Edi Rama, ndërkombëtarët dhe nevoja për ndryshim
Ndoshta të gjithë kemi perceptuar një fakt, që z.Rama gjatë punës së tij në krye të PS-së, sidomos në disa raste të sjelljeve të tij ekstreme, nuk ka dëgjuar këshillat e ndërkombëtarëve dhe përfaqësuesve të Elitës në Tiranë, duke dëgjuar kështu, vetëm zërin e zemrës dhe instinkteve të tij, nisur gjithmonë nga filozofia ‘ose t’i fitoj të gjitha me forcë dhe dinjitet, ose t’i humbas të gjitha me dinjitet’. Kjo filozofi e tij është zgjedhur, për shkak se atij i janë propozuar me diplomaci, sidomos me dy zgjedhjet e fundit të përgjithshme e lokale, dy gjëma: Në 2009-ën iu kërkua të rrinte edhe 4 vjet të tjera në opozitë dhe në 2011-ën iu kërkua të largohej nga drejtimi i kryebashkisë, ku ai kishte zënë kallo prej 3 mandatesh rresht. Në fakt, këto propozime, mesazhe ose modele politike që gëzonin mbështetjen e njerëzve të Elitës për drejtimin e vendit, qoftë në administratën qendrore të qeverisë, qoftë në atë të kryebashkisë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit, po t’i shohim me kujdes, kanë qenë më se të logjikshme, e nisur nga një dëshirë për stabilitet. Por Edi Rama është sjellë si amator dhe është shtyrë me ta me brirë dhe vetëm tash që është në pozicion shah mat, ai e ka kuptuar se pa një dorë të ndërkombëtarëve nuk mund të realizojë ëndrrën për t’u bërë kryeministër. Pas një vizite jo dhe shumë të studiuar e spektakolare në SHBA dhe pas një vizite që do të kryejë së shpejti në laburistët e Londrës dhe te “London School of Economics” duket se z.Rama, i cili ka qenë shumë i ndikuar nga idetë e shokut Enver për Shqipërinë shkëmb graniti e të pavarur buzë Adriatikut, më në fund erdhi para asaj dileme që unë e kam thënë në disa analiza të miat: Ose të bjerë në ujdi me hierarkinë ndërkombëtare që mbulon Shqipërinë, ose ai do të dilte nga loja. Nëse z.Rama ka pasur një sjellje të cilën e ka kryer në unison me ndërkombëtarët, ose prej këtyre të fundit është aprovuar në heshtje si shpëtimtar me kosto të ulët në lidhje me mospranimin e Shqipërisë në proceset e integrimit drejt BE-së, kanë qenë veprimet e tij jo bashkëpunuese me mazhorancën në Kuvend, por edhe sjelljet e ashpra para e mbas 21 janarit. Kjo sjellje i ka shkuar për shtat z.Rama, për shkak se interesi i tij dhe i çdo politikani nuk është gjithmonë i përputhur me interesin e perceptuar të popullit, por me ato të grupit të tij të vogël politiko-ekonomik, të cilin përfaqëson dhe i shërben për ta sjellë në pushtet. Gjithsesi, BE-ja që punon me axhendë të përcaktuar rreptësisht, gjen sebepe fiktive për të mos zhgënjyer popujt, që ashtu si me rastin e gjoja grindjes për emrin e Maqedonisë, të mos kapërcejë fazat e nevojshme të proceseve. Pra, sipas tyre, disharmonia dhe konflikti i hidrës së klasës politike shqiptare është bërë sebepi kryesor për të mos vazhduar me sukses deri më sot, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE - përveç një duzine me pika të tjera që ia vlen të diskutohen, nëse vërtet ata që i kërkojnë në Bruksel i mendojnë ashtu, apo burokratët e saj as vetë nuk e kuptojnë, se ata që janë mbi ta, kanë një axhendë politike të papërfunduar në Ballkan, një hesap të paqëruar me Rusinë dhe me çështjen shqiptare. Gjithsesi, kjo që po them është shumë e rëndësishme: