E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elida Janushi: Teatri ka mbetur dhe është shtrati ku unë fle e qetë



Një karrierë prej 36 vitesh dhe një nismë drejt aktrimit që në moshën të re kanë bërë që Elida Janushi të jetë një ndër aktoret më të vlerësuara në teatër. Pasioni për teatrin e ka ngacmuar Elidën që në vitet e para të rinisë së saj. Në 36 vite karrierë në skenën teatrore ajo ka sjellë për publikun karaktere dhe personazhe nga më të ndryshmet, duke u bërë një emër i njohur dhe i vlerësuar. Roli i saj i parë në skenën teatrore është me shfaqjen “Tymra që pastrojnë”, një shfaqje që në atë kohë mori shumë vlerësime. “Vepra me të cilën unë kam mbrojtur diplomën ka qenë vepra e Zisa Cikulit, ‘Tymra që pastrojnë’, por kuptohet, ato ishin vepra skematike, sepse brenda ishte vetë skematizmi i kohës, kështu që edhe ato nuk mund të shpëtonin nga kjo”, - pohon aktorja Janushi gjatë intervistës për “Albania Weekend”. Ndërsa e kujton atë kohë me emocion, aktorja e njohur Elida Janushi është sot një nga aktoret më të preferuara për publikun shqiptar. Në të gjitha rolet e saj ajo është vlerësuar për atë çfarë ka sjellë dhe interpretuar para publikut. Fillimet për të kanë qenë të mrekullueshme, pasi ka pasur fatin të punonte me artistë të merituar të kinemasë shqiptare. Jeta artistike e saj ndër vite ka qenë e mbushur plot me surpriza, por ka pasur edhe momente paksa të vështira, që ajo i kujton me shumë emocion. Vlerat e saj si aktore janë gjithmonë në rritje dhe asnjëherë nuk humbasin, pasi ka marrë një mbivlerësim të suksesshëm në skenën teatrore, por dhe në kinematografi. Ajo ka një gamë të gjerë të roleve si në filma televizivë, ashtu dhe në teatër. Galeria e roleve të saj ka arritur mbi 100. Aktorja Elida Janushi i takon një brezi aktorësh, të cilët janë skalitur në kujtesën e publikut për rolet e veçanta dhe të bukura që kanë sjellë para tij. Edhe pas kaq shumë vitesh kur ajo mori duartrokitjet e para në skenën teatrore, Elida Janushi e vazhdon punën me po aq pasion dhe dashuri si në kohën kur ajo ishte studente. Një karrierë e gjatë, e cila i ka falur emocione dhe shumë kënaqësi në profesionin e saj si aktore. Aktorja Elida Janushi vetëm pak kohë më parë u ngjit në skenën teatrore në shfaqjen “Elektra”. Aktorja bën pjesë te kori, i cili është konsideruar si më i vështiri nga regjisori i veprës. Ndërkohë që rreth interpretimit të saj në këtë vepër ajo pohon: “Unë jam pjesë e korit te kjo shfaqje dhe do të thosha që kori është personazh më vete dhe zë vendin pas Elektrës, sepse gjatë gjithë kohës shoqëron të gjitha personazhet. Kjo kishte vështirësitë e veta, sepse fjala është bazuar kryesisht mbi plastikën”. Sa i takon jetës, Elida Janushi lindi më 1 gusht 1953 në Devoll. Aktore e Teatrit Kombëtar, në kinematografi interpretoi disa role të rëndësishme, duke filluar nga filmi "Brazdat", por në teatër ajo mbahet mend dhe për interpretimin e saj në komedinë “Pallati 176”. Aktualisht ajo tregon se projekti me të cilin pret t’i shfaqet publikut shqiptar është vepra “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” të Luixhi Pirandelos.

Si ka nisur rruga drejt aktrimit për Elida Janushin?
Rruga drejt aktrimit ka qenë thjesht një pasion. Kur fillova angazhimet e mia në shkollë gradualisht fillova të kem një pasion drejt artit dhe sidomos teatrit. Duke aspiruar nëpër vite, duke parë skenat që buçisnin nga aktorët tanë të mrekullueshëm, duke u angazhuar akoma më shumë vazhdova të kem një pasion, një ndjenjë të veçantë për skenën. Si për çdo profesion tjetër dëshirat zmadhohen, pasioni rritet dhe përkushtim të bën të arrish atë që do.

