E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Më 1 shtator shkulim betonin nga bregdeti

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se turizmi jo vetëm që mbrojti Shqipërinë nga kriza por edhe po kontribuon në luftën kundër varfërisë. Për këta muaj të 2012-ës krahasuar me një vit më parë, numri i turistëve të huaj është 277 mijë më shumë dhe se vetëm nga turizmi janë krijuar 190 mijë vende pune, tha kryeministri, duke shtuar se kjo është një shifër rekord. Duke u bazuar në këto shifra Berisha hodhi poshtë edhe pretendimet e opozitës për rënie të numrit të turistëve në brigjet shqiptare. Kryeministri tha se qeveria nuk do të ndalë investimet në këtë sektor ndërsa vuri në dukje faktin se vetëm në këtë degë të ekonomisë janë investuar 220 milionë euro. Ndërkaq kreu i qeverisë ishte shumë i qartë me të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje në zonat turistike, prishje të tyre në shtator me një dekret të posaçëm.

Ndërtimet pa leje

Pasi ka evidentuar arritjet në turizëm u ndal në plagën e vjetër të hapur prej vitesh, në të gjithë vijën e bregdetit. Ndërtimet ne zonat e plazheve, të cilat kreu i qeverisë i përshkroi si një babëzi ndaj të cilave premtoi se do të veprojë forca e ligjit. “Të babëzitur që shkoni e ndërtoni në rërë, tregoni se morali juaj është inekzistent. E gjithë forca e ligjit do të veprojë mbi ndërtimet tuaj, dëshmi e një babëzie të shpërfytyruar. I prishni vetë sepse do u faturohet edhe prishja e tyre. Një dekret i veçantë duhet të përgatitet nga Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e  Drejtësisë për të qëndruar me të gjithë forcën e ligjit, ndaj këtyre pak njerëzve që duan t’jua shpërdorojnë, shqiptarëve një pasuri përrallore që e kanë nga Zoti”, tha Berisha.
Turizmi me rekorde të reja

Duke falënderuar të gjithë ata të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar kryeministri Berisha renditi disa shifra, që sipas tij demonstrojnë, se vendi ynë është duke kaluar një sezon të frytshëm turistik. “Sezoni turistik i deritanishëm, të jetë sezoni më i paprecedentë në historinë e vendit. Me këtë vendim ata bëjnë që Shqipëria të marrë turistë të huaj rreth 277 mijë më shumë, gjatë 7 muajve të parë të vitit, se sa një vit më parë. Vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 190 mijë vende pune. Këshilltari i njerit prej ministrave fjeti në makinë në Sarandë, se nuk gjeti dhoma. Kurse një këshilltar i imi e konsideronte veten fatlum, se kishte arritur të gjejë një dhomë të vogël në Orikum. Një nga shtyllat më kryesore që mbrojti Shqipërinë nga kriza, që bëri që ekonomia shqiptare t’i rezistojë presionit të tmerrshëm të krizës ekonomike, është edhe turizmi”, tha Berisha. Pavarësisht këtij pozitiviteti të përshkruar nga Kryeministri, ai kërkoi nga autoritetet lokale më shumë përpjekje drejt përmirësimit akoma më shumë të standardeve të deritanishme të turizmit.

Berisha: Mosmarrja e statusit nuk dëmton vetëm qeverinë

Kryeministri Berisha priti dje në një takim deputeten britanike Jackie Doyle-Price. Në këtë takim kryeministri theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij në përgatitjen e vendit për marrjen e statusit të vendit kandidat të BE. Berisha tha se gjithçka do varet nga performanca e Shqipërisë dhe se marrja e statusit ishte në dobinë afatgjatë të vendit. Mos marrja e statusit nuk do dëmtonte thjesht qeverinë, por interesat jetike të të gjithë shqiptarëve, – theksoi kryeministri Berisha, duke veçuar se ndërsa opozita bashkëpunoi shumë mirë për reformën zgjedhore, nuk veproi kështu për heqjen e imunitetit. Ndërkohë zyra e kryeministrisë bëri me dije se deputetja britanike Jackie Doyle-Price, duke vlerësuar ecurinë e reformave të qeverisë shqiptare, shprehu bindjen se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa garantoi mbështetjen që vendi i saj do vazhdojë ti japë asaj në rrugën e integrimit.

PS: Shqiptarët të kërcënuar nga

krimi, kryeministri tregon përralla

Partia Socialiste ka përsëritur akuzat ndaj kryeministri Berisha duke deklaruar se edhe në mbledhjen e sotme të qeverisë, ai vazhdoi të injorojë hallet dhe problemet reale të shqiptarëve, duke përrallisur dhe gënjyer siç e ka zakon. Në një deklaratë për mediat, sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja u shpreh se jeta e shqiptarëve është e kërcënuar nga krimi, ndërsa kryeministri tregon përralla.
Në këtë drejtim, Beqja theksoi se prej muajsh një valë krimi dhe aksidentesh fatale kanë përfshirë vendin tonë e duke u ndalur tek vrasja e djeshme në Elbasan, ai e cilësoi atë një akt të paprecedent, që nuk mund të mbyllet me ndalimin e dy punonjësve të policisë. Sipas Beqjes vrasja e djeshme ishte një akt që tregoi se jetën në këtë vend nuk ta mbron as shteti me uniformë. Kryeministri akuoz (ujor) siç na tregoi sot se ka qejf të vetëquhet, foli për turizmin malor, por nuk tha asnjë fjalë për hektarët e pyjeve që po digjen në këtë verë të nxehtë. Shërbimi zjarrfikës ankohet se nuk ka mjete. Kështu ndodh nëse paratë shpenzohen për vila qeveritare në bregdet apo për mobilie të zyrave të ministrave. Kryeministri foli për rrugët e reja, por nuk pati kurajën tu kërkojë falje shqiptarëve për vonesën vetëm për faj të tij të akseve Levan-Tepelenë, Levan-Damës. Foli për terminalin e ri të trageteve në Durrës, por nuk pati kurajë të kërkojë falje pse e vonoi dy vjet ndërtimin e terminalit, nënvizoi Beqja, për të shtuar se kryeministri foli për ndërtimet pa leje në perlat turistike, por në fakt demonstroi dështimin e qeverisë së tij në kontrollin e territorit, në zbatimin e ligjit të planifikimit të territorit. Në fund të fjalës së tij Beqja u shpreh se verën e ardhshme shqiptarët nuk do të dëgjojnë më bëmat olimpike të kryeministrit, pasi Partia Socialiste ka një plan për rivendosjen e demokracisë në vend, për rikthimin e sigurisë së jetës dhe se demokracia do të rivendoset dhe Shqipëria do të rilindë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›