Brukseli nuk e ka shumë problem nivelin e ekonomisë a atë politik të shqiptarëve dhe Ballkanit. Sekretin më të madh të bashkimit e zotërojnë bankierët privatë të BE-së, që zotërojnë emisionin e EURO-s dhe jo matufët politikë që janë shërbëtorë të tyre. Përveç shkaqeve politike në ngritjen e një strukture të tillë solide si BE-ja për ndikim në rrafshin botëror të politikës, një nga shkaqet e tjera shumë të rëndësishme të krijimit të saj, është shkaku i përfitimit prej plutokratëve të financave nëpërmjet pronësisë mbi emisionin e EURO-s, e cila do të jetë monedha e përbashkët, pas anëtarësimit të këtyre vendeve ballkanike në BE. Deri më sot, emisionin e monedhave kombëtare në lindje të vendeve të ish-Perdes së Hekurt e kanë pasur bankat shtetërore. Kur vendosej që të kishte një inflacion të caktuar, si masë energjie paraprake për të rritur fuqinë e ekonomisë ekzistuese, rikthimi në burim i kësaj mase energjie të marrë hua nga ekonomia prej sektorit financiar, i bëhej shtetit, pasi kjo masë të hollash të tepërta ishte përdorur për mallra dhe shërbime me një efikasitet të caktuar nga sektori ekonomik dhe, kësisoj, vini re, shteti nuk kishte ndonjë borxh te privati, borxh të cilin do të detyrohej ta mblidhte duke rritur taksat dhe tatimet nga sfera e prodhimit dhe shërbimeve private për të rritur buxhetin e vet; përveç që nuk e kishte borxh dhe përveç që nuk ngriheshin taksat, por shteti këtë masë energjie, që në fillim kishte qenë si një masë dhjami në trupin e ekonomisë, e ka tashmë të kthyer në muskul vital. E kundërta do ndodhë kur ne të hyjmë në BE. Gjithë popujt e kësaj perandorie, sa herë kanë nevojë për energjinë e parasë së re për të rritur trupin dhe muskujt e ekonomisë, këtë para do ta kërkojnë te grupi i vogël i bankierëve të Brukselit, ortakëve të bankierëve të Londrës dhe Fed-it në SHBA. Këtë e kanë kuptuar me vonesë grekët, por bankierët e pushtetshëm ndërkombëtarë nuk lejojnë që të rikthehet sipas vullnetit të protestuesve, sovraniteti i dhrahmisë, veçse me kosto shumë të rënda, madje shkatërruese për Greqinë. Dezintegrimi i BE-së as që mund të ketë hapa mbrapa. Pra, grekët ose do vazhdojnë vallen deri në fund të kërrusur nga pesha e bankierëve në kurriz të tyre, ose do kalojnë në anarshi, dezintegrim territorial dhe kapitullim. E sollëm këtë shembull thjesht për ilustrim, në raport edhe me dëshirën e sotme të shqiptarëve, të cilët duhet ta shikojnë monedhën e BE-së dhe rastin grek, me inteligjencë e nga të dy anët. Duke iu rikthyer z.Rama, i cili aspiron të bëhet kryeministër në vitin 2013-të, pamë që ai në SHBA pati disa takime jo dhe shumë të frytshme. E rëndësishme është, që ai filloi ta kuptojë që për Shqipërinë ka një axhendë dhe këtë axhendë e harton Elita; se Shqipëria është një provincë si gjithë të tjerat nga ato që komandon Elita mbi këtë planet dhe se z.Rama është një guvernator lokal, që duhet patjetër të luajë në harmoni me orkestrantët e tjerë të pranuar nga kjo Elitë dhe ai as që ka gjasa që pa pyetur për rregulla, të shkaktojë me kryeneçësi kakofoni dhe zhurma çjerrëse, nga tekat e një kalamani të papjekur në politikë. Në faqen e tij në twiter z.Rama ka theksuar se do të shkojë në LSE (London School of Economics) e cila është shkolla ku përgatiten gjithë intelektualët e majtë të Elitës. Dihet se Elita dhe bankierët goditën feudalizmin dhe aristokracinë tradicionale evropiane, me anë të klasës së re borgjeze e tregtare të krijuar pas zbulimit të tokave të reja; përçanë katolicizmin duke e futur në një plojë gjigante perëndimin për mbi 150 vjet; me anë të nacionalizmit u shkatërruan dinastitë kryesore në Luftën e Parë dhe tani me marksizmin dhe LSE-në përpiqen që të shkatërrojnë borgjezinë e t’ia japin pushtetin masave punonjëse, ose thënë ndryshe të sjellin në pushtet kopetë. Zoti Rama natyrisht që e thotë me mburrje LSE, por ai ndoshta nuk e di se çfarë misioni ka kjo shkollë. Por, z.Rama nuk ka pasur mbështetje të dukshme prej ‘thinktank’-eve të tilla me emër dhe domethënie si CFR (Counsil on Foreign Affairs) në SHBA dhe homologia e saj RIIA (Royal Institution of International Affairs) në Londër. Gjithsesi, deri në pranverë të vitit 2013-të atij do t’i duhet të bëjë hapa të tjerë për ta fituar më me pompozitet dhe më bindshëm besimin prej qarqeve të Elitës dhe për t’u harmonizuar më mirë me orkestrën rajonale e më gjerë. Gjithashtu, Ramës do t’i duhet që krahas kësaj lëvizjeje të rëndësishme në raport me ndërkombëtarët, të lëvizë më mirë edhe në raport me elektoratin, pasi veprimet e PS-së janë bazuar kryesisht te elektorati i saj gjigant tradicional, i cili ka ardhur vazhdimisht duke u tkurrur, ose te elektorati i të pakënaqurve nga qeverisja tejet mashtruese, klienteliste e nepotike e derisotme e Berishës. Mbi bazën edhe të vullnetit që do të shfaqë shumica e elektoratit aktiv në ditën e votimit, zotit Rama mund t’i takojë detyra kryesore dhe tepër e rëndësishme, për t’i dhënë vendit një ekuilibër dhe një drejtpeshim të ri, pas epimit dhe krisjes jo të vogël që ka marrë ai sot – cilësi këto të kontrolluara jo pa efikasitet nga pushteti i sotëm - prej Presidentit të vitit 1997, disa ish-kryepolicëve dhe shikasve të tij të asaj kohe, si dhe rrethit të tij shoqëror e nepotik, të cilët kontrollojnë gjithë pikat kyçe të kontaktit të shtetit me sferën private, në kurriz të interesave të publikut dhe shpeshherë në favor të xhepit të tyre. Për këtë mision, Rama duhet domosdoshmërisht të rimodelohet si personalitet, të fitojë elasticitet e një sens më praktik, të parashtrojë një program më real e të dijë me grupin e vet të politikanëve e specialistëve që ta prezantojë bindshëm këtë program, pa ngelur në kuadër të një demagogjie sa të frikshme, aq edhe për të qarë hallin, siç është ajo sot. Ai duhet të bindet se nuk i ka ende të pjekura tiparet e një lideri udhëheqës momental për vendin, por që t’i fitojë këto tipare, kjo nuk është aspak e pamundur. Kur s’ishte e tillë për njerëz si Sali Berisha, Azem Hajdari, Tritan Shehu, Arben Imami, Genc Pollo, Ali Spahia, Eduard Selami e politikanë të tjerë të rastësishëm, të cilët në vitin 1991, pavarësisht se kishin qenë të përkëdhelur e të mirëarsimuar (përveç të ndjerit Hajdari) nga regjimi, mezi i lidhnin dy fjalë bashkë para publikut. Nëse shihet metamorfoza ndër vite e politikanëve të përmendur më lart, natyrisht që ka shpresë se cilësitë aktuale e të palatuara prej një lideri të vërtetë, mund të tejkalohen prej z.Rama, mjafton vetëm shfaqja e vullnetit për ndryshim dhe korrigjim.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)