E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi, Arsimi profesional, nënshkruhet marrëveshja me partnerët socialë



Partnerët socialë në fushën e arsimit dhe formimit profesional kanë nënshkruar dje një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Punës. Synimi i kësaj marrëveshjeje tre paleshe është që partnerët socialë të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit që nxjerr njerëz me aftësi, për të përballuar tregun e punës dhe për të luftuar papunësinë. Kjo marrëveshje do të vendosë bazat për drejtimin dhe punën që do të kryhet në ngritjen cilësore të arsimit dhe formimit profesional. Sipas kësaj marrëveshje, që ka në thelb një plan fillestar pune, nëpërmjet të cilit qeveria dhe partnerët socialë do të punojnë për të identifikuar mundësi dhe masa për t’u ndërmarrë në arsimin dhe formimin profesional (AFP), si: identifikimi i profesioneve me perspektivë; shqyrtimi i marrëveshjeve ekzistuese për negociata kolektive mbi çështjet e punësimit; krijimi i një plan veprimi për trajnime dhe stazh pune duke përdorur sistemin e AFP; sistemi i informacionit të tregut të punës; analizë e tregut të punës; sistemi i standardeve profesionale, etj. Të gjitha këto do të shërbejnë për të përmirësuar aftësitë e forcave të punës dhe uljen e papunësisë. Në bazë të partneritetit, qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat do të punojnë bashkërisht për politika dhe sisteme në arsimin dhe formimin profesional, e nxitur nga Korniza Shqiptare e Kualifikimeve, e cila, tashmë e miratuar në Kuvend. Marrëveshja e Partnerëve Socialë u nënshkrua dje nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe ministri i Punës, Spiro Ksera. Kjo marrëveshje mbështetet nga Projekti CARDS AFP i Bashkimit Europian “Mbështetje për Reformën në Arsimin dhe Formimin Profesional në Shqipëri”.

Analiza
Cilësia e ilaçeve, Vasili ngre Task-Forcë për kontrollin e tyre

Cilësia e ilaçeve në të gjithë territorin e vendit tashmë do të jetë nën mbikëqyrjen e një Task-Force të veçantë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka urdhëruar dje ngritjen e një Task-Force të veçantë, për kontrollin e nivelit të barnave në të gjithë territorin e vendit dhe në mënyrë të veçantë në Tiranë. Taks-Forca do të kontrollojë me rigorozitet cilësinë dhe origjinën e barnave që janë në treg. Sipas kreut të Shëndetësisë, Task-Forca do të fillojë funksionin javën e ardhshme në mënyrë të pandërprerë. Në vijim, në shërbim të saj do të jetë dhe struktura e Farmakovigjilencës, duke kompletuar kështu një aspekt të rëndësishëm. Nismën për ngritjen e Task-Forcës për cilësinë e barnave, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili e bëri publike dje gjatë analizës së Autoritetit Shëndetësor Rajonal (ASHR). “Shëndetësia po përballet me dy sfida të reja të rëndësishme. Marrëdhënie e pastër mjek-pacient në njërën anë dhe tolerancë zero ndaj fenomeneve korruptive në kahun tjetër. Jemi të vendosur për të çliruar shërbimin shëndetësor nga çdo lloj percepsioni negativ”,- ka deklaruar Vasili. Sipas ministrit të Shëndetësisë, qytetarët e qetë dhe të kënaqur janë indeksi që shërbimi shëndetësor funksionon. Në themel të këtij shërbimi, sipas tij, do të mbetet sistemi i referimit, që me fjalë të thjeshta do të thotë rruga e duhur ku kalon pacienti. “Një sistem shëndetësor normal nuk mund të bashkëjetojë në asnjë rast me asnjë element korruptiv. Ndarja jonë me këtë fenomen është përfundimtare dhe pa kthim pas. Shërbimi shëndetësor është pronë e profesionistëve, ku çdo nivel është i respektuar. Rezultatet e para të luftës antikorrupsion janë pozitive, por lufta do të jetë e pandalshme. Na duhen profesionistë të mirë që ecin në traditën më të mirë të shërbimit parësor”,- ka përfunduar deklaratën Vasili, duke kërkuar nga punonjësit e Autoritetit Shëndetësor Rajonal shërbim dinamik profesional që t’iu përgjigjet kërkesave të qytetareve.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›