Përcillet me nderimet më të larta Arbën Xhaferi
Mijëra qytetarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit themeluesit të Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferit. Drejt banesës së fundit, trupi i pajetë i të ndjerit u nis në ora 13 e 30 nga selia e PDSH-së, ku u kryen homazhet dhe nderimet e fundit për Xhaferin. Kortezhi përcjellës me arkivolin e të ndjerit kaloi përmes sheshit kryesor të Tetovës, ku shumë qytetarë iu bashkangjiten turmës për të nderuar intelektualin e politikanin shquar.
Ceremonia
Krahas familjarëve dhe mijëra qytetarëve në ceremoninë e varrimit në Tetovë morën pjesë edhe deputetë, politikanë, ministra e intelektualë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Paraprakisht, në pallatin e kulturës në Tetovë, u mbajt një mbledhje përkujtimore ku u përkujtua jeta dhe vepra e Arbën Xhaferit. Para të pranishmëve, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se me vdekjen e Xhaferit pushoi së rrahuri një zemër e madhe shqiptare në Maqedoni. Atë që kam thënë për herë është e vërtetë, nuk ka qenë lojë. Ky është teksti i parë që e kam shkruar vetë dhe e lexoj vetë, gjitha tekstet që i kam lexuar në publik i ka shkruar Arbën Xhaferri. Të flasësh për Arbën Xhaferrin në këto momente të vështira për gjithë ne mbase është e tepërt, për të flet jeta e tij, puna e tij, përkushtimi dhe vizioni që ai kishte për shqiptarët kudo që jetojnë ata. Dashuria dhe respekti për Arbën Xhaferrin lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat dhe mendimet tona, kryetar çdo herë do të jesh në zemrën time, të PDSH-së dhe gjithë shqiptarëve, qoftë për jetë kujtimi për ty, u shpreh i prekur lideri i PDSH-së.
Humbja e Kombit
Me vdekjen e Arbën Xhaferit, familja ka humbur udhërrëfyesin ndërsa shqiptarët pikën e referencës, tha Vjosa Xhaferri, mbesa e të ndjerit. Askush më shumë se ne, njerëzit e tu të afërt njohim idealizmin tënd. Ishe nga ata që më shumë dhanë se sa morën, i ngjashëm me rilindësit, por në një kohë tjetër. Por, ju mos qëndroni përballë varrit të tij të qani sepse ai nuk vdiq sot, mos guxoni të vajtoni se një shpirt i tillë ka qenë bekim për kombin tonë. Bashkë me familjen rreth teje sot janë miqtë, bashkëpunëtorë, politikanët.
Qeveria shqiptare hesht për Arbën Xhaferin
Në nderim të mendimtarit dhe politikanit Arbën Xhaferri, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje. Kryeministri e quajti ndarjen nga jeta të Xhaferrit një humbje të madhe për të gjithë shqiptarët. Ish-lideri i PDSH-së, Arben Xhaferi ndërroi jetë pasditen e së mërkurës pas një hemoragjie cerebrale të pësuar një javë më parë. Për shtatë ditë ai qendroi i shtruar ne Klinikën Neurokirurgjike të Shkupit, ku iu nënshtrua një trajtimi të posacëm dhe ku mjekët bënë ç`është e mundur për ti shpëtuar jetën, por pa sukses. Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u zhvillua një mbledhje përkujtimore, ndërsa funerali u zhvillua në orën 13.30 për në varrezat e qytetit. Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila u bë dhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake. Megjithatë, ai mbeti deputet për disa mandate që nga viti 1994 në Parlamentin e Maqedonisë.
Kush ishte Arbën Xhaferri
Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferri u lind në Tetovë në vitin 1948. Ai do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte kahë proçeseve në mbarë shoqërinë shqiptare.
Pjesën më të madhe të jetës së vet Arbën Xhaferri e kaloi në Prishtinë, atje ku gjetën strehim shumë intelektualë shqiptarë nga Maqedonia gjatë sistemit socialist.
Xhaferri u kthye në Tetovë në vitet e hutesës së madhe politike që e jetonin shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm ata. Pra, ai u kthye në vendlindje në vitet e kundërshtive të mëdha brenda partisë më të madhe shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik, e që do përfundonin me përçarjen e saj.
Dhe nga njëri krah i kësaj partie do formohej PDSH-ja e sotme, e cila do drejtohej nga Xhaferri deri në vitin 2007, kohë në të cilën ai ishte kryetar i saj i nderit.
Me kthimin në Maqedoni, në njëfarë mënyre, shqiptarëve, Xhaferri ua ktheu nderin e munguar të mendimit politik shqiptar. Ndaj edhe shumë shpjet u bë figura më e spikatur politike, e cila nga dita në ditë do merrte edhe përmasat e mendimtarit mbarëkombëtar.
Ai ia doli të kontribuojë për faktorizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe ta përcaktojë vendin e tyre si faktor i rëndësishëm për mbarë shqiptarinë.
Duke vepruar në një Maqedoni ku përballë kishte arrogancën e politikës maqedonase, e pas vetes inferioritetin e politikës shqiptare, Xhaferri duhej të ecte drejt së ardhmes si ai që duhet të vinte baraspeshë mes ëndrrave iracionale maqedonase dhe ambicieve shumë tokësore të shqiptarëve.
Pra, ngaqë duhej të vepronte lokalisht, por duke menduar mbarëkombëtarisht, ai herë herë nuk u kuptua drejt as nga bashkëkombësit e vet në Maqedoni, e aq më pak nga maqedonasit etnike, të cilët në fillimet e veprimtarisë së tij politike, mendimin e tij e përjetonin si fatkeqësi natyrore që i ka ndodhur Maqedonisë.
Arbën Xhaferri është një nga firmëtarët e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni, por që nuk e zgjidhi problematikën mes shqiptarëve dhe maqedonasve, sic edhe e pranon vetë ai në një intervistë për emisionin Shqip në Top Channel.
Unë nuk them që ka marrë fund, por them se ajo marrëveshje nuk po implementohet. Në dallim nga të tjerët, unë jam i vetmi që e kam lexuar e stërlexuar Marrëveshjen e Ohrit dhe e di çfarë përmban ajo. Të tjerët nuk e kanë lexuar dhe nuk e dinë se në cilat pika po devijohet kjo marrëveshje, tha Xhaferri.
Arbën Xhaferri mbase ishte nga politikanët e rrallë që ia doli nga e përkohshmja, politika, të bëjë shumëçka që atë do e bëjë të përjetshëm në botën shqiptare.
E ajo që atë do e bëjë të pavdekshëm, mbase nuk janë vendimmarrjet politike, të cilat gjithësesi nuk mungojnë, por mendësia e tij, e një filozofi që gjithmonë shihte më qartë e më larg se thuajse të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë.
Kuptohet edhe si i tillë, largpamës e me mendim të ndritur, ai nuk ka mundur ta parashikojë se do vdiste pasditen e kësaj të mërkure gushti, por gjithësesi se më qartë se cilido tjetër, i shihte rrugët e ardhmërisë ngado shkonte kjo shqiptari e copëtuar, të cilës mbase më së shumti i mungojnë njerëz vizionarë si Arbën Xhaferri.