E Shtunë, 31 Tetor 2026

Touring 5, Modeli i ri i gjigantit “BMW”



Me fillimin e shitjes së serisë së re 5 në Europë, BMW ka prezantuar fotografitë e para të versionit të tij karvan, i cili mendohet se do të dalë në shitje gjatë muajit shtator të këtij viti. Seria e re “5 Touring” duket ashtu siç është pritur dhe blerësve do t’u ofrojë më shumë komoditet, nëse guxojmë të themi, edhe më shumë estetikë kur bëhet krahasimi me serinë 5 GT. Ashtu sikurse seria 5 limuzinë dhe GT, Touring është pajisur me një varg të gjerë teknologjish. Ky automjet do të ketë marsh automatik prej tetë shpejtësish dhe paketën e teknologjive EfficientDynamics. Seria 5 karavan gjithashtu do të ofrojë opsionin me tërheqje në të katër boshtet. Automjeti do të ofrohet me katër motorë të ndryshëm: 520d (2.0 naftë dhe 184 KF), 530d (3.0 naftë me 245 KF), 523i (3.0 benzinë me 204 KF) dhe 535i (3.0 turbo-benzinë me 306 KF). Ndryshimet më të theksuara vërehen në kapacitetin e bagazhit, i cili në formën e tij bazike ofron 60 litra më shumë volum sesa tek versioni limuzinë, respektivisht 560 litra. Me ulëse të prapme të lëshuara bagazhi mund të rritet më shumë se 1.670 litra.

Kia Magentis

Muajin e ardhshëm prezantohet modeli sportiv

Në fillim të muajit të ardhshëm, prodhuesi Kia do të paraqesë gjeneratën e re të versionit limuzinë të Magentis. Kështu prodhuesi korean do të paraqesë edhe një model të ri të fuqishëm, dinamik dhe me dizajn tërheqës pas modelit të paraqitur kohë më parë, atij Sportage. Magentis i ri është dizajnuar në qendrën europiane R&D të Kias në Frankfurt, prandaj nuk duhet të befasohemi për orientimin vizual nga tregu europian. Ndryshe, Kia në këtë segment duhet t’u dëshmohet blerësve të Kontinentit të Vjetër dhe të shohë mundësinë e rritjes së shitjes. Konkurrentë të këtij automjeti do të jenë VW Passat, Ford Mondeo apo Opel Insignia, ndërsa ky model bazohet në platformën e Hyundai Sonata. Kur merret kjo gjë parasysh, atëherë nuk mund të presim rritjen e dukshme të dimensioneve apo karakteristikat më të mira. Ky automjet do të vijë në tregun evropian gjatë verës së vitit të ardhshëm, e shumë lehtë mund të pritet që edhe emri t’i ndryshojë.

Facebook

Bën thirrje: Kujdes nga pseudo-emailet

Shërbimet e popullarizuara të internetit gjithmonë kanë qenë qendër e sulmeve të mashtruesve, prandaj nuk na çudit paraqitja e kërcënimit më të ri, që shfaqet si porosi e-maili e dërguar nga tabori i rrjetit për shoqërim, Facebook. Nëse gjatë disa ditëve të fundit keni pranuar ndonjë e-mail i cili duket sikur vjen nga Facebook, i cili u lajmëron se në bashkëngjitje u vjen fjalëkalimi i ri për qasje në këtë shërbim, dijeni se bëhet fjalë për mashtrim. Edhe jo vetëm për mashtrim, po për një shtojcë e cila do të marrë nga kompjuteri juaj të gjithë emrat e përdoruesve dhe fjalëkalimet për cilindo shërbim online. Porosia kontestuese e emëruar “Facebook Password Reset Confirmation! Customer Support”, e bashkëngjitja ofrohet në formatin zip me titull ”Facebook_password_357”. Siç tërheqin vërejtjen ekspertët e McAffee, nëse nuk e keni kërkuar më herët, Facebook kurrë nuk do t’ua ndryshojë fjalëkalimin e përdoruesit dhe bën thirrje tek 400 milionë përdorues të mos bien pre e këtij mashtrimi.

Buffalo
USB e dizajnuar posaçërisht për femra

Për të gjitha femrat të cilat nuk pranojnë që USB-ja e tyre të mos duket si vetëm një copë e zakonshme plastike, kompania Buffalo ka një zgjidhje. Ajo ka paralajmëruar paraqitjen e serisë së memorieve USB e cila do të jetë e dedikuar ekskluzivisht për gratë të cilat i kushtojnë kujdes pamjes së pajisjeve elektronike të cilat i bartin pas vetes. Memoriet vijnë në shtëpiza elegante të cilat shkëlqejnë me dimensione 21 x 9 x 55 milimetra, me peshë prej 10 gramësh. Këto USB janë të përputhshme me USB 2.0/1.1, e vijnë me kapacitet prej 4, respektivisht 8 gigabajt. Lidhësi USB nxirret “në tërheqje” prandaj nuk ka rrezik të humbjes së kapakut të kësaj memorie. Në tregun japonez del në shitje gjatë muajit të ardhshëm, por çmimet ende nuk janë bërë publike.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›