E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani i shqetësuar për situatën në paraburgime

Një raport i publikuar pak ditë më parë, thuhet se në Shqipëri një pjesë e burgjeve janë në gjendje skandaloze.

Për këtë qëllim, Totozani zhvilloi një takim me zv/drejtorin e Policisë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Agron Kuliçaj. Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e institucionit të Avokatit të Popullit, Kuliçaj, bëri prezent faktin se nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është hartuar një Program Pune për masat dhe detyrat që do të kryhen nga strukturat qendrore dhe vendore të policisë për zbatimin e Rekomandimit nr. 12 të KE-së, si dhe ato të Avokatit të Popullit.

"Masat e përcaktuara synojnë përmirësimin e kushteve të ambienteve ku mbahen e trajtohen personat e shoqëruar dhe të arrestuar apo ndaluar, njohjen dhe respektimin e të drejtave ligjore të këtyre personave nga personeli policor, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës që keqtrajtojnë, abuzojnë me detyrën dhe shkelin të drejtat e këtyre personave, etj", tha ai.

Po ashtu, Kuliçaj shprehu vullnetin dhe impenjimin e gjithë strukturave të Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar, për të qenë të hapur me Avokatin e Popullit dhe shoqërinë civile si dhe dhënien e aksesit të gjitha OJQ –ve për të hyrë, inspektuar dhe kontrolluar të gjitha ambientet e policisë, ambientet e dhomave të shoqërimit dhe ato ku mbahen e trajtohen të arrestuarit dhe të ndaluarit, për respektimin e garantimin e të drejtave të tyre. Avokati i Popullit, shprehu vlerësimin për masat dhe detyrat e planifikuara nga Policia e Shtetit në drejtim të përmbushjes së Rekomandimeve të Komisionit Evropian për përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe trajtimit të personave të shoqëruar dhe të arrestuar/ndaluar, për respektimin e të drejtave të tyre nga personeli policor.

Ata kanë specifikuar disa pika ku do të bashkëpunohet në vijim, si Hartimi i projekt - akteve të ndryshme ligjore për respektimin e të drejtave të njeriut, kryerjen e inspektimeve, përcaktimin e masave efikase dhe ndjekjen e zbatimit të tyre për çdo rast të konstatimit të shkeljeve të të drejtave si dhe zhvillimin e takimeve të tjera të përbashkëta si tryezave të rrumbullakëta. /Start/

                                                                                             2012-03-27 14:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›