Toro Roso largon Sebastian Burde
Aventura e Sebastian Burde në timonin e Toro Rosos në Botërorin e Formula 1 ka përfunduar. Piloti francez, protagonist i një sezoni shumë të dobët, nuk do të garojë më me skuadrën që prej Çmimit të Madh të Hungarisë, i cili do të zhvillohet më 26 korrik. "Gara e fundjavës së kaluar në Gjermani ishte e fundit për Burdenë me makinën Toro Roso", lexohej në deklaratën për shtyp të skuderisë. "Gjatë vitit të dytë të bashkëpunimit, Sebastian nuk i ka përmbushur objektivat e përcaktuara, shpjegoi drejtori i skuadrës, Franz Tost. Kjo është arsyeja përse kemi vendosur ta largojmë". Zëvendësuesi i Burde pritet të jetë spanjolli 19-vjeçar, Haime Alguersuari.