E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toro: AKKP është e bllokuar, po zhduket fondi i kompensimit fizik

14/02/2012  Ish-pronarët kërkojnë ndërprerjen e privatizimit dhe rishikimin e mundësive të plotësimit të detyrimeve

“Pronësi dhe Drejtësi” kërkon rishikimin e procesit të privatizimit, pasi jo vetëm që nuk po ecet me plotësimin e detyrimeve të BE-së për pronarët, por po ngarkohen dhe më shumë shqiptarët me këtë kosto. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, shpjegon arsyet se pse kjo shoqatë është kundër parablerjes së pronarëve të objekteve të trojeve apo dhe për privatizimin e pyjeve, siç ka deklaruar Kryeministri. Nga ana tjetër, Toro shprehet dhe në lidhje me arsyet që kanë çuar në vonesat e kthimit dhe kompensimit të pronave për ish-pronarët. Sipas tij, edhe vetë veprimtaria e AKKP-së është e pezulluar dhe për të janë arsyet burokratike, por dhe pamundësitë që ka AKKP-ja, që kanë sjellë bllokimin e këtij procesi.

- Si e shikoni, ligjin e qeverisë për të drejtën e parablerjes së ndërtesave nga pronarët e truallit?

- Pronarëve të objekteve u lind e drejta e parablerjes dhe oborrin funksional të ndërtesës që ata kanë marrë më parë. Por kjo e drejtë nuk u njihet në këtë rast më pronarëve të tokës. Me këtë vendim të ri blerësve të objekteve shtetërore që janë mbi sipërfaqe të pronarëve u janë krijuar sërish privilegje, që kanë të bëjnë me ulje të çmimit kur trualli paguhet me lekë në dorë 20 për qind, por parashikohet dhe pagesa me letra me vlerë.

Por një element i tillë nuk u jep asnjë zgjidhje pronarëve realë. Këtu duhej respektuar e drejta e parablerjes dhe të mos shiteshin ndërtesat apo trojet. Madje, situata përkeqësohet, pasi me uljen e çmimit shkohet në dëm të taksapaguesve, pasi pronarët do të marrin lekët me çmimin e tregut për tokën e shpronësuar, duke krijuar kështu një diferencë mes tokës që blihet nga pronarët e rinj dhe kompensimit që do të bëhet për subjektet e shpronësuara. Pra, këtu kemi paradoksin, pasi privilegjohen për herë të dytë të njëjtët individë, duke u dhënë dhe truallin me lehtësira në pagesë.

- Ndërkohë Kryeministri ka deklaruar se do të privatizohen dhe pyjet, si e keni pritur këtë deklaratë, ndërkohë që ka ende probleme me fondin e kompensimit të AKKP-së?

- Privatizimi i pyjeve bëhet në kohën kur për 60 mijë vendime të AKKP-së janë marrë përsipër të kompensohen ish-pronarët. Pra, burimi i të ardhurave që shteti kërkon të kompensojë pronarët do të zhduket me privatizimin e tyre. Pasi çmimet e tregut për pyjet e kullotat janë më të ulëta se tokat bujqësore, ndaj dhe me këto para nga privatizimet nuk do të ketë zgjidhje. Por do të ishte më mirë si kompensim fizik, sidomos në zonat bregdetare, pasi pyjet në bregdet kanë dhe vlerën turistike, sepse kanë si prioritet zhvillimin turistik. Pra, kur po largohen nga pronësia pyjet dhe kullotat, shteti nuk do të ketë më mundësi të zbatojë detyrimet. Unë do të ftoja AKPP-në të bëjë publik detyrimin financiar që ka shteti për vendimmarrjet që janë marrë nga 93 deri më sot. Nga ana tjetër, vetë AKKP-ja është e bllokuar dhe jashtë loje dhe jemi në një situatë paradoksale. Nëse ligji të kthen pronën, AKKP-ja nuk e zbaton dot, pasi me ligj e ka të prerë mundësinë për kthim fizik. Pra, nëse u shkrinë agjencitë në qarqe dhe u përqendruan në qendër, u tha se deri më 2011 AKKP-ja do të merrte vendime për të gjitha dosjet. Praktika tregoi se për këta 3 vjet nuk u arrit qëllimi i ngarkuar nga ligji.

- Pse vazhdon të vonohet procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave?

- Dy arsye: e para, për arsye burokratike, pra nuk merrej dot vendimmarrja për disa shkaqe të ndryshme, që kanë të bëjnë me afatet dhe hapat që duhen ndjekur; së dyti, dhe vetë AKKP-ja e ka të pamundur realizimin e detyrës. Ka shumë pak personel, pra 100 veta, dhe e ndarë në dy sektorë. Dhe nuk ka mjete të nevojshme për të verifikuar në terren pronën. Me ligj për një vendim duhet të merret informacion në terren. Dhe me një apo dy makina që ka AKKP-ja nuk mund të ndiqet në terren. Flitet për një shtyrje që nuk ka ndodhur dhe askush nuk e di sa do të jetë. Ne mendojmë se duhet një analizë për shkaqet që nuk arritën këtë zgjidhje, në mënyrë që pas një viti të mos jemi në të njëjtën situatë. Duke kërkuar, ashtu si dhe për ALUIZNI-n, të rritet numri i punonjësve dhe infrastruktura, pra mjetet e punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›