Dënime dhe pezullim për Interin

Interi është përfshirë nga gjoba dhe pezullime pas mbrëmjes së të shtunës kur ata u mposhtën 3-0 nga Napoli në Giuseppe Meazza.
Trupi drejtues i futbollit italian, Lega Serie A, ka zbuluar se trajneri i Interit, Claudio Ranieri, është pezulluar për një ndeshje për shkak të komenteve ndaj gjyqtarit në pauzën mes pjesëve, ndërsa mesfushori Joel Obi po ashtu është pezulluar për një ndeshje pas kartonit të kuq në çastet e fundit të pjesës së parë.
Për më tepër, klubi është ndëshkuar me 8 mijë euro për sjelljet e fansave gjatë ndeshjes, ndërsa Javier Zanetti, si kapiten, është ndëshkuar me 1500 euro për ngjarjet që ndodhën në Giuseppe Meazza.
Së fundi, edhe Diego Milito edhe Ivan Cordoba, janë ndëshkuar me nga 10 mijë euro për shkak të komenteve të bëra në lidhje me gjyqtarët pas ndeshjes.