Torta e Pavarësisë, nis përgatitja e ëmbëlsirës gjigande (FOTO)
—-Nga Kliti Topalli—-
Tiranë- Vetëm pak orë na ndajnë nga festa e madhe e Pavarësisë dhe në kryeqytet ka nisur puna për përgatitjen e tortës gjigande. Mbi 100 persona janë vendosur tek pjesa para Teatrit të Operas dhe Baletit për të vendosur pjesët përbërëse të tortës. Në orët e pasdites ka filluar të shtrohet fillimisht pandispanja, e cila po bëhet në kushte të rrepta higjenike. Fillimisht platforma po mbulohet me letër palsmasi dhe alumini dhe më pas, sipër saj po bëhet shtrimi i pandispanjës.
Ashtu siç është theksuar, torta do të ketë një sipërfaqe mbi 550 metra katërorë, dhe një peshë prej 13 tonësh. Nga një vëzhgimi i kryer në vendin ku do të bëhet përgatitja e saj është vënë re se ka një numër të lartë të efektivëve të policisë, të cilët ndalojnë futjen e personave të paautorizuar, ndërsa edhe ata që ndodhen aty janë pajisur me maska, për shkak të kushteve higjenike.

Shtrimi i pandispanjës

Përgatitja e pistës për tortën
Sipas pastiçierëve për gatimin e tortës së Pavarësisë janë dashur 2379 kg miell, 38064 kokrra vezë, janë përdorur rreth 1770 kg sheqer, 20 kg vanilje, 500 kg shegë. Kjo pasi torta do të ketë shijen e shegës sepse fruti simbolizon rilindjen dhe bashkimin. Gjithashtu me anë të shegës do të krijohet edhe shqiponja në mes.

Fillimi i punës
Torta është e ndërtuar me disa shtresa. Shtresa e parë do të fillojë me pandispanjën dhe do të laget me sherbet, me shijen e rrushit, më pas do të hidhet kremi i pastiçerisë, më pas do të mbulohet sërish me pandispanjë dhe shurupin e rrushit sërish, do të mbulohet me krem pastiçerie, me glase dhe me shegë. Do të rrethohet me gjethe ulliri që është simboli i mirësisë, paqes.

Punojësit e angazhuar për tortën
Edhe pse puna për përgatitjen e saj duhet të kishte filluar që në mesditë, pastiçierët janë shprehur se gjithçka do të jetë gati nesër, në momentin kur do të bëhet dhe ndarja e saj. Për përgatitjen e tortës janë pjekur 1200 pandispanja dhe janë angazhuar 150 persona.

Njerëz duke parë përgatitje e tortës
Përgatitja e ëmbëlsirës ka ngjallur edhe kureshtjen e njerëzve të cilët janë përpjekur të bjënë foto dhe të marrin informacione për përgatitjen e saj. Ndërkohë nesër çdokush do të ketë mundësinë ta shijojë atë, pasi rreth 50 vajza janë caktuar për servirjen e saj.

Kuti të mbushura me pandispanjë
/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: