PS-ja tërhiqet nga rivotimi në Lezhë: Duhet të çertifikohen zgjedhjet
Tiranë- Partia Socialsite është tërhequr nga nga kërkesa e pak ditëve më parë për rivotim në qarkun e Lezhës. Në një deklaratë për mediat sekretari për çështjet zgjedhore në këtë parti, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se pavarësisht parregullsive në kutitë e rinumëruara, vendi ka nevojë të përfundojë procesin zgjedhor.
Janë mbi 200 nënshkrime të hedhura nga e njëjta dorë në vetëm një qendër votimi dhe këtë e kanë verifikuar ekspertët. Një provë e tillë mjafton për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës, por, të vetëdijshëm për nevojën e vendit për përfundimin e shpejtë të procesit zgjedhor, nuk e bëmë këtë ankimim,- tha ai.
Sa i përket akuzave të kryeministrit për vjedhjen e votave, ai ka thënë se Berisha kërkon të ngrejë alibi, e cila dëmton akoma dhë më shumë imazhin e vendit.
Kundërshtari politik po mundohet të ndërtojë alibinë e vjedhjes së zgjedhjeve dhe kjo alibi vetëm sa dëmton imazhin e Shqipërisë. Në asnjë vend tjetër, përveç Lezhës, nuk është vënë në dyshim rezultati i zgjedhjeve. Jemi të gatshëm edhe për hetim parlamentar të zgjedhjeve, ajo që na u privua ne në katër vitet e shkuara,- vijoi ai.
Në përfundim Gjiknuri ka thënë se të gjitha ata persona që kanë abuzuar me ligjin në zgjedhje do të përballen me drejtësinë. Ai tha se do të bëhet kallzim penal për parregullsi në Laç dhe Mamurras si dhe për parregulsitë e KQZ-së.