Totozani ankohet te Nishani: Nuk zbatohen vendimet e gjykatave
Presidenti Bujar Nishani, priti dje në një takim Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Kryetari i Shtetit e siguroi Totozanin se e mbështet Institucionin e Avokatit të Popullit në misionin e tij fisnik në mbrojtje të të drejtave të njeriut, duke e garantuar se do të jetë gjithmonë në krah të tij në kuadër të bashkëpunimit institucional, për tu ardhur në ndihmë qytetarëve të thjeshtë. Presidenti Nishani u fokusua tek aksesi në drejtësi për qytetarët, eliminimi i vonesave në praktikat gjyqësore si dhe kërkoi nga Avokati i Popullit të jetë aktiv në trajtimin e rasteve shqetësuese që prekin funksionimin e gjyqësorit. Gjatë bisedës Avokati i Popullit u ndal në dy probleme të rëndësishme, si ai i moszbatimit të vendimeve të gjykatave, të cilin e konsideroi një nyje gordiane për sistemin e drejtësisë në vend dhe trajtimin me prioritet të grupeve vulnerabël të shoqërisë.
Nishani ok kodit zgjedhor
Ndryshimet në kodin zgjedhor të cilat u kalua me konsensus të të gjitha partive politike në Parlament,ka kaluar me sukses edhe në portën e tij të fundit para hyrjes në fuqi të tij. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, me Dekretin me nr. 7737, datë. 16.08.2012, dekretoi shpalljen e Ligjit nr. 74/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”. Nishani gjithashtu me Dekretin nr. 7740 datë. 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 77/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”. Po ashtu Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjithashtu dhe me Dekretin nr. 7741, datë 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 78/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8873, datë 29.03.2002 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, me Dekretin 7738, datë.16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 75/2012 “Për ratifikimin e akteve dhe të dokumenteve të Kongresit të 24-t të Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU), Gjenevë, 2008″ dhe së fundi me Dekretin nr. 7739, datë 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 76/2012 “Për ratifikimin e marrëveshjes për statusin ligjor të Qendrës Rajonale të Mjedisit për Europën Qendrore dhe Lindore”.
Fonde shtesë për programin e sistemit të burgjeve
Qeveria vendosi të enjten t’i akordojë Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e vitit 2012, një fond shtesë prej 123 milion lekësh në programin e sistemit të burgjeve, në zërin e shpenzimeve operative. Gjithashtu, në kuadër të rishpërndarjes së fondeve brenda programeve, në buxhetin 2012, të miratuara për këtë Ministri, Këshilli i Ministrave vendosi që programit të planifikimit, menaxhimit dhe administrimit në shpenzimet e personelit, t’i pakësohet fondi prej 1.8 milion lekësh; programit të sistemit të burgjeve, për vitin 2012, në shpenzimet e personelit, i pakësohet fondi prej 23 milion lekësh; programit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për vitin 2012, i pakësohet fondi për shpenzime personeli, në masën 5 milionë lekë, etj.
Nishani dekreton lirimin nga detyra të 7 gjeneralëve
Pas lirimit nga detyra të kreut të SHISH, Bahri Shaqiri më 9 gusht, presidenti Bujar Nishani vijoi një sërë lirimesh të tjera nga detyra, por këtë herë nga radhët e Ushtrisë. Me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, Presidenti dekretoi sot lirimin nga detyra të 7 gjeneralëve në radhët e Forcave të Armtosura. Zyra e presidencës bën me dije se presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani dekretoi dje lirimim nga detyra të 7 gjeneralëve, ndërkohë që ka dekretuar edhe emërimin e 3 gjeneralëve. Në mbështetje të neneve përkatëse të Kushtetutës Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Presidenti dekretoi lirimin nga detyra të Gjeneral Brigade Agim Lala, Gjeneral Major Viktor Daut Berdo, Gjeneral Major Zyber Fasli Dushku, Gjeneral Brigade Bardhyl Veli Hoxha, Gjeneral Brigade Syrja Selim Gjoka, Gjeneral Brigade Qemal Demçe Shkurti, dhe Gjeneral Brigade Jeronim Rasim Bazo.
GJENERALËT E EMËRUAR
Gjeneral Brigade Bardhyl Veli HOXHA, emërohet Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Gjeneral Brigade Syrja Selim GJOKA, emërohet Komandant i Brigadës Logjistike.
Gjeneral Brigade Qemal Demçe SHKURTI, emërohet Komandant i Forcës Detare.
GJENERALËT E LIRUAR NGA DETYRA
Gjeneral Brigade Agim LALA, lirohet nga detyra e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe del në lirim.
Gjeneral Major Viktor Daut BERDO, lirohet nga detyra e Komandantit të Forcës Tokësore dhe emërohet Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Gjeneral Major Zyber Fasli DUSHKU, lirohet nga detyra e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe emërohet Komandant i Forcës Tokësore.
Gjeneral Brigade Bardhyl Veli HOXHA, lirohet nga detyra e Komandantit të Brigadës Logjistike.
Gjeneral Brigade Syrja Selim GJOKA, lirohet nga detyra e Komandantit të Batalionit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura.
Gjeneral Brigade Qemal Demçe SHKURTI, lirohet nga detyra e Shefit të Kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Gjeneral Brigade Jeronim Rasim BAZO, lirohet nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit të Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.