E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton vendimin për 4 865 vulat rezervë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 29-04-2011 10:30

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka vendosur dje më së fundi që të miratojë aktin për prodhimin e 4 865 vulave rezervë për po aq qendra votimi në të gjithë vendin. Duket se takimi informal i zhvilluar dje paradite me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, ka bindur kreun e KQZ që të mos ketë më asnjë hezitim lidhur me nevojën e miratimit të këtij akti, ndaj e ka rifutur atë sërish në mbledhjen e djeshme, duke e miratuar me 4 vota pro dhe 2 vota kundër të anëtarëve të opozitës. Megjithëse nuk pati asnjë diskutim tjetër lidhur me përmbajtjen e tij, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, ka kundërshtuar llojin e emërtimit të këtij vendimi, duke e konsideruar atë në rangun e një akti-normativ dhe që për t’u miratuar kërkon 5 vota.

Miratimi

Pas miratimit në parim në mbledhjen e një dite më parë, KQZ ka rimarrë dje në shqyrtim projekt-aktin e prodhimit të 4865 vulave rezervë, që mund të përdoren në rast të largimit të komisionerëve të Qendrave të Votimit ditën e zgjedhjeve. Por duket se palët janë mjaftuar me debatin e zhvilluar ditën e mërkurë, ndaj dje nuk kanë folur më për përmbajtjen e tij. E vetmja që ka shfaqur shqetësim ka qenë nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila edhe një herë ka këmbëngulur se ky akt përcakton rregulla për të gjithë territorin e vendit dhe ndaj duhet të konsiderohet një akt normativ që kërkon 5 vota. “Ky është një rregull për atë që do i përdorë këto vula. Rregulli përbën një akt normativ, sepse prodhohet në gjithë Republikën. Ndaj ky akt kërkon 5 vota. Kjo përbën një normë, një rregull për zgjedhjet në gjithë Republikën. Për këtë arsye nuk mund të konsiderohet vendimmarrje e KQZ-së”, - tha Subashi. Por ndaj këtij pretendimi kreu i KQZ-së ka sqaruar se efektet ky vendim do t’i ketë për çdo rast të veçantë që mund të krijohet ditën e zgjedhjeve dhe jo në të gjithë vendin.

Përmbajtja

Projekt-akti është miratuar ashtu siç edhe ishte paraqitur që në fillim nga administrata e KQZ-së, me përjashtim të pikës së katër të saj, që ka të bëjë me procedurën e miratimit të përdorimit të vulave rezervë ditën e zgjedhjeve. Kështu, vula rezervë do të jetë si vula origjinale e Qendrës së Votimit, dhe në të përveç kodit “QV” do të shtohet dhe germa “R” (rezervë), ndërkohë që do të jetë i fiksuar dhe numri i kësaj qendre. KQZ gjithashtu ka hequr dorë nga projektet e diskutuara në tryezë në mbledhjen e së mërkurës, për të prodhuar vula të veçanta si për sekretarin apo kryetarin e KQV-së, apo për të prodhuar vetëm 20 për qind të numrit total të QV-ve. Dje është vendosur që të prodhohet vetëm një lloj vule, e cila do të përdoret si për rastet e largimit të kryetarit ashtu edhe për rastet e largimit të sekretarit të QV-së. Gjithashtu, do të prodhohen aq vula sa janë dhe qendrat e votimit, pra 4 865, të cilat do të ruhen në zyrat rajonale të KQZ-së. Është hequr vetëm pika e fundit e projektvendimit, që përcaktonte se vula rezervë i jepej KQV-së vetëm pas vendimit të KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›