E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti, mbi 200 të sapodiplomuar do të punësohen këtë vit në Tiranë



Jonida Tashi

Mbi 200 të sapodiplomuar që do të përfundojnë studimet e larta gjatë këtij viti, do të punësohen nga Zyra e Punësimit në kryeqytet. Drejtuesit e kësaj të fundit sqarojnë se projekti për punësimin e studentëve të sapodiplomuar, midis të cilëve përfshihen edhe të rinjtë që e kanë mbaruar shkollën e lartë edhe vitin e kaluar, do të zbatohet për të tretin vit radhazi nga Zyra Rajonale e Punësimit në Tiranë. Sipas Ministrisë së Punës, për vitin aktual, me vendimin nr.873, datë 27.12.2006 “Për zbatimin e programit të praktikave profesionale për punëkërkuesit e papunë që kanë mbaruar arsimin e lartë brenda ose jashtë vendit”, parashikohet të mundësohet punësimi për 330-400 të rinj, për të cilët fondi i vënë në dispozicion do të jetë 28 milionë lekë.
Projekti
Projekti për punësimin e të rinjve që sapo kanë dalë nga auditorët e universiteteve ka si fokus punësimin e punëkërkuesve të papunë që sapo kanë përfunduar studimet e larta dhe do të kryhet në bashkëpunim me biznese private, si banka dhe kompani me peshë në treg. Aktualisht programi për punësimin e të rinjve të sapodiplomuar është shtrirë në të gjithë vendin, por për kryeqytetin, duke qene së ka edhe një numër më të madh banorësh se qytetet e tjera, numri i përfituesve si dhe fondi për këtë vit pothuajse janë dyfishuar. Kështu, nga 150 të rinj që përfituan vjet nga ky program, këtë vit do të punësohen 250 të rinj që kanë mbaruar arsimin në dy vitet e fundit. Nxitja e punësimit të të rinjve që do të diplomohen këtë vit, do të kryhet me një fond prej Zyrës së Punës në bashkëpunim me drejtuesit e fakulteteve. Për këtë, dy institucionet e mësipërme janë duke përgatitur një fushatë informuese për të rinjtë, me synim që të gjithë të interesuarve t’u jepet një mundësi trajnimi dhe më pas punësimi.
Aplikimi
Aplikimi për të përfituar nga “Praktikat profesionale” do të bëhet në zyrat e punësimit, sipas rretheve përkatëse, ku kandidatët duhet të paraqesin dokument identifikimi dhe vërtetim që janë të papunë, së bashku me dëshmitë e aftësive të tyre. Sipas programit, të rinjtë e diplomuar në 24 muajt e fundit me banim në Tiranë do të ushtrojnë profesionin e tyre në subjektet private për gjatë gjashtë muajve. Të rinjtë që do të jenë pjesë e programit “Praktikat Profesionale për të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë”, mund të jenë të diplomuar në fushën e Ekonomisë, Drejtësisë, Shkencave sociale, Gjuhëve të Huaja, Inxhinierisë dhe fushës Agroushqimore, degë që janë kërkuar kryesisht nga firma private që operojnë si fondacione, subjekte kredidhënëse, banka, firma të konsulencës financiare, etj. Drejtoria e Zyrës Rajonale të Tiranës bënë të ditur se ka mjaft kërkesa nga firmat e biznesit, por janë në pritje të kërkesave nga ana e të interesuarve, pasi projekti “Praktikat Profesionale për të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë”, fokusohet në subjekte private, sepse aty është mundësia më e madhe për punësimin e të rinjve të diplomuar. Zyra Rajonale e Tiranës u bën thirrje të gjithë studentëve që do të diplomohen këtë vit akademik që të aplikojnë për të kryer praktika profesionale në degën ku ata kanë studiuar, si një mundësi që do t’u vlejë nga ana profesionale dhe do t’i ndihmojë ata që të jenë pjesë e tregut të punës. Përveç kësaj mundësie, të rinjtë e përfshirë në këtë program, gjatë praktikës profesionale marrin çdo muaj një mbështetje financiare nga zyra përkatëse e punësimit, si dhe nga kontributi për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.5 për qind të pagës minimale.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›