E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qirjako: Vlera e pronave, sipas çmimeve të tregut

Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare" kreu i Zyrës së Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme komenton zhvillimet më të fundit në lidhje me regjistrimin e pronave. Sipas tij janë hedhur tashmë hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të regjistrit të pasurive, i cili së shpejti do të jetë tërësisht elektronik dhe në gjendje të korrigjojë pa-saktësitë e së shkuarës. Qirjako shpjegon se sistemi i ri dixhital do të jetë në gjendje të korrigjojë pasaktësitë e ndërhyrjeve të bëra gjatë këtyre viteve nëpër hartat e pronave, por mbi të gjitha vlerësimin e tyre duke u bazuar te vlera reale e tregut. Regjistri i deritanishëm, sipas tij, linte për të dë-shiruar si kur vinte fjala te saktësia e hartës, qoftë kur vinte fjala te saktësia e sipërfaqes, ashtu dhe te saktësia e titujve të pronësisë. Sipas kryeregjistruesit, sfida e institucionit të tij në terma të afërta kohore është realizimi i të gjitha veprimeve brenda një ose dy ditësh përmes sistemit online. Qirjako shpjegon gjithashtu për-qasjen e vështirë të qytetarit ndaj pasurive të paluajtshme për shkak të deformimit të kushtëzuar prej epokës së komunizmit.
Është duke u përgatitur terreni që zura e re-gjistrimit të pasurive të paluajtshme të funksionojë si mekanizëm që vetëfinancohet. Çdo të thotë kjo për zyrën tuaj, por mbi të gjitha ç'efekt do të ketë në terma praktikë për qytetarët.
Me ligjin e ri të miratuar në Kuvend, më 1 janar zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të kalojë më vetëfinancim. Diçka e tillë do ta bëjë zyrën më të aftë t'i përgjigjet nevojave të veta për përmirësimin e aktivitetit, zhvillimin e kapaciteteve dhe modernizimin e funksioneve të saj.
Kishte nevoja zyra për një masë të tillë? Çfarë problemesh lindnin nga të qenit institucion i varur?
Sigurisht që duke parë se jemi përgjatë një bumi të gjithanshëm teknologjik, lind natyrshëm nevoja për ndryshime rrënjësore në përshtatjen e teknologjive të reja. Ndërkohë që teknologjia ka edhe koston e vet, të cilën tashmë do të na e sigurojë sistemi i vetëfinancimit. Gjithsesi, më duhet të themi se kemi pasur një volum të konsiderueshëm financimesh nga qeveria. Mjafton të sjell në vëmendje projektin "Lamp", që ka të bëjë me regjistrimin fillestar dhe kompjuterizimin. Projektet janë mbështetur jo vetëm nga qeveria, por edhe nga donatorë të tjerë. Kemi në zhvillim e sipër edhe projektin e jugut. Ndërkohë që, përmes projektit "Lamp" po regjistrohen pronat në bregdet dhe në zonat urbane. Synimi i qeverisë është që brenda qershorit të ardhshëm të përfundojë ky projekt për regjistrimin fillestar.
Çdo të thotë në terma praktikë ky regjistrim fillestar?
Përmes këtij programi qytetarët pasurojnë informacionin mbi pasuritë e tyre të paluajtshme. Qëllimi i tij është që ky informacion të jetë sa më i plotë për qytetarët duke përmirësuar bazën e të dhënave mbi pronat. Tashmë është shumë më i saktë, duke qenë se ekziston jo vetëm në formën e hartave e të regjistrave, por edhe në formën dixhitale.
Përse u krye ky program. Kishte probleme me të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme?
Siç ka një regjistër të popullsisë, çdo shtet modern duhet të ketë edhe një regjistër të pasurive të paluajtshme. Deri tani kemi pasur një regjistër hipotekor i cili linte për të dëshiruar në informacionin që ofronte.
Çfarë lloj problemesh shfaqte regjistri i deritanishëm?