Një karrierë 36-vjeçare në skenë ju bën një emër të dashur për publikun që nuk harrohet lehtë. Keni sjellë role të shumta si në film dhe në teatër, duke marrë një vlerësim. Si ndiheni pas gjithë këtyre viteve?
Kurrë nuk duhet thënë kurrë. Ndjehem shumë mirë dhe më vjen mirë që edhe publiku më ka falur shumë duartrokitje gjatë gjithë karrierës sime. Unë vlerësimin e tij e kam prekur qëkur isha studente në Akademinë e Arteve. Ne në atë kohë vumë në skenë një pjesë të Janis Ricos, që quhej “Mëhallët e botës”. Edhe ajo ishte e mbështetur në një punë me plot pasion, normalisht në një miniaturë, jo si kjo vepër, sepse kjo ka përmasa të tjera, pasi ka një masë më të gjerë artistike, kështu që nuk duhet të bëhen paralelizma. Por që atëherë është prekur nga ana ime, ndërsa kjo është hera e parë, pavarësisht se kam interpretuar dhe vepra të tjera të huaja si “Luiza Miler”, ku kam pasur Luizën; “Romeo e Zhuljeta”; “Gabriel Borgnat” etj., por që kjo ishte një punë tejet e veçantë për mua.

Si e kujtoni rolin tuaj të parë në skenën teatrore?
Vepra me të cilën unë kam mbrojtur diplomën ka qenë vepra e Zisa Cikulit, “Tymra që pastrojnë”, por kuptohet, ato ishin vepra skematike, sepse brenda ishte vetë skematizmi i kohës, kështu që edhe ato nuk mund të shpëtonin dot. Por kishim regjisorin të madhin Sulejman Pitarka që na ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme dhe na bëri që të arrinim një sukses para publikut.

“Pallati 176” është komedia që ka mahnitur publikun shqiptar. Kërkohet dhe pëlqehet edhe pas shumë vitesh. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Çdo rol, çdo vepër, ku përfshin të gjitha elementet po nuk u punua me përkushtim dhe me dashuri, apo me mirëkuptimin në mënyrë që të krijohet atmosfera e mirëfilltë artistike, aty bazohet edhe suksesi; në të kundërt, ajo nuk ka sukses. Unë mendoj që ky përkushtim që ne kemi tani është risjellë në kohë në përkushtimin që ne kemi pasur ndaj asaj vepre teatrore. Që në fillim nuk mund ta mendonim suksesin e asaj vepre, megjithëse ne tek ajo vepër kemi qenë një ansambël, pra një të tërë dhe ne plotësonim njëri-tjetrin, ndaj dhe ajo kishte sukses.

Ka ndonjë peng gjatë karrierës tuaj të gjatë?
Pengje aktori ka gjithmonë, deri në fund, sepse gjithmonë thotë sikur të bëja këtë rol apo atë rol, megjithëse unë, për hir të së vërtetës, për arsyet e mia shëndetësore, jo për ndonjë arsye tjetër, kam qenë pak si e tërhequr nga skena teatrore. Mendoj se tani këto gjëra kanë kaluar, kështu që tani jam akoma pranë publikut.

Si e shikojmë Elida Janushin mes filmit dhe teatrit, kush ju ka falur më shumë emocione?
Filmi është tjetër gjë, ndërsa teatri ka mbetur dhe është shtrati ku unë fle e qetë. Filmin e dua, kam bërë goxha role, por ka mbetur tek unë.

Sa ka arritur gama juaj e roleve?
Në film dhe teatër, për 36 vjet, numëroj mbi 100 role. Besoj se janë të mjaftueshme dhe më vjen mirë që më janë besuar shumë role të spikatura që kanë korrur sukses në skenë.

Cili rol ju ka falur më shumë emocion dhe mbresa?
Aktori të gjitha rolet i konsideron të rëndësishme, por unë do të veçoja dy role. Njëri te vepra “Luzia Miler”, ku interpretova Luizën dhe vepra është vënën në skenë para 31 vjetësh. Aty është një emocion jashtëzakonisht i madh, por dhe te vepra “Rikardi i Tretë”, roli i mbretëreshës Margaret, e cila ka qenë një rol tejet i vështirë. Ka dhe role të tjera, por këto mua më kanë mbetur në kujtesë si rolet më të veçanta në karrierën time dhe që më kanë falur aq shumë emocione dhe jetë.

Talenti juaj si aktore ka dhënë kontribut si në film, ashtu dhe në teatër. Por në karrierën tuaj ju më shumë role keni në teatër, ndërkohë që në film ju jeni më pak?
Them që kjo është çështje preferencash, por dhe zgjedhjeje. Nuk kam dashur shpeshherë, por më janë ofruar dhe role ku nuk kam dashur të përsëris veten. Këtë unë e kam pasur parim në karrierën time, që gjithmonë të kem role që të mos përsëris veten. Dikur më është bërë një ftesë për te filmi “Thirrja”, ndërkohë që unë sapo kisha nxjerrë rolin e Lezes dhe profesionalisht nuk e pranova.

Si e shikoni brezin e ri të aktorëve, pasi ju keni mbi tri dekada që jeni në skenë?
Në fakt unë nuk nisem nga brezat e kaluar, por për brezin e aktorëve të rinj, që ishin pjesë e veprës “Elektra”. Vajzat që unë i pashë te vepra “Elektra” janë tepër të përkushtuars në punën e tyre, por mundësitë e teatrit nuk i ofrojnë aq shumë. Janë të pakta këto mundësi, dhe të vjen keq, sepse mendoj si për fëmijën tim. Studenti mbaron shkollën dhe do punë që ta ushtrojë profesionin e aktorit, sepse ky profesioni ynë, ashtu si dhe profesione të tjera, si ai i sportistit, po e le edhe ai të lë, pra duhet stërvitje e përhershme. Edhe po nuk qe prezent në punë një regjisor nuk ka se ku të shikojë që të të marrë për role. Mua më vjen shumë keq që të rinjtë nuk i kanë ato mundësi që ne kemi pasur dikur. Në kohën tonë ne kemi pasur një emërim dhe kemi qenë në vazhdimësi të punës.

Ka ndonjë zhgënjim në karrierën tuaj?
Nuk kam pasur ndonjë zhgënjim gjatë karrierës time profesionale. Vështirësi kam pasur goxha, por jo ndonjë zhgënjim që mund të kujtoj tani.

Çfarë mendoni për kinematografinë shqiptare, ka bërë ndonjë hap përpara?
Kinemaja po mundohet, por këto vite të tranzicionit, që për hir të së vërtetës po shkojnë pak gjatë, kështu që filmi është një pjesë më vete, i cili është një shpenzim tejet i madh dhe mundësitë e kinematografisë shqiptare nga ana buxhetit nuk është se kam shumë dijeni, por me sa kam dëgjuar, janë shumë të pakta. Filmi kërkon dhe shumë specializime jashtë; po këtë do të thosha dhe për teatrin. Duhen bërë specializime jashtë në mënyrë që të ecim një hap përpara.

Sipas jush, çfarë i mungon teatrit?
Teatri është përpjekur, po punon dhe ka vënë vepra nga regjisorë me përvojë. Ai është një fushë tjetër ku mundësitë janë më reale, janë më ndryshe, të jepen më shumë mundësi.

Si nis dhe mbaron një ditë për Elida Janushin?
Një ditë e zakonshme e një gruaje shqiptare.

Së fundi erdhët në skenën teatrore në shfaqjen “Elektra”, një premierë që solli antikitetin në Teatrin Kombëtar. Si ndiheni që jeni pjesë e saj?
Unë jam pjesë e korit te kjo shfaqje dhe do të thosha që kori është personazh më vete dhe zë vendin pas Elektrës, sepse gjatë gjithë kohës kori shoqëron të gjithë personazhet. Nga kjo anë unë do të thosha që kjo kishte vështirësitë e veta, sepse fjala është bazuar kryesisht mbi plastikën. Puna në këtë vepër për mua që kam 36 vjet në teatër ishte një eksperiencë që është prekur dhe në vepra të tjera shqiptare, sepse kemi vënë në skenë veprën “Kush e solli Doruntinën”. Normalisht që kjo vepër, pa diskutim që e donte një trajtim të mirëfilltë nga ana koreografike, prandaj dhe drejtoria u mbështet për të marrë një koreografe që e njeh mirë antikitetin. Mariela, e cila ishte koreografja greke, punoi jashtëzakonisht bukur dhe ne u ndjemë mirë. Unë ndjehem shumë mirë dhe mendoj që ajo çdo gjë e vuri në funksion të logjikës së veprës.

Kori ka qenë një nga pjesët më të vështira të Elektrës, si e përballuat?
Në fakt, kori në teatër bazohet te fjala. Kori ka një specifikë të veçantë, sepse përveç fjalës, fjala e korit është plastika. Ajo që është dhe më e vështirë, sepse fjalën aktori jo se e ka të thjeshtë, por duke qenë se është brenda vetes së tij, është shumë më ndryshe. Plastika kërkon një punë të jashtëzakonshme, por me përkushtimin që kemi pasur ne dhe specialistja, mendoj se kemi arritur diçka.

Kush janë projektet që do të shfaqin sërish Elida Janushin?
Kam ftesa për një tjetër projekt, por të shohim, ia lëmë kohës, nuk e kam menduar. Projekti është “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” të Luixhi Pirandelos.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›