Sistemi Part-time, tarifa të kripura për studentët
zirina llambro
Zbardhet vendimi i Qeverisë për sistemin e studimeve part-time. Veç kuotave për secilën degë, Ministria e Arsimit publikon tarifat e shkollimit. Gjithsej do të pranohen 5,905 studentë. Gazeta publikon të plotë kuotat për secilën degë. Ndërsa ajo që të bie në sy, në krahasim me vitin e kaluar, është se tarifat kanë pësuar rritje kolosale. Madje, po t’i referohesh tabelës ka disnivel në pagesat që do kryhen mes degëve të kërkuara dhe atyre më pak të kërkuara. Por ndërsa pritej që këto raporte të ishin në favor të fakulteteve jo fort të ndjekura, duket se ka ndodhur e kundërta. Tarifat e shkollimit për studimet me kohë të pjesshme variojnë nga 99.000-153.000 lekë(të reja), për të gjithë ata që nuk kanë fituar një shkollë të lartë. Ndërsa për studentët që e kanë një universitet dhe duan të ndjekin një të dytë, pagesat janë jo pak të kripura. Ato shkojnë nga 153.000-360.000 lekë. Çuditërisht më i liri është Fakulteti i Drejtësisë, tarifa e së cilit ka mbetur në kuotën e 99.000 lekëve, për ata që nuk kanë shkollë të lartë. Ndërsa për kandidatët që zotërojnë një tjetër diplomë, tarifa arrin në 270.000 lekë. Rekord mban Universiteti Politeknik. Për të studiuar inxhinieri mekanike të duhet të paguash plot 360.000 lekë. Me këto kosto kandidatët duhet të mendohen mirë përpara se të bëjnë zgjedhjen e tyre, pasi u duhet të paguajnë gati sa në universitetet private. Kjo përmbysje e tarifave ka ardhur pas propozimeve të vetë fakulteteve. Ndërsa qeveria nuk ka pranuar të bëjë rritje të ndjeshme për sistemin e ditës, tek part-time duket se nuk ka mbajtur këtë qëndrim.