Linte për të dëshiruar në përgjithësi në çdo aspekt të informacionit mbi pronën. Qoftë kur vinte fjala te saktësia e hartës, qoftë kur vinte fjala te saktësia e sipërfaqes, ashtu dhe te saktësia e titujve të pronësisë. Për shkak të privatizimit të shpejtë pas rënies së sistemit të ekonomisë dhe hapjes drejt ekonomisë së tregut kemi pasur kemi pasur ritme frenetike ndryshimesh nëpër regjistrat e pronave. Regjistrime që për shkak të teknologjive të përdorura linin për të dëshiruar. Përmes projekteve të regjistrimit fillestar, këto ndryshime verifikohen dhe përmirësohen.
Kemi një problem. Institucione të ndryshme zotërojnë harta të ndryshme për sipërfaqe të njëjta. Në terma praktikë, një sipërfaqe e caktuar rezulton ndryshe në një hartë të ALUIZNI-t, të AKKP, apo të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive.
Ligji i ri i miratuar në parlament vendos detyrime të qarta lidhur me përmirësimin e të dhënave mbi pronat. Në bashkëpunim me institucionet e tjera që kanë lidhje me pasuritë e paluajtshme po punojmë për përpilimin e akteve nënligjore të cilat do të sigurojnë përmirësimin e këtyre të dhënave. Siç përmenda edhe më lart, ka pasur gabime me hartat. Nga pikëpamja teknike, zmadhimi i një harte nga 1X5000 në 1X2500, për një gjeodet do të thotë se për një vijë të thjeshtë një gabim rritet me katër herë. Teknologjia e përdorur në atë periudhë ka bërë që hartat të përmbajnë pasaktësi të konsiderueshme pikërisht prej teknologjisë së përdorur për përpilimin e hartave. Por kemi menduar zgjidhjen edhe për këtë problem. Qytetari ka në dorë një titull pronësie dhe ne kemi detyrimin ligjor për t'ia njohur atë. Pikërisht për këtë motiv është lënë në ligj një hapësirë që na lejon mundësinë e korrigjimit e të përmirësimit të pasurive të paluajtshme që e kanë kaluar regjistrimin fillestar.
Si e konsideroni përqasjen e qytetarëve shqiptarë lidhur me pronën?
Kultura e titujve të pronësisë u dëmtua rëndë gjatë viteve të komunizmit. Më duhet të vërej se gjatë gjithë këtyre viteve shqiptarët po rifitojnë një kulturë të pronës të dëmtuar gjatë asaj epoke të bazuar te koncepti i pronës së shtetit. Mjafton të shohim dy aktet e fundit të miratuara nga qeveria. Njëri u njeh të drejtën e pronësisë mbi oborret, e cila u qe hequr me një ligj të qeverisë komuniste në vitin 1976. Ai ligj u hiqte qytetarëve të drejtën e pronësisë mbi oborret dhe ua linte vetëm në përdorim. Përmes një akti të miratuar javës së shkuar, qeveria u kthente këtë të drejtë për të mos i pasur më thjesht në përdorim, por duke iu njohur pronësia mbi ta. Ashtu edhe një ligj tjetër, i miratuar të mërkurën e shkuar, kur iu dha e drejta e njohjes së pronësisë së shtëpive të paregjistruara. Bëhet fjalë për shtëpi të cilave u njihej pronari, por mbeteshin ende të paregjistruara e pa tituj pronësie.
Por nuk është vetëm qytetari shqiptar që ka një përqasje të vështirë me pronën. Vetë qeveria vëren se janë tetë institucione që japin tituj pronësie, të cilat shpesh i mbivendosen njëri-tjetrit. Cili është roli juaj mes këtyre tetë institucioneve.
