E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia e Danielit, 3-vjeçari që i lidhur me celularët

14/02/2012  Qendra për Autizmin, 40 fëmijë kërkojnë në trajtim. Kërkohet mbështetje nga biznesi

ELBASAN- Danieli është një fëmijë autik 3-vjeçar. Ai trajtohet nga terapistet e qendrës “Fluturo për jetën” në Elbasan. Vështirësitë e këtij fëmije janë të mëdha. Ndërsa hyn në qendër me ambientet më të përsosura të trajtimit që Elbasani ka njohur ndonjëherë e gjen në një nga dhomat me terapisten e tij. Sapo të shikon nxiton të të marrë gjënë e parë që t’i ke në dorë, celularin duke insistuar për ta pasur. Ai është i fiksuar mbas celularëve dhe ulërin derisa ta ketë në duar. Sapo e merr në dorë, terapistja i thotë që t’ia kthejë celularin dhe ai e lë në duart e saj. Për këtë veprim është dashur një muaj punë, përpjekje, vështirësi, durim. E bërtitura e një fëmijë autik është sinjali i parë që bën të kuptosh se komunikimi për të është i vështirë. Një pjesë e fëmijëve autikë ka një prirje të veçantë madje disa prej tyre janë fenomenalë.

Qendra

Në këtë qendër të hapur vetëm dy muaj më parë numri i fëmijëve sa vjen e shtohet. Blerina Boçi, koordinatore e kësaj qendre, thotë se janë regjistruar rreth 34 fëmijë, ndërsa në terapi janë 19 prej tyre. Autikët në qendrën “Fluturo për jetën” marrin vetëm trajtimin pasi vlerësimi fillestar dhe i vazhdueshëm bëhet në Tiranë nga mjekët specialistë. Kjo qendër e mbështetur nga Fondacioni Fëmijët Shqiptarë për hapjen, trajnimin dhe specializimin e stafit të saj, vazhdon falë një donacioni mujor të Kurum për energjinë, qiranë dhe ujin, ndërkohë që janë prindërit që paguajnë një pjesë të trajtimit me terapi për të mbuluar pagesën e specialistëve. Pra, qendra e fëmijëve autik në Elbasan është me vetëfinancim dhe prindërit janë të detyruar të paguajnë kjo e lidhur me situatën ekonomike të familjeve. “Shumë prindër të fëmijëve autik në Elbasan nuk kanë shumë mundësi të paguajnë seancat e trajtimit dhe në pjesën më të madhe paguajnë gjysmën e shumës mujore duke vërtetuar edhe gjendjen e tyre ekonomike me anë të vërtetimeve të ndryshme. Ka edhe familje shumë të varfra që për shkak të mungesës së parave nuk bëjnë edhe vlerësimin fillestar në Tiranë tek mjekët specialistë, gjë që i hap rrugë më pas trajtimit në qendrën tonë megjithëse nuk kushton shumë”.

Ndihmë për fëmijët

Ndërkohë lidhur me trajtimin që ofron kjo qendër Boçi thotë se janë 5 terapiste mes të cilave edhe një lokopediste për problemet e komunikimit që merren me trajtimin e fëmijëve autikë në Elbasan. “Terapistet tona janë specializuar në Tiranë dhe jashtë vendit nëpërmjet fondacionit Fëmijët Shqiptarë. Ne kemi në dispozicion ambjente që i shërbejnë rikuperimit të fëmijëve, duke nisur nga lodrat që përdoren si shpërblime materiale për fëmijët pas një veprimi të mësuar dhe një shenje komunikimi. Rikuperimi është i gjatë dhe i vështirë dhe kërkon shumë durim nga ana e prindërve dhe të gjithëve ne, por e rëndësishme është që një fëmijë autik të kapet sa më parë të jetë e mundur, pasi kështu një fëmijë ka më shumë mundësi rikuperimi të komunikimit sesa në një moshë tjetër. Qendra jonë trajton fëmijët nga 2-6 vjeç sepse terapistët tanë janë të profilizuar për këtë grupmoshë me një program të njohur si programi Aba për këtë moshë dhe që ka pasur rezultat”. Koordinatorja e kësaj qendre shpjegon se autizmi ka përhapje edhe në fshatra, por nga mungesa e informacionit dhe niveli social fëmijët autikë në fshatra janë të braktisur. “Ne kemi në program informimin në zonat rurale, trajnime me mësues, me prindër, informim nëpërmjet qendrave shëndetësore që të gjithë të kenë informacion mbi autizmin dhe të bëjnë të mundur që së bashku të ndërhyjmë në kohë për t’i ardhur në ndihmë një fëmije autik. Por për këtë kemi nevojë për ndihmë. Sikur një biznes i fuqishëm të adoptonte një fëmijë autik duke i paguar shpenzimin mujor për trajtimin e tij, atëherë të gjithë do të kenë shansin për të rikuperuar nëpërmjet terapisë. Prandaj ne i bëjmë thirrje të gjithë komunitetit të ndihmojë sadopak një fëmijë autik. Kjo sëmundje nuk ka ende një shkak të qartë dhe mund t’i qëllojë secilit prej nesh prandaj askush nuk është i përjashtuar”. Qendra “Fluturo për Jetën” ndodhet në rrugën e Re të Trenit dhe pas dy muajsh nga hapja i ka ardhur në ndihmë shumë prindërve, të cilët përballen me vështirësinë më të madhe të jetës, autizmin që kërkon përfshirjen e të gjithëve për të arritur sukses.

Qarku e merr në administrim

Këshilli i Qarkut do të administrojë Qendrën e Autizmit në Elbasan. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Eugen Isaj, tha se për marrjen në administrim të kësaj qendre që do të mblidhet Këshilli i Qarkut dhe do të vendoset për kalimin e kësaj qendre në varësi të tij. Kjo do të bëhet për ta mbajtur në funksion këtë qendër që do t’i shërbejë të gjithë fëmijëve me probleme në qarkun e Elbasanit dhe për këtë arsye do të funksionojë në mënyrë institucionale. Ai tha gjithashtu se do të kërkohen donatorë për këtë qendër, e cila është mjaft e rëndësishme pasi i shërben rasteve gjithmonë e në rritje me këtë sëmundje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›