paulini kishte qëlluar me armë mbi policinë e Kurbinit. Vetëm pas tre orësh shkëmbimi zjarri, blutë kishin mundur ta arrestonin atë. Ai ishte dënuar për këtë vepër penale dhe pak ditë më parë kishte dalë nga burgu. Po sipas familjarëve, Paulini, pas daljes nga burgu, kishte shfaqur vazhdimisht simptoma të çrregullimeve nervore, por pa kaluar në agresivitet. Kjo kishte bërë që ata vazhdimisht të shfaqnin kujdes për të, duke i kërkuar të kontrollonte veten dhe të mos konfrontohej me të tjerët. Gjoni kishte qenë njeri problematik në Laç, ndaj familjarët e tij tentuan t’i flisnin në mënyrë që ai të reflektonte mbi të kaluarën e tij. Por kjo tentativë rezultoi fatale, pasi Paulin Gjoni iu përgjigj me sjellje agresive të vëllait, duke e qëlluar atë me mjete të forta, çka i shkaktoi edhe vdekjen. Policia e Kurbinit mbërriti në banesën e autorit dhe e arrestoi atë për veprën penale të “plagosjes së rëndë me pasoja vdekjen”. Sipas burimeve, në momentin e kontaktit me autorin e ngjarjes, ai është paraqitur i qetë. “Një kamikaz më ka qëlluar vëllain në kokë, unë nuk di gjë kush është ai, nuk e njoh”, është shprehur 26-vjeçari para se të prangosej për vrasjen e vëllait të tij, baba i dy fëmijëve. Fillimisht Paulin Gjoni tentoi të kundërshtonte forcat e policisë, por kanë qenë familjarët e tij, që e bindën të riun t’i bindej policisë dhe të largohej nga banesa. Pas mbërritjes në komisariat, Paulin Gjoni pranoi autorësinë e krimit, ndërsa u shfajësua që gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi.