Toro: Pas draftit për tokat djerrë, qëndrojnë investitorët e huaj
Sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi më Drejtësi", Agim Toro, argumenton qëllimin e vërtetë të hartimit të draftit për tokat djerrë. Ai i jep përgjigje edhe fenomenit se pse nuk punohet toka në Shqipëri.
TIRANË - Në mbledhjen e fundit të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha i kërkoi vartësit të tij, Jemin Gjana, që brenda muajit gusht të sillte në qeveri draftin për kalimin e tokave djerrë në fondin e komunave, me qëllim nxitjen e punimit të tokës.
Por, sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, në një intervistë për gazetën "Shekulli", shprehet se qëllimi për hartimin e këtij drafti, duhet gjetur gjetkë. Toro argumenton se, sipas ligjeve aktualë, investitorë të huaj nuk mund të blejnë tokë bujqësore, por vetëm tokë truall.
Por, miratimi i një drafti të tillë, do t'i hapte rrugë kësaj kategorie, për të blerë tokë bujqësore, pasi në ligjin për turizmin thuhet ndër nene se, në qoftë se vlera e investimit e kalon vlerën e tokës, atëherë, ai që investon ka të drejtë që ta blejë tokën.
Për këtë arsye, Agim Toro druhet se qëllimi i vërtetë nuk është për të punuar tokën, por për t'u kaluar toka (veçanërisht në zona turistike) atyre njerëzve, që kanë interesa ekonomike. "Sot, të huajve nuk u lejohen që të blejnë tokë bujqësore, sepse e ka të ndaluar ligji për shitblerjen e tokës.
Vetëm tokë-truall mund të blejnë. Nëse do të lejohet të blihet tokë bujqësore, atëherë të jeni të bindur se ky agresivitet do të jetë shumë i madh dhe duke marrë tokë me qira, realizojnë investime që do të kalojnë vlerën e tokës",- tha Toro.
Edhe ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, e preku pak këtë çështje në konferencën e fundit për shtyp, teksa u shpreh ndër të tjera se, një pjesë e pronarëve të tokave preferojnë që tokat e tyre t'ua shesin kompanive të ndërtimit, investitorëve, të cilët synojnë t'i marrin për të investuar.
Z. Toro, Kryeministri Sali Berisha kërkoi pak ditë më parë hartimin e një drafti për kalimin e tokave djerrë në fondin e komunave, me qëllim nxitjen e punimit të tokës. Në fakt, pse nuk punohet toka në Shqipëri dhe a ju duket ligjor një propozim i tillë?
Unë dua të ndalem pak në këtë çështje dhe pikërisht tek pyetja e parë, se pse nuk punohet toka në Shqipëri. Askush nuk i ka bërë një analizë kësaj çështjeje. Edhe z. Gjana, që e dëgjova, ishte shume konfuz në analizën e tij.
Në ligjin 7501, që është edhe ligji i parë i pronës, thuhet se kush nuk e punon tokën për një vit, i merret toka. Kjo është baza, ndoshta, që shteti mendon se i jep të drejtë vetes për të vepruar.
Po unë do të shtroja problemin se, a ka dështuar reforma në bujqësi apo jo. Pse nuk punohet toka? Unë mendoj se rruga e reformës në bujqësi, ka 19 vjet që ka kaluar në disa shtigje të rëndësishme.
Nga viti '90-të deri në '95-ën, iu shpërnda toka fshatarëve, por ata, pavarësisht se e morën tokën, nuk e quajtën veten pronarë, sepse mentaliteti shqiptarë e ka të ngulitur të drejtën e pronësisë.
Nuk u harrua pronësia për 45-50 vjet dhe tani sërish nuk është harruar nga askush. Dhe ai nuk zgjodhi rrugën për të punuar tokën, që të përmirësonte nivelin e tij të jetesës, por zgjodhi një rrugë tjetër, emigracionin, dhe fshatari vajti e punoi tokat greke dhe italiane, por jo tokat e veta.
Cila është arsyeja sipas jush?
Arsyeja është se jo vetëm që nuk ishte i garantuar në titullin e vet të pronësisë, por edhe mënyra se si u zbatua kjo reformë, ishte jashtë çdo lloj standardi kapitalist. 560 mijë ha tokë u ndanë me ligjin 7501 apo me ligjet e tjerë të tokës bujqësore, dhe kjo u nda në 2 milionë e 400 mijë ngastra, që i morën 400 mijë familjet, që banonin në fshat.
Pra, çdo familje, atë 1.3 ha tokë, që i takonte mesatarisht në rang republike, e kishe të ndarë në 6 ngastra. Që do të thotë se nuk mundet dot që të krijoheshin fermat kapitaliste.
Unë do t'u jap një shifër që është shumë interesante. Në regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike-bujqësore të realizuar në Shqipëri, në vitin '98, rezultuan të dhëna shumë interesante.
Toka bujqësore punohej në 51% të sipërfaqes së saj. Nga kjo tokë që punohej, vetëm 50% punohej me mjete të mekanizuara, 23% punohej me kafshë pune dhe 26% e asaj toke punohej me krahë. Ky është turp, që në këtë kohë, në Shqipëri toka ende punohet me krahë.
Pse ndodh ky fenomen?
Kjo është pasojë e ngastrave shumë të vogla të tokës, ku nuk mund të futen mjetet e mekanizuara, dhe ku nuk futeshin dot as kafshët e punës.
Dhe me këtë mënyrë të punuari toke, nuk mundet që të ketë rezultat bujqësia jonë, sepse kostot e prodhimit të produkteve bujqësore janë jashtëzakonisht të larta. Këto janë arsyet kryesore se pse nuk punohet toka në Shqipëri, sepse edhe ato parcela që mbillen, mbillen vetëm për ekonominë ndihmëse, që ka fshatari, kurse të tjera ai nuk mbjell. Pas vitit '95, ndodhi një fenomen tjetër.
Dyert e emigracionit u mbyllën dhe nuk mund të emigrohej më siç emigrohej më parë. Së dyti, emigrantët shqiptare jashtë Shqipërisë, që punonin tokat greke dhe italiane dhe jo tokat e tyre, filluan të sillnin të ardhurat e tyre në Shqipëri dhe fshatari synonte që të përmirësonte nivelin e tij të jetës në vendin e tij.
Por, sërish këtë nivel jetese nuk e gjeti duke punuar tokën, sepse nuk mund të krijonte fermat kapitaliste me këtë lloj shpërndarjeje apo katrahure që ishte bërë në bujqësi.
Dhe ai e gjeti rrugën, duke emigruar kësaj here brenda territorit shqiptar dhe me përkrahjen e politikës dhe të politikanëve shqiptarë, që ishin në pushtet: zaptoi tokat e të tjerëve.
Kemi 500 mijë ndërtime pa leje dhe sipas të dhënave që jep ALUIZNI, rreth 170 mijë janë mbi tokën e tyre, 80 mijë janë ndërtime të zonave urbane dhe 250 mijë janë në tokat e të tjerëve.
Nga 400 mijë familje në fshat, 250 mijë kanë braktisur tokën dhe kanë ikur në zona të tjera për një jetese më të mirë, sepse tokën nuk e shikojnë si një instrument për të përmirësuar jetën e tyre.
Prandaj ne kemi bërë një studim dhe i kemi thënë qeverisë shqiptare se ligji 7501 ka qenë një dështim, jo sepse nuk ka respektuar të drejtën e pronësisë, por edhe për vetë qëllimet e tij, sepse nuk realizoi një reformë. Ishte një regres dhe jo një progres.
Berisha deklaroi se drafti për tokat djerrë ka si qëllim nxitjen e punimit të tokës. A ndani edhe ju të njëjtin opinion, apo mendoni se qëllimi duhet gjetur gjetkë?
Unë dyshoj që dhënia e këtyre tokave me qira ka një qellim tjetër. Shumë po flitet për zonat turistike, kur realisht në Shqipëri janë ngritur tashmë zyrat e ndërkombëtarëve për të blerë tokat në zonën mesdhetare, për të blerë toka rreth e qark qyteteve dhe apartamente banimi.
Ata kanë para dhe çmimi i shitjes sot është i ulët, sidomos i tokave bujqësore. Sot të huajve nuk u lejohen që të blejnë tokë bujqësore, sepse e ka të ndaluar ligji për shitblerjen e tokës.
Vetëm tokë-truall mund të blejnë. Nëse do të lejohet të blihet tokë bujqësore, atëherë të jeni të bindur se ky agresivitet do të jetë shumë i madh dhe duke marrë tokë me qira, realizojnë investime që do të kalojnë vlerën e tokës.
Është e shkruar, qoftë në ligjin e nismës së lirë, qoftë në ligjin e turizmit, që, në qoftë se vlera e investimit e kalon vlerën e tokës, atëherë ai që investon ka të drejte që ta blejë tokën.
Për pasojë, kam frikë dhe qofsha i gabuar se qëllimi nuk është për të punuar tokat, por është për të përfituar tokat, pra për t'ua marrë ato toka që kanë, sidomos në zona turistike, dhe për t'ua kaluar atyre njerëzve, që kanë interesa për t'i marrë dhe për t'i blerë, por tani, me ndërhyrjen e shtetit.
Ky mendoj unë është qëllimi dhe nëse do të dalë kjo e vërtetë, do të jetë shumë e hidhur për të gjithë ne. Ndaj, unë them që zgjidhjet më të mira janë ato që ka propozuar shoqata: të hartohet një ligj për kthimin e pronës, i cili të ketë në themel të tij kthimin fizik të pronës dhe jo kompensimin, por mbi të gjitha, të luftojë atë korrupsion galopant që ka dhe ndodh përditë me pronat.
Pse mendoni se kjo është zgjidhja më e mirë?
Sepse ne si shoqatë kemi llogaritur që kostoja e kompensimit në këto kushte që jemi, është 30 miliardë euro. 20 milionë dollarë apo euro, tek 30 miliardëshi, është mikroskopike. Mirëpo, në ligjin 9235, fundi i vitit 2014 parashikon mbylljen e kompensimit fizik dhe është e pamundur që të realizohet ky lloj kompensimi në këtë datë që ka vendosur ligji.
Gjana:10% e sipërfaqes nuk punohet
TIRANË - Propozimi i Kryeministrit Sali Berisha për kalimin e tokës nga pronari tek ai që do ta punojë, duket i vështirë të gjejë zbatim. Madje, ditën që kreu i ekzekutivit e bëri publik një propozim të tillë, disa fermerë u shprehen skeptikë për metodën e gjetur për nxitjen e punimit të tokave në vend.
Sipas tyre, kalimi i tokës në fondin e komunës dhe mënyrat e përzgjedhjes të kandidatëve për punimin e saj, mund të sillte konflikte mes palëve. Ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, tha pak ditë më parë se me këtë ligj nuk synohet t'u hiqet e drejta e pronësisë atyre që kanë lënë tokat djerrë, por vetëm të nxitet punimi i tokës.
Në të gjithë vendin, sipas tij, vetëm 10 për qind e sipërfaqes nuk punohet. Ai tha se ky ligj ka ardhur si nevojë e nxitjes së punimit të tokave. Kjo, sipas Gjanës, do të jetë mënyra më oportuniste. Ai tha se fenomeni i tokave djerrë është në zonat me minoritet të theksuar, por edhe në disa zona të Kurbinit dhe në pjesë të caktuara të Ultësirës Perëndimore.
Të dhënat
Kemi 500 mijë ndërtime pa leje dhe, sipas të dhënave që jep ALUIZNI, 1/3-at e tyre, pra rreth 170 mijë, janë mbi tokën e tyre, 80 mijë janë ndërtime të zonave urbane dhe 250 mijë janë në tokat e të tjerëve.
Nga 400 mijë familje në fshat, 250 mijë kanë braktisur tokën dhe kanë ikur në zona të tjera për një jetese më të mirë, sepse tokën nuk e shikojnë si një instrument për të përmirësuar jetën e tyre
Fatura
Ne si shoqatë kemi llogaritur që kostoja e kompensimit në këto kushte që jemi, është 30 miliardë euro. 20 milionë dollarë apo euro, tek 30 miliardëshi është mikroskopike. Mirëpo, në ligjin 9235, fundi i vitit 2014 parashikon mbylljen e kompensimit fizik dhe është e pamundur që të realizohet ky lloj kompensimi në këtë datë që ka vendosur ligji.
Emigrimi
Emigrantët shqiptarë jashtë Shqipërisë që punonin tokat greke dhe italiane dhe jo tokat e tyre, filluan të sillnin të ardhurat e tyre në Shqipëri dhe fshatari synonte që të përmirësonte nivelin e jetës në vendin e tij. Por, sërish këtë nivel jetese nuk e gjeti duke punuar tokën, sepse nuk mund të krijonte fermat kapitaliste me këtë lloj shpërndarjeje apo katrahure që ishte bërë në bujqësi.
Qëllimi i draftit
Është e shkruar, qoftë në ligjin e nismës së lirë, qoftë në ligjin e turizmit, që, në qoftë se vlera e investimit e kalon vlerën e tokës, atëherë ai që investon ka të drejtë që të blejë tokën.
Për pasojë, kam frikë dhe qofsha i gabuar se qëllimi nuk është për të punuar tokat, por është për të përfituar tokat, pra, për t'ua marrë ato toka që kanë, sidomos në zona turistike, dhe për t'ua kaluar atyre njerëzve që kanë interesa për t'i marrë dhe për t'i blerë, por tani, me ndërhyrjen e shtetit. Ky mendoj unë është qëllimi dhe nëse do të dalë kjo e vërtetë, do të jetë shumë e hidhur për të gjithë ne.