E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani: Denonconi presionet e fushatës zgjedhore në dy numrat falas

totozaniiiiTiranë- Vetëm disa ditë pas takimit me shefen e misionit të OSBE/ODHIR-it, Conny McCormack, Avokati i Popullit Igli Totozani nëpërmjet një njoftimi për mediat ka ftuar qytetarët që gjatë kësaj periudhe fushate, të denoncojnë në numrat e vëna në dispozicion pa pagesë, presionet për pjesmarrje në mitingje elektorale.

Avokati i Popullit dëshiron të sjellë në vëmendjen e të gjithë qytetarëve se mund të denoncojnë çdo lloj forme presioni që konstatojnë gjatë kësaj periudhe zgjedhore në numrin e telefonit pa pagesë 0800 11 11, nga telefonat fiks dhe nga të gjithë operatorët celularë në numrin 0689034648.

Ju mund të drejtoheni tek institucioni i Avokatit të Popullit për të denoncuar:

- largimet nga puna me prapavijë politike

- detyrimin e nënpunësve të administratës publike për të marrë pjesë në fushatë

- detyrimin e nxënësve dhe fëmijëve për të marrë pjesë në mitingje elektorale

- çdo lloj forme presioni ndaj administratës publike si dhe ankesat në lidhje me mosofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve nga administrata publike, për ti garantuar atij zbatimin e të drejtave dhe shërbimeve që rrjedhin nga Kushtetuta dhe Ligjet,- thuhet në deklaratë.

Qytetarët mund t’i denoncojnë këto shkelje në numrat:

Në numrin 0800 11 11 për telefonat fiks

Në numrin 0689034648- për telefonat celularë

Tre ditë më parë, McCormack, shprehu interesin e saj lidhur me veprimtarinë e institucionit, ku më veçanërisht u interesua për ankesat e depozituara, apo hetimet e kryera lidhur me veprimet, ose mosveprimet e organeve të administratës gjatë kësaj periudhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›