Më duhet të qartësoj pozicionin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në kuadrin e institucioneve që merren me titujt e pronësisë. Duhet të jetë e qartë që ne nuk kemi tagrin për dhënien e titujve të pronësisë, ne regjistrojmë titujt e pronësisë që njohin këta institucione. Ne kemi në dorë vetëm procesin e pajisjes me dokument pronësie. Ajo që bëjmë ne është refuzimi i dhënies së dokumentit të pronësisë në rastet kur një pasuri e caktuar na rezulton me mbivendosje. Në rastet kur problematika mbi një pronë ka të bëjë me mbivendosjen e hartave të përpiluara nga institucionet në të shkuarën, këtë e zgjidhin institucionet e mësipërme, në rast e ka të bëjë me mbivendosjen e titujve të pronësisë, përsëri nuk e zgjidhim ne, por gjykatat.
Ministria e Drejtësisë po punon për krijimin e metodikës së vlerësimit të pasurive me çmimin e tregut. Çdo të thotë kjo për zyrën e regjistrimit të pasurive.
Formula e deritanishme ka pasur deformime. Të dhënat për llogaritjen e pronave ofroheshin nga komunat. Sa për të sjellë një shembull po vërej se është absurde që vlera e tokës në Kashar rezultonte 1500 lekë për metër katrorë, ndërsa në Tropojë 3500 lekë për metër katrorë. Formula e vjetër shkaktonte vështirësi në çdo drejtim, ndërkohë që përqasja e re e bazuar te vlera e pronës me çmimin e tregut, do t'i njohë vlerën reale pronave të shqiptarëve. Është një zhvillim tepër pozitiv në çështjen e pronës, në të gjitha drejtimet. Më duhet të sqaroj edhe se në një të ardhme, sipas ligjit, do të jetë zyra e regjistrimit ajo që do të ketë detyrën e përllogaritjes së vlerës së pronave, pasi është edhe institucioni ku depozitohen të gjitha transaksionet.
Së fundmi, transaksionet e pasurive po bëhen përmes zyrave të noterëve. Çdo të thotë kjo në terma praktikë.
Më parë çdo qytetar kalonte nëpër tre hallka për të regjistruar pronën e vet. Të tria donin kohën e kokëçarjet e veta dhe kërkonin 19 ditë për t'u kryer, ndërkohë që sot mjaftojnë vetëm 9 ditë. Tashmë kryhet çdo veprim në zyrën e noterit. Por nga ana tjetër kemi edhe lehtësime financiare. Nëse më parë një aplikim për kopje kartele dhe kopje harte kushtonte 3 mijë lekë, aktualisht bëhet shumë lehët rifreskimi tek noteri, veprim që kushton vetëm 700 lekë. Por mbi të gjitha, ajo që duhet nënvizuar në tërë këtë risi, është transparenca. Gjithçka kryhet online, data-base e regjistrimit të pronës është e tëra në formë elektronike gjë që minimizon mundësitë për shkelje. Besojmë se me anë të sistemit on-line kemi përmbushur të tria objektivat tona, transparencën, koston dhe shpejtësinë. Pas pak kohësh sistemi do të bëhet funksional në Durrës dhe brenda vitit në qytetet kryesore të vendit. Synimi është që vitin tjetër transaksionet mbi pronën të kryhen brenda tre ditëve. Është shumë e rëndësishme që ky institucion të ofrojë një bazë të dhënash sa më të saktë dhe sa më reale. Shërbimi ndaj qytetarëve duhet të jetë sa më i shpejtë të jetë e mundur, mundësisht në kohë reale. Një qytetar nuk duhet të presë më nëntë ditë për regjistrimin e një prone. Kemi synim që të bëhemi një ndër vendet e para në botë kur vjen fjala te shpejtësia e veprimeve dhe saktësia e tyre. Në një moment të dytë, transferimi apo regjistrimi i një prone do të bëhet brenda një ose dy ditëve. Kjo me shumë gjasa do të ndodhë brenda vitit 2014 në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, ndërsa brenda vitit 2013 në Tiranë Durrës e gjetkë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›