E Diel, 1 Nëntor 2026

Toponimet, AP: Të gjendet sa më shpejt zgjidhja, MPJ-ja është indiferente

pasaportaTiranë- Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka raguar sot sa i përket shqetësimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi mbi toponimet në pasaporta, duke i bërë thirrje autoriteteve përkatës për zgjidhjen e këtij problemi. Në një deklaratë zëdhënësja institucionit, ka thënë se AP-ja shpreh shqetësim sepse nga ky problem preken një numër i madh emigrantësh.

Kjo çështje është ngritur dhe diskutuar si një shqetësim i përbashkët edhe në vizitën që Avokati i Popullit pati në Greqi gjatë këtij muaji me homologen e tij, Ombudsmanen e Greqisë znj.Caliope Spanou. Duke analizuar gjerësisht tërësinë e të drejtave që cënon gjendja e krijuar për shkak të pasqyrimit të toponimeve në dokumentet zyrtare të shtetasve shqiptar, të dyja institucionet u bënë thirrje institucioneve kompetente të shteteve respektive për të gjetur sa më shpejt të jetë e mundur zgjidhjen më të përshtatshme, dhe duke theksuar veçanërisht mbrojtjen e interesave legjitim të fëmijëve në këtë rast. Ndjekja konkrete e çështjes nga ana e Avokatit të Popullit ka vazhduar me kërkimin e shpjegimeve nga ana e autoritetit kompetent në vendin tonë, Ministria e Punëve të Jashtme,- tha ajo.

Më tej ajo tha se janë dërguar 3 shkresa të përsëritura për këtë qëllim, nga ana e këtij institucioni dhe është shfaqur mungesë angazhimi dhe transparence për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në vijim Avokati i Popullit i ka drejtuar disa pyetje publike Ministrisë së Jashtme.

Cilat janë shkaqet ligjore që kanë cuar në lindjen dhe bartjen e këtyre problematikave? Cilat janë masat dhe procedurat që po ndiqen aktualisht nga autoritetet shqiptare për shmangien e pengesave në lëvizjen e shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar me shtetin grek për shkak të problematikës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat shqiptare? Cilat janë hapat konkrete të ndërmarrë për standartizimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit të shtetasve shqiptarë, bazuar edhe në Udhërrëfyesit e Toponimeve të Grupit te eksperteve të Kombeve të Bashkuara UNGEGN (United Nations Group of Experts on Geographical Names)? A është ngritur tashmë autoriteti shqiptar për standartizimin e përdorimit të emrave gjeografik në dokumentet zyrtare? Cila është fatura financiare e parashikuar për zgjidhjen përfundimtare të problemit?- përfundoi zëdhënësja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›