E Shtunë, 31 Tetor 2026

Totozani letër drejtorit të Policisë së Shtetit

Totozani merr shkas nga një aksident rrugor për dërgimin e kësaj letre, ku ishte i pranishëm edhe vetë ai.

Letra e plotë:

Fillimisht, do dëshiroja të ndaja me ju detajet e një ngjarjeje, dëshmitar i së cilës u bëra rastësisht në datën 17 të këtij muaji, në segmentin e rrugës nacionale pranë zonës së Malit të Robit. Arsyet pse dua të ndaj me ju këtë eksperiencë personale – rrethanat e së cilës kishin si protagonist një qytetar të aksidentuar dhe punonjës të policisë së komisariatit të Kavajës, – lidhen jo thjesht me detyrimet karshi qytetarëve që mbartin dy postet tona zyrtare, por edhe me domosdoshmërinë e një apeli, – mbi të gjitha njerëzor e komunitar, – për të cilin jam i sigurt që do gjej mirëkuptimin tuaj.

Ne jemi të bindur se pa vlerësim të shembujve që duhen ndjekur, pa mirëkuptim njerëzor, pra pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e komunitetit, asnjë polici nuk do mundej të kryente detyrat e saj.

Ngjarja e sipërcituar ndodhi këtë 17 gusht, në rrugën nacionale Durrës-Kavajë. Disa metra përpara makinës zyrtare me të cilën po udhëtoja, një qytetar u aksidentua ndërsa zbriste nga një automjet transporti udhëtarësh. Unë dhe shoqëruesi im sinjalizuam menjëherë organet e rendit dhe u bashkuam me të pranishmit që tentuan t’i jepnin ndihmën e parë qytetarit të aksidentuar.

U desh vetëm një minutë nga telefonata lajmëruese që tri makina të Komisariatit të Kavajas të mbërrinin me urgjencë në vendngjarje dhe vetëm 8 minuta nga mbërritja e një ambulance të Spitalit të Kavajës.

Shpejtësia e ndërhyrjes ishte mbresëlënëse dhe impenjimi i stafit policor që mbërriti në vendngjarje ishte maksimal.

Si dëshmitar, si qytetar dhe si Avokat i Popullit do doja që nëpërmjet kësaj letre të falënderoja ata punonjës policie në shërbim në atë orë fatkeqe për një qytetar të aksidentuar dhe duke u nisur nga ky rast, dëshiroj t’ju shpreh vlerësimin dhe solidaritetin e institucionit që drejtoj gjithë punonjësve të policisë, të cilët sfidojnë kushte dhe rrethana, shpesh tejet të vështira, për të qenë në lartësinë e shërbimit që u kërkon detyra.

Avokati i Popullit dëshiron njëkohësisht të theksojë se përpjekja kundër krimit, për të cilin ka një shqetësim qytetar në rritje, që të jetë efikase duhet të jetë para së gjithash e përbashkët: institucionale dhe komunitare. Dhe pikërisht për këtë arsye, të gjithë ne si qytetarë, duhet të mbajmë në vijimësi në konsideratë, se punonjësit e policisë në rrugë,  – të cilët kanë barrën më të rëndë, sepse janë pjesa më e ekspozuar përballë minuesve të këtyre përpjekjeve, – janë para së gjithash bashkëqytetarët tanë.

Institucioni i Avokatit të Popullit ju shpreh gatishmërinë për të përballuar së bashku cilëndo sfidë që krimi i bën shoqërisë. Të gjithë dëshirojmë rend dhe qetësi. Qytetarët shqiptarë meritojnë rend dhe qetësi. Ju keni detyrimin,  – jam i bindur edhe vullnetin – për t’i siguruar shoqërisë këto dy standarde bazë.  /Start/

                                                                                             2012-08-30 14:06